Fotografia e Omranit, Denis Dyrnjaja: Pafajësia e fëmijës duhe të trondisë këtë politikë vrastare
Fotografia e djaloshit 5-vjeçar nga Siria, i cili u nxorr nga rrënojat e një ndërtese pas bombardimeve, ka shokuar opinionin publik mbarë botëror.
“Pafajësia është arma e vetme që ka një fëmijë. Pafajësia e Omranit, 5 vjeçarit sirian të plagosur në Alepo, duhet të trondisë mendjen e kësaj politike vrastare nga Moska në Washington, nga Berlini e Parisi në Londër, nga Damasku në Ankara”, shkruan gazetari Denis Dyrnjaja në profilin e tij në Facebook.
Ja postimi i plotë i tij:
Pafajësia është arma e vetme që ka një fëmi. Pafajësia e Omranit, 5 vjeçarit sirian të plagosur në Alepo, duhet të trondisë mendjen e kësaj politike vrastare nga Moska në Washington, nga Berlini e Parisi në Londër, nga Damasku në Ankara. Pafajësia e një fëmije gjithnjë është diçka e mrekullueshme ta kundrosh e ta jetosh, por kjo e Omranit, është pafajësia më e trishtueshme që mund të shohësh e përjetosh. Pafajësia nuk ka kufi, nuk ka fe, nuk ka gjini, ngjyrë apo rracë, pafajësia është sublime, është unike, por në rastin e këtij 5 vjeçari sirian dhe shumë të tjerëve si ai, pafajësia ka mbetur jetime. Këtë rrefenjë brenge shpirtërore, se dëgjon e lexon askush nga ata që kanë në dorë që t’i kthejnë pafajësinë normale këtij fatkeqi të pafajshëm. Por kur sheh pamjet e Omranit të plagosur, instinktivisht, mendimet, dhimbja e trishtimi shkojnë të gjitha për të, sepse dikur kemi qenë fëmijë si ai, dikur do të kemi fëmijë si ai apo kemi fëmijë si ai, por jo me fatin e tij. Unë nuk jam i plagosur fizikisht si Omrani, por shpirti im, shpirtrat tanë po.