Albspirit

Media/News/Publishing

Merkel zhgënjen Rusinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar së fundmi se Moska nuk e ka përmbushur marrëveshjen e arritur në Minsk ndaj sanksionet e vendosura për Rusinë do të vijojnë të mbeten në fuqi.

Gjatë një prononcimi, Merkel theksoi se ajo do të donte që marëdhëniet Gjermani-rusi të ishin në një nivel më të mirë, por tha se kjo gjë nuk mund të ndodhë nëse rusët nuk do t’i përmbahen zotimeve për të cilat kanë rënë dakord.

Merkel: Unë jam ndër personat e parë që dëshiroj t’i heqë sanksionet Rusisë dhe me të vërtetë që po bëjmë përpjekje që diçka e tillë të ndodhë. Kam diskutuar edhe me Presidentin Hollond dhe jemi munduar për gjetjen e një zgjidhjeje. Fatkeqësisht nuk kemi parë një përmbushje të plotë të marrëveshjes së Minskut. Më duhet të them se për ne, dicka e tillë është esenciale.

Marrëdhëniet mes vendeve perëndimore dhe Moskës u tensionuan që prej muajit mars të vitit 2014, në kohën kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina.

Si rrjedhojë, ndaj Rusisë u vendosën sanksione të shumta në sektorin ekonomik dhe më gjerë. Vetëm një muaj më parë, Bashkimi Evropian vendosi që ta zgjasë afatin e sanksioneve deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Në deklaratat e tyre, zyrtarët e BE-së e kanë bërë të qartë se shfuqizimi i tyre mund të vijë, vetëm në rast se Moska do t’i përmbushë plotësisht pikat për të cilat ka rënë dakord në marrëveshjen e Minskut.

Please follow and like us: