Biden: Poroshenko bën thirrje për uljen e tensioneve në Ukrainë
Nënpresidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti ukrainas Petro Poroshenko të premten bënë thirrje për një zgjidhje të konfliktit me separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden dhe Poroshenko gjatë një bisede telefonike mes tyre shprehën shqetësimin për luftimet e fundit në Ukrainën lindore, në të cilat u vranë tre ushtarë ukrainas.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden dhe Poroshenko zhvilluan një bisedë telefonike dhe “shprehën shqetësimin e thellë për rritjen e luftimeve në kohët e fundit në Ukrainën lindore, ku shkeljet e armëpushimit nga forcat e kombinuara ruse dhe separatiste janë në nivelet më të larta që nga viti 2015, shpesh duke përdorur armë të rënda.”
Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti Biden “kishte nënvizuar se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një mesazh Rusisë se bota është duke shikuar dhe theksoi nevojën për të ulur tensionet.” Në deklaratë thuhet se nënpresidenti gjithashtu kërkoi Ukrainës që të “tregojë përmbajtje.”
Nënpresidenti Biden dhe presidenti Poroshenko gjithashtu “përsëritën nevojën për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit, përmes zbatimit të plotë të marrëveshjes së Minskut nga të gjitha palët.”
Zyrtarët ukrainas thanë të enjten se separatistët pro-rusë “kanë hedhur më shumë se 500 mortaja dhe mbi 300 predha të artilerisë” mbi pozicionet e ushtrisë ukrainase në Ukrainën lindore, duke vrarë të paktën tre ushtarë dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.
Një video e Ministrisë ukrainase të Mbrotjes tregon një ndërtesë të djegur në Maryinka afër Donetskit që kontrollohet nga seperatistët pro-rusë, dy makina të djegura dhe të shtëna që dëgjoheshin në sfond.
“Fatkeqësisht ata goditën njesinë mjekësore të ushtrisë. Makina u përfshi nga flakët dhe zjarri u përhap edhe në makinën tonë të cilën vullnetarët na dhanë për t’i ndihmuar ata. Tani nuk e di se si do të lëvizim”, tha një ushtar ukrainas.
Presidenti Poroshenko paralajmëroi të enjten se vendi i tij nuk e ka përjashtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ose një valë të re të mobilizimit ushtarak në rast se luftimet vazhdojnë.
Rusia kohët e fundit ka akuzuar ushtrinë dhe agjencitë ukrainase të kundërzbulimit për komplotimin e sulmeve në rajonin aneksuar të Krimesë.
Zyrtarët Ukrainë kanë mohuar akuzat, duke thënë se Kremlini po e përdorë kët si një pretekst për një shkallëzim të madh të konfliktit dy-vjeçar në lindje të Ukrainës.