Albspirit

Media/News/Publishing

Dënohet kryehetuesja amerikane, “shiti” lajmin

Një informacion i dhënë në media në mënyrë të paligjshme ka bërë që Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Pensilvanisë, Kathleen Kane të dënohet nga gjykata. Kryeprokurorja është akuzuar se ka nxjerrë informacione të Jurisë së Gjykatës me qëllimin për të përfituar kundër kolegut ish-prokuror dhe rivalit të saj politik. Rëndësia e informacioneve të klasifikuar në sistemin e drejtësisë amerikan, mund t’i kushtojë autoritetit më të lartë hetues, Prokurores së Përgjithshme, Kane, një dënim prej së paku 7 vitesh burg, ndërkohë në analogji me çfarë ndodh në vendin tonë, rrjedhja e informacioneve të ndjeshme, është tashmë një rutinë e parëndësishme.

Në mes të debatit për cënimin e lirisë së medias në Shqipëri, pas Nenit 13 në Projektligjin për SPAK, pjesë e reformës në Drejtësi, shteti i Pensilvanisë, ka dënuar prokuroren e Përgjithshme, Kathleen Kane,  pikërisht për nxjerrjen në media të informacioneve të Jurisë.

Gjykatësit kanë vendosur pas 5 orësh diskutime, që Kryeprokurorja demokrate Kane të dënohet pasi i ka dhënë një gazetari informacione që dëmtonin kolegun dhe rivalin e saj ish prokuror.

Informacionet nga Juria e gjykatës,  të dhëna nga kryeprokurorja kishin si qëllim diskreditimin e rivalit të saj politik dhe ish prokurorit Frank Fina. Më pas Kryeprokurorja gënjeu duke mohuar se i kishte nxjerrë këto informacione.

Kathleen Kane ka dhënë dorëheqjen dhe rrezikon të marrë një dënim prej 7 vitesh burg. Ndërkohë avokatët e saj kanë pretenduar se ajo nuk e dinte që po nxirrte informacione që përfshinin materiale të Jurisë. Ndërsa për gënjeshtrën në gjyq, ata pretendojnë se ajo bëri gabime njerëzore gjatë dëshmisë, por nuk e gënjeu jurinë.

Ky rast vërteton se sa të rëndësishme janë informacionet e klasifikuara që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, ndërkohë në Shqipëri, rrjedhja e informacioneve për çështje të rëndësishme që janë nën hetim, është një rutinë që nuk shqetëson askënd.

Please follow and like us: