Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Danaj: Greqia qëndrime shoviniste ndaj shqiptarëve, po i vret si më 1864, Shqipëria e paaftë të mbrojë sovranitetin

 

Politologu dhe ideatori i Platformës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, deklaron se shteti grek mban qëndrime shoviniste ndaj shqiptarëve. Duke komentuar ngjarjen e rëndë në burgjet greke, ku një emigrant shqiptar, 28 vjeç u gjet i vdekur, Danaj thekson se si në vitet e kaluara, Greqia edhe sot mban të njëjtat qëndrime përball shqiptarëve. Në një prononcim për gazetën “Sot” ai thotë se Greqia gjithnjë ka kryer masakra ndaj shqiptarëve dhe kjo nuk do të ndryshojë. Sipas tij, kush mendon ndryshe, është naiv. Danaj kritikon ashpër edhe institucionet shqiptare, që sipas tij, kanë interes vetëm për karrigen e pushtetit dhe jo për mbrojtjen e shqiptarëve. “Kush ka iluzione se thelbi i politikës greke ndryshon ndaj shqiptarëve, ai nuk njeh as të djeshmen, as të sotmen, dhe është i paaftë të parashikojë të ardhshmen. Pra, të kesh iluzione për qeveritë greke, me orientime të majta apo e ekstremit të majtë, të djathta apo të ekstremit të djathtë është e pakta naivitet. Qeveritë greke përball shqiptarëve janë të gjitha njësoj, shoviniste si në vitin 1864. Nuk ka qeveri greke ndryshe të 2016, qeveritë greke përballë shqiptarëve janë si në vitin 1864, dje i dëbonin, bënin gjenocid, ndërsa sot i vrasin shqiptarët në prita apo stacione policie”, theksoi Danaj.

 

Zbulimi i ngjarjes

Ideatori për Shqipërinë Natyrale, i pyetur mbi mundësitë e zbulimit dhe të dënimit të ngjarjes së rëndë, të ndodhur ne një burg grek, disa ditë më parë, tha se shteti grek do të gjejë justifikime por nuk do të dënojë autorin që ka kryer vrasjen e shqiptarit, Pëllumb Marnikollaj, 28 vjeç. “Mbasi bëhet krimi, gjithnjë do të dalin dy-tre vetë për ta justifikuar, që do të thonë do të dënohet autori. Çështja është të zbulohet krimi, jo të dënohet krimi. Shqiptarët dhe qeveria shqiptare duhet të kërkojë jo dënimin krimit, por zbulimin e krimit dhe dënimin e autorëve që kryen krimin. Pa dalë autorët kush e kreu këtë krim, qeveria shqiptare nuk duhet të pranojë asnjë justifikim tjetër”, thotë ai, ndërsa shton se qeveria dhe opozita shqiptare kanë mbajtur qëndrim të vakët kundrejt ngjarjes. Në këtë kontekst, Danaj thotë se Shqipëria nuk ka politikë sovrane. “Deri tani jo, nuk arrihet sepse ka qëndrim të vakët nga Shqipëria. Shqipëria e ka mendjen tek ligjet e kushtetuese. Shqipëria nuk ka politikë sovrane. E ka mendjen tek intrigat, tek ligjet kushtetuese, por nuk e ka mendjen tek liritë dhe të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, sa qeveria dhe as opozita, janë njësoj që të dyja. Për ata, pra qeverinë dhe opozitën shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë janë më keq se të huajt jashtë Shqipërisë. Të kërkosh reformën në drejtësi në Shqipëri dhe të mos e kërkosh atë për shqiptarët e vrarë jashtë Shqipërisë e pakta je frikacak dhe hipokrit, Drejtësia është universale zotërinj politikanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë”, tha Danaj.

Përsëritja

Koço Danaj shprehet i bindur se edhe në të ardhmen do të ndodhin ngjarje të rënda ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi. “Shteti grek ka pasur një fytyrë përherë. Çështja është të ndryshojë gjuha e politikanëve shqiptarë, të cilët asnjëherë nuk mësuan të jenë partnerë përballë Greqisë, por gjithmonë të varur, në mos të themi në disa raste edhe shërbëtorët e tyre. Do të ketë përsëri, vetëm politikanët iluzionistë shqiptarë apo edhe politikanët pro-grekë me regjistrim shqiptar mund të thonë që nuk mund të ketë më ngjarje të tilla. Sa kohë që në Shqipëri të gjithë e kanë mendjen kush të marrë ndonjë karrige pushteti dhe pakkush mendon të hedhë një gur për themele shteti, këto do të ndodhin përherë. Këtë mos e harroni kurrë! Shovinizmi ka një fytyrë, atë të krimit, gjenocidit, vrasjeve dhe poshtërimit”, nënvizoi ideatori i Shqipërisë Natyrale.

Please follow and like us: