Genc POLLO: Kriminalizimi i medias pas atij të shpifjes dhe kabali i posaçëm
Më janë dukur mënyrat e Komsionin e Posaçem parlamentar për Reformën në Drejtësi më shumë si të një kabali mesjetar se të një komisioni parlamentar. Projektligje që mbahen kyçur, mbledhje që bëhen të mbyllura e procesverbale të tyre që nuk publikohen në websitin e Kuvendit. Pasoja? Ndryshime kushtetuese të rëndësishme të cilat i përcillen për votim Kuvendit ende pa u njohur mirë me to deputetët dhe pa u njohur asfare qytetarët. Sindroma e kabalës vazhdon edhe me projekt ligjet e tjera. Në befasi, pa konsultim e informim, në projekt ligjin për prokurorinë shtohet edhe kriminalizimi (dënimi penal) i njerëzve të medias, krahas politikanëve e të tjerëve, nëse kryejnë ndikim të papërshtatshëm ndaj prokurorit. Se çfarë është ky ndikim i papërshtatshëm p.ligji çuditërisht nuk e përcakton. I mbetet imagjinatës tonë, nesër asaj të gjyqësorit, të gjejë veprën penale në gamën midis një postimi kritik në rrjetet sociale deri tek koburja në kokë prokurorit të çështjes. Pse duhej shtuar specifikisht media këtë nuk e shpjegon askush pasi nuk merr përgjegjësi askush meqënëse askush nuk di se kush është kush. Edhe Kryetari i Komisionit del e përpiqet ta davarisë skandalin duke e hequr fajin nga vetja e duke e hedhur tek ekspertët anonimë.
Ndërkohë bëjnë sikur harrojnë që Edi Rama personalisht (ministri i Drejtësisë ja refuzoi e dha dorëheqjen) propozoi kriminalizimin e shpifjes në nëntor 2015. Dhe u detyrua menjëherë të zbythej nga rezistenca e opozitës, medias e ndërkombëtarëve.
Ndërkohë që prej vitit 2013 kemi një ligj për konsultimin publik i cili detyron çdo organ shtetëror para se të miratojë nje akt normues të informojë e të dialogojë me çdo palë të interesuar. I cili injorohet nga kabali i posaçëm sipas devizës rilindiste se ligji real është shkelja, sa herë volit, e ligjit formal.