Albspirit

Media/News/Publishing

Haxhi Balliu publikon librin për folklorin e Çermenikës

Gazetari dhe publicisti Haxhi Balliu ka publikuar librin e tij të parë, ai i kushtohet folklorit të Çermenikës .

I pyetur per librin e tij dhe cfarë e nxiti për këtë  zhanër të vecantë Balliu tha për citynews.al se “ky është libri im i parë dhe përmes tij kam dashur që para të gjithë dashamirëve të folklorit dhe të muzikës të sjell këngën popullore të Çermenikës  ashtu të pastër siç është. Këngët të cilët janë pasqyruar në këtë libër janë këngë të njohura popullore në këtë zonë e cila nga ana gjeografike ka një shtrirje më të gjerë,duke filluar nga Librazhd-Katundi, Dorëzi,  Gizaveshi, Kuturmani, Funarësi,  Neshta, Mexixa, Zdrajshi, Floqi, Orenja, Gurakuqi.

Por, sikurse shihet, këtu nuk janë përfshirë ndoshta edhe qindra këngë të tjera të kësaj zone, pasi studimi është kryer vetëm në fshatrat Funarës, Floq,  Zdrajsh, Orenjë e Gurakuq”.

Më tej autori thekson se “Mbledhja e këtyre këngëve erdhi si një projekt i orëve të lira në lëndën e Gjuhës shqipe me nxënësit e klasës së VI-VII-VIII-IX. Mirënjohja iu takon nxënësve të mi të dashur; Marina, Etleva, Emanueli, Vasha, Aurora, Rozalinda, Anisa, Rezarti, Lida, Riselda dhe shumë të tjerëve,që nuk po ua përmend emrin, sepse ndodhte që e njejta këngë të ishte mbledhur nga disa nxënës, por gjithsesi, janë ata të cilët me përkushtimin e tyre punuan për disa ditë në mbledhjen e këtyre thesareve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore të kësaj zone. Janë pikërisht këta nxënës që të kujtojnë “Bletën shqiptare” të Thimi Mitkos, që me punën dhe përkushtimin e tyre, mbushën me nektar këtë “koshere” të vogël të folklorit çermenikas. Mendoj se ky libër do iu shërbejë së pari brezit të ri, por edhe mësuesve në orët e lira,në mënyrë që të mbajnë gjallë trashëgiminë shpirtërore të kësaj zone”, përfundon autori.

Please follow and like us: