Albspirit

Media/News/Publishing

Meta ofrohet si kryeministër dhe ministër i brendshëm

 Denion Meidani
Ilir Meta ofrohet si kryeministër dhe ministër i brendshëm/ Nga Denion Mejdani

E kemi thënë dhe stërthënë, që qeveria kërkon jo impulse të reja, por riformatim total. Nëse riformatimi duhet patjetër të jetë brenda mureve të këtij koalicioni për të respektuar marrveshjen e 1 Prillit, atëherë e vetmja gjë, që kryetari i LSI,  Z. Meta la pa thënë dje në intervistën e tij, (por që duhet ta kishte thënë) ishte se ai vetë ofrohej për postin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.

E them këtë, sepse në gjendjen tragjike, që është vendi, ministria dhe policia, ministri i brendshëm duhet të jetë një person nga rradhët e të parëve të koalicionit, i cili duhet të jetë i veshur me eksperience, energji, forcë karakteri, vullnet të hekurt, vendosmëri dhe guxim të jashtzakonshëm për tu përballur me kartelet e drogës që kanë mbirë, si kërpurdhat pas shiut në të gjithë territorin e vendit.

Pozicioni i kryeministrit do ishte i nevojshëm për shumë arsye, por në këtë rast do veçoja faktin që kryeministri aktual dhe partia e tij kanë treguar  në rastin më të mirë pafuqi e deri në përfshirje në lumin e drogës, nëse besojmë akuzat pafund. Për më tepër çdo ministër i brendshëm sado i pushtetshëm do ishte përsëri i pafuqishëm pa patur nën kontroll Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që është një nomenklaturë e kryeministrit dhe është ky drejtor, që emëron direkt gjithë piramidën e policisë, nga maja në bazë.
Sigurisht edhe nëse zoti Meta e ka menduar këtë zgjidhje, apo zgjedhje besoj llogaritjet janë momentalisht akoma të paqëndrueshme. Opozita për herë të parë në këto tre vjet duket e qartë, me rradhë të shtrënguara dhe e vendosur në zgjidhjet, që ofron e zgjedhjet që kerkon. Presim të qartësohet pozicioni i zotit Blushi dhe faktorëve të tjerë në Partinë Socialiste, që nuk janë pjesë e Rilindjes dhe që kanë shprehur me zë, apo nën zë revoltën për keqqeverisjen dhe kanabizimin e vendit, por që akoma hezitojnë të bashkojnë rradhët në një front kundër të keqes për të mirën e vendit dhe në funksion të integrimit euro-atlantik. Presim gjithashtu të qartësohet pozicioni i PDIU-së, kur kemi lexuar në media, që brenda kësaj force politike kemi faktorë afër kryeministrit, që po sfidojnë kryetarin e tyre dhe po bëjnë allishverishe për përfaqesime e përfitime personale në kurriz të vendit, që besoj do kenë kosto për sa i përket elektoratit të saj.
Presim atëherë një shtator të mbushur me zhvillime, ndryshime e lëvizje në konfigurimin parlamentar e influencat politike.

 

Please follow and like us: