Vija e kuqe, miliona euro. BE, 4 parime për procesin e vetingut
Misioni Euralius nuk ka vendosur vija të kuqe në përkufizimet teknike për ligjin e vetingut, por disa vija të kuqe i ka hequr, kur ka vlerësuar parimet për kryerjen e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Këto parime janë 4 dhe kanë të bëjnë me afatet, institucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe rolin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Nga mënyra sesi ato do të reflektohen në ligjin e vetingut, do të varen edhe fondet e Bashkimit Europian për ngritjen e strukturave të kushtetueshme të vetingut. Kjo thuhet qartë nga shefi i Misionit Euralius, kur bën vlerësimin me shkrim rreth opinionit me 55 faqe të Partisë Demokratike.
“Komisioni i Bashkimit Europian më kërkoi që të vë në dukje se këto parime janë vendimtare për angazhimin e Bashkimit Evropian në procesin e ri-vlerësimit duke mobilizuar miliona euro të fondeve të taksapaguesve të Bashkimit Europian”, thorë Rainer Deville, drejtuesi i Misionit Euralius.
Këto parime Euralius i publikoi të mërkurën në faqen e vet në “Facebook”, menjëherë pas mbledhjes së komisionit të posaçëm për drejtësinë, por postimi u hoq, pas një ankese të demokratëve pranë Komisionit Europian. Postimi i hequr vinte në dukje ndryshimin mes Misionit Euralius dhe Partisë Demokratike për mënyrën sesi duhet të përkthehen në ligj 4 parimet që procesi i vetingut të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin e publikut te drejtësia. Të njëjtin lexim i bëri edhe kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi.
“Kjo është e ndryshme nga ajo që ka pretenduar PD-ja. Është reflektuar në qëndrimin që është mbajtur dhe besoj se edhe PD-ja do ta kuptojë që është një gjë që duhet mbajtur në këtë mënyrë në konsideratë”, shprehet Xhafaj.
Ligji i vetingut konsiderohet si ligji më i vështirë dhe me delikat i reformës në drejtësi dhe, mesa duket, ai do të vendosë në provë sërish vullnetet politike për zbatimin e reformës në drejtësi.