Albspirit

Media/News/Publishing

11 artistë nga Shqipëria, me 1207 kilometra në Francë

Njëmbëdhjetë artistë nga Shqipëria, me 1207 kilometra në Francë

Endri Dani, Yllka Gjollesha, Adrian Paci, Edit Pulaj, Ilir Kaso, Leonard Qylafi, Anri Sala, Ermela Teli, Driant Zeneli, Enkelejd Zonja dhe Fani Zguro janë artistët shqiptarë të përzgjedhur për këtë ekspozitë.

Janë 1207 kilometra që ndajnë Tiranën prej qytetit Marsejë në Francë.

Dhe me këto kilometra do të “luajnë” artistët shqiptarë, të cilët në shtator hapin një ekspozitë kolektive në këtë qytet francez.

“Shqipëria, 1207 kilometra në lindje” quhet ekspozita që do të hapet me 24 shtator në Muzeun e Civilizimit të Evropës dhe Mesdheut. Qëllimi i ekspozitës, sipas faqes së këtij Muzeu, është fokusi në këtë shtet i cili kulturalisht duket shumë afër Francës, e megjithatë artistikisht relativisht i panjohur për këtë pjesë, shkruan KultPlus.

“Duket sikur identiteti dhe historia janë ndër preokupimet kryesore të artistëve të këtij shteti që doli nga komunizmi në vitin 1991 e më pas kaloi nëpër “periudhën transitore”. Pas diskutimeve që Muzeu ka bërë me artistë nga Tunizia, Greqia e Maroko, kësaj radhe janë artistët shqiptarë që do të vijnë në Muze, secili në një formë ose tjetrën duke trajtuar identitetin, kërkesën për të, aspirimin drejt universales” shkruhet në konceptin e ekspozitës.

Endri Dani, Yllka Gjollesha, Adrian Paci, Edit Pulaj, Ilir Kaso, Leonard Qylafi, Anri Sala, Ermela Teli, Driant Zeneli, Enkelejd Zonja dhe Fani Zguro janë artistët shqiptarë të përzgjedhur për këtë ekspozitë.

Nga ekspozita do të dalë edhe një katalog, me kontributin e Ismail Kadaresë, Angelin Preljocaj, Francis Corabœuf, Guillaume Monsaingeon, Anri Sala, Valentina Koca dhe Adrian Paci.

Ekspozita ndër vete sjellë edhe socializmin dhe folklorin shqiptar, gjithmonë të një plejade artistësh në kërkim të së ardhmes që ndërtohet mbi një narrativë të së kaluarës komuniste. Shqipëria është ndër shtetet e vetme në botë që ka edhe kryeministër artist, shkruan faqja e Muzeut.

Ekspozita është pjesë e një bashkëpunimi më të intensifikuar mes Francës e Shqipërisë në fushën e artit dhe kulturës.

Ekspozita hapet në Fort St. John, ndërtesën Georges-Henri Rivière dhe qëndron e hapur deri me 2 janar 2017.

Please follow and like us: