Albspirit

Media/News/Publishing

Vetëm qytetari dhe e ardhmja e vendit

 

Dr. Vangjel Tavo

Pas dy dekadash të një rrugëtimi të mundimshëm, shqiptarët e meritojnë vendin e tyre me standarte europiane më natyrshëm se sa kurrë. Politika shqiptare duhet të bëhet mjeti dhe mekanizmi i kësaj ëndre shekullore duke ndjekur një filozofi të matur politike dhe një qëndrim konstruktiv, të shoqëruar me një retorikë dhe angazhim politik plot integritet dhe fisnikëri, siç i ka hije një politike europiane.

Shqipëria nuk është më vendi i izoluar dhe i harruar i globit. Ne sot kemi shumë miq, të cilët na inkurajojnë të ecim më shpejtë drejtë rrugës së integrimit. Sot nuk kemi më një brez që kërkonte vetëm lirinë dhe mbi të të ndërtonte me ngadalë mirëqenien, por kemi një brez progresiv i cili kërkon standarte. Dhe jo thjeshtë standarte minimale, por tërësisht europiane.

Ti shërbesh qytetarit është privilegj. Me këtë privilegj vjen edhe përgjegjësia. Ndaj, është përgjegjësia e politikës të vendosë në qendër qytetarin dhe të tregohet e përgjegjshme për të kontribuar, pavarësisht ndarjeve partiake, filozofisë qeverisëse apo opozitare, në përftimin e sigurisë ekonomike, në shëndetësi, arsim, rend, punësim, etj.

Gjatë 20-të viteve në politikë kam mësuar çdo ditë e më shumë se respekti, përkujdesja dhe vlerësimi ndaj qytetarit, si edhe dëgjimi i shqetësimeve dhe ngritja e zërit për problematikat e komunitetit përbëjnë thelbin dhe misionin e politikës.

Politika është mjeti për të realizuar ëndrat e brezit të ri, për të siguruar standarte sa më të mira jetese për qytetarin, dhe për të ngritur strategjinë e zhvillimit për sfidat e së ardhmes. Qytetari i thjeshtë duhet të jetë fokusi dhe misioni i çdo politikani në të kundërt politika shndërrohet thjeshtë në një profesion pa asnjë impakt për vendin.

Shqipëria është në zemër të Europës, dhe shqiptarët janë europianë jo vetëm gjeografikisht por edhe me zemër. Rinia shqiptare ëndërron si europiane dhe meriton të ketë të njëjtat kushte dhe mundësi për ta ndërtuar të ardhmen njëlloj me bashkëmoshatarët e tyre në BE.

Jam krenar për rininë tonë dhe i inkurajuar nga risia e mendimit që ajo ofron. Rinia sjell inovacion. Rinia sjell progres dhe ajo është shpresa dhe e ardhmja e vendit. Ndaj ajo meriton më shumë shanse për edukim, punësim dhe karrierë. Të dëgjosh shqetësimet dhe idetë e të rinjve duhet të jetë përkushtimi dhe inspirimi i çdo politikani dhe vetë politika duhet të krijojë kushte të atilla që brezi i ri të jetojë dhe punojë me parime globale dhe jo provinciale, si qytetarë të botës dhe jo të ndrydhur si në një periferi jashtë cilivilizmit.

Shqiptarët janë një komb i drejtë dhe i vuajtur. Pavarësisht shumë kapitujve të shtypjes apo diktaturave në historinë e këtij vendi, shqiptarët gjithmonë kanë jetuar me shpresë. Ndaj politika duhet të ushqejë shpresën në zemrat e shqiptarëve, dhe të kthejë besimin që ëndra europiane nuk është një mirazh në shkretëtirë por një objektiv i qartë dhe i afërt.

Gjëja më e keqe që mund të bëjë dikush në jetën e tij është të bëjë asgjë. Politika nuk mund të pluskojë në habitatin e vet 25 vjeçar por të tregohet e guximshme dhe fisnike të kontribuojë në shërbim të vendit. dhe të punojmë që të arrihen sa më shumë reforma të rëndësishme për vendin.

Çdo politikan duhet të zotohet me mendjen dhe zemrën e tij se do i shërbejë më shumë dhe më mirë qytetarit. Një politikë emancipuese, progresive, dhe europiane, është ajo që meritojnë të gjithë shqiptarët.

Please follow and like us: