Pushteti i Enver Hoxhës ndërhynte edhe në drejtimin gjuhësor
Periudha katërdhjetëvjeçare e sundimit të Enver Hoxhës u karakterizua me eliminimin e opozitës, burgosjen për kohë të gjatë të kundërshtarëve të tij politikë dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë.
Sundimi i tij u karakterizua edhe me përdorimin e metodave staliniste për shkatërrimin e bashkëpunëtorëve, të cilët kërcënonin pushtetin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai u fokusua në rindërtimin e shtetit që kishte mbetur i shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. Krejt kjo ka bërë që në Shqipëri të mbretërojë një frymë e frikës dhe mosguximit për të ngritur zërin. Pushteti i tij pati ndikim në çdo aspekt të jetës. Mes tjerash edhe gjuhës së përdorur dhe formës së shkruar. Këtë ndikim e ka analizuar hulumtuesi italian, Giovanni Belluscio, me kumtesën “Gjuha gju më gju me ideologjinë. Gjuha dhe ideologjia gjuhësore në veprat e E. Hoxhës”.
Megjithëse kanë kaluar 25 vjet që prej rënies së diktaturës, ndikimi i asaj kohe, sipas studiueses Davloja Ndoja, vazhdon. Hulumtimin e saj, Ndoja e ka shtjelluar në kumtesën me titull “Një ngërç politik: çështja e së kaluarës në tekstet e historisë në Shqipëri”. Këta dy studiues bashkë me të tjerë u bënë pjesë e ditës së katërt të edicionit të 35-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
“Ndërlidhjes ideologji-gjuhë në kontekstin (pan-)shqiptar – çështje së cilës iu kushtua para dy vjetësh një sesion shkencor në këtë Seminar- duhet t’i kushtohet vëmendje e posaçme, duke u nisur nga të dhënat themelore ‘politike’ të pakundërshtueshme. Do të thotë prej një sasie materialesh që kanë burim të drejtpërdrejtë nga mendja e personit ose politikanit që më shumë se të tjerët vendosi fatin e popullit shqiptar për gati një gjysmë shekulli: Enver Hoxha”, ka thënë Belluscio.
Ai ka thënë se shumë herë dhe shumë gjatë është diskutuar dhe folur për ndërhyrjen e diktatorit shqiptar në drejtimet gjuhësore në Shqipëri që prej vitit 1945.
“Pa marrë parasysh shtigjet mbi të cilat idetë materializoheshin me ndihmën e ushtarit të tij të zgjedhur, A. Kostallarit, që për shumë dekada qe longa manusi i Hoxhës, i cili falë atij arrinte të prekte, në mënyrë të drejtë ose të tërthortë, edhe çështjet thelbësore të gjuhës dhe të gjuhësisë shqiptare”, ka shtuar ai.
Belluscio ka shfrytëzuar 70 vëllime të veprave të diktatorit, për të bërë analizat e nevojshme të ndikimit të tij në gjuhën.
“Kemi tani mundësi për të parë cilat qenë ndërhyrjet e diktatorit në politikën gjuhësore, kur u shprehën ato dhe sa e madhe qe sasia e këtij ‘zjarri drejtues’. Nga ana tjetër, për herë të parë, përveç statistikave dhe vlerësimeve, do të jepen edhe zhvillimet e mëtejshme të politikës gjuhësore. Do të thotë sa ‘ndërhyrje’ arritën të konkretizoheshin, të zbatoheshin, dhe si u mbishkruan ato në aparatin shtetëror të arsimit i kontrolluar nga Partia-Shtet”, ka thënë Belluscio, tek ka treguar se studimi mbështetet në listën e plotë të fragmenteve të marra nga veprat e Hoxhës, të kategorizuara sipas përmbajtjes.
“Në to bëhet fjalë për “gjuhën” dhe “gjuhësinë”, si edhe jepen “realizimet e dëshirave” që prej kreut të shtetit rridhnin deri në klasat më të vogla të Akademisë së Shkencave, të Universitetit, të shkollave, të shtëpive botuese dhe të medieve të kohës”, ka thënë Belluscio.
Derisa ka analizuar ndikimin e Hoxhës në kohën kur ishte në pushtet, Ndoja ka ecur në vite dhe është ndalur në të tashmen. Me studimin e saj mëton që të paraqesë situatën e tanishme dhe problematikën e teksteve shkollore në nivelin parauniversitar në Shqipëri, veçanërisht tekstet e klasës së 9-të dhe të 12-të, ku mësohet historia kombëtare.
“Qëllimi është të paraqes mangësitë dhe pasaktësitë e fakteve historike për sa i përket regjimit komunist në Shqipëri në tekstet e historisë, mungesën e analizës, si dhe diskursin e të drejtave të njeriut lidhur me të kaluarën komuniste, duke ofruar rekomandime dhe hapat që mund të merren në krahasim me eksperiencën ekzistuese të vendeve të tjera në historishkrimin dhe hartimin e teksteve shkollore dhe reformën e tyre”, ka thënë Ndoja. Ajo ka treguar se megjithëse kanë kaluar 25 vjet që prej rënies së diktaturës, qeveritë shqiptare nuk kanë rënë dakord për një platformë.
“Mungon një platformë që t’i rezistojë kohës, të jetë gjithëpërfshirëse dhe e miratuar prej shumicës, për dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe si pasojë, ende nuk kemi një diskurs historik të saktë dhe po aq një mësimdhënie të historisë e ngjarjeve historike të kësaj periudhe”, ka thënë ajo, teksa është munduar që të japë rekomandime për ndryshimin e kurrikulës ekzistuese, si dhe të teksteve të historisë.
“Brezat e rinj duhet të njohin të kaluarën e vendit të tyre, si dhe të jenë në gjendje të kritikojnë dhe të bëjnë një analizë të të drejtave njerëzore, shkeljeve gjatë sistemeve diktatoriale, si dhe të formojnë një botëkuptim të asaj që njihet si drejtësi sociale nëpërmjet mësimit të historisë”, ka thënë Ndoja.
Krahas prezantimit të saj dhe të Belluscios, gjatë ditës së enjte seminari nisi me kumtesën e Vehbi Miftarit, “Etnoletra shqipe (Miti, kujtesa dhe simboli në letërsinë shqipe- nga humanistët te pasromantikët). Më pas nga tryeza “Shqiptarët në shekullin XX: Perspektiva nga historia e jetës së përditshme”, u prezantuan Elife Krasniqi me kumtesën “Kara-aba” në Prishtinë: rrëfimi individual në krijimin kundërnarratives historike (counter-narrative). Pas saj Besa Kabashi- Ramaj u prezantua me “Perceptimi i sigurisë para luftës së 1999-s dhe ndikimi mbi sigurinë njerëzore sot në Kosovë”. Tryeza vazhdoi me kumtesën e Idra Vorpsit “’Gruaja e re” në shtypin postkomunist, (mos)prania e politikave të memories në Shqipëri dhe të tjera.