Pagat e reja për prokurorët e gjyqtarët pas reformës: Deri në 5 milionë lekë të vjetra në muaj
Nëse reforma në drejtësi deri më sot është menduar se ka qënë vetëm një shqetësim i politikës, një tjetër problem që ka dalë është fatura e financiare e lartë, që do t’i rëndojë buxhetit të shtetit. Burime konfidenciale për Vizion Plus nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi, thonë se kanë nisur zyrtarisht në fund të qershorit në Ministrinë e Financave, kërkesën për trajtimin financiar të prokurorëve dhe gjykatësve, që do të ushtrojnë funksionin pas hyrjes në fuqi të reformës. Vizion Plus ka arritur të sigurojë korrespodencën e plotë mes këtyre dy dikastereve, ku në një raport konfidencial, Ministria e Financave thekson se është në vështirësi të mëdha për të gjetur paratë për pagat e magjistratëve. Financat kanë bërë llogaritë për paratë që duhet të japë shteti dhe në fund ka dalë një faturë e papërballueshme. Vetëm për rrogat dhe sigurimet shoqërore të 985 anëtareve te institucioneve te drejtësisë, fondi vjetor që duhet të derdhë buxheti i shtetit është 45 milion dollarë. Nga llogaritë e bëra rezulton se paga mesatare e një gjyqtari apo prokurori me sistemin e ri shkon në 3 milion e 300 mijë lek të vjetra.
Referuar këtyre të dhënave mbi pagën mujore të çdo magjistrati, të propozuar si më lart, rezulton se fondi i nevojshëm për paga dhe sigurimet e detyrueshme shkon në 4.5 miliardë lekë në vit, nga 1.8 miliardë që është aktualisht, ndërsa paga mesatare shkon nga 138 000 lekë/muaj në 330 000 lekë në muaj, pa përfshirë shtesën e pagës për vjetërsi.
Kjo faturë rrezikon që të rritet çdo vit, për shkak të shtesës së lartë që ekspertët e Euralius kanë kërkuar për vjetërsinë në punë të punonjësve. Ministria e Financave është vënë në alarm pasi vjetërsia për vitet e shërbimit rrezikon të shkojë deri në 75% të pagës bruto, ose nëse përkthehet në vlerë monetare, një magjistrat që i afrohet viteve të fundit të punës, rroga i rritet për shkak të vjetërsisë me 2 milion e 470 mijë lekë të vjetra të tjera.
Sjellim në vëmendje se nëse aplikohet skema e propozuar e shtesës së pagës për vjetërsi, kjo shtesë shkon në mbi 85 00 lekë/muaj dhe paga bruto mujore mund të shkojë maksimalisht edhe mbi 500 000 lekë në muaj, vlerë e cila është 2 herë më e lartë se paga aktuale më e lartë në Republikën e Shqipërisë.
Çdo vit fatura në buxhetin e shtetit llogaritet të rritet me 4 deri në 5 milion dollarë. Por trajtimi financiar nuk mbaron me kaq. Shteti shqiptar duhet të paguajë shpërblim shtesë për sigurimin e detyrueshëm të jetës dhe pronës për magjistratin dhe familjen e tij në masën 400 euro çdo vit. Nëse bëhet krahasimi me institucione të tjera, paratë që do të dalin për afro 1000 magjistratët nga buxheti i shtetit shkojnë afërsisht me të njëjtin fond që paguhet për të gjithë aparatin e ministrisë së mbrojtjes bashkë me forcat e armatosura, numri i punonjësve të të cilës është mbi 8800. Ministria e Brendshme dhe ajo e arsimit e kanë fondin për paga më të lartë për shkak të numrit të madh të punonjësve. Për 12 mijë punonjësit e ministrisë së brendshme buxheti jep afro 120 milion dollarë, ndërsa për 31 mijë arsimtarët jepen 210 milion. /Vizionplus