Putin kryeson mbledhjen e Këshillit të sigurisë në Krimenë e aneksuar
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjendet në Krime, që është gadishull i Ukrainës në Detin e Zi, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Mediat ruse kanë raportuar sot se Putin po e udhëheq sesionin e Këshillit të sigurisë së Rusisë dhe do të marrë pjesë në një forum të rinisë.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të sigurisë, më 11 gusht, Putin ka shfaqur nevojën për shtimin e sigurisë në Krime, pasi Moska pretendon se e ka ndërprerë një komplot për sabotazh nga Ukraina.
Ukraina e ka hedhur poshtë ekzistimin e ndonjë plani të tillë, ndërsa zyrtarët perëndimorë thonë se Moska nuk e ka paraqitur asnjë dëshmi të besueshme.
Pardje, presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha se shpjegimi i Rusisë është i “pabesueshëm”.
Prej aneksimit të Krimesë, presidenti Putin pesë herë e ka vizituar këtë rajon.