Albspirit

Media/News/Publishing

Respublica: Lehja, luks në Shqipërinë e Rilindjes

Kryeministri ka rënë së fundmi në sevda të madhe me një shprehje: “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Kuptimi dihet: Ne punojmë, ziliqarët dhe të paaftët do të flasin, apo llapin, siç shkon më mirë në këtë rast.

Shprehja përdorej edhe nga Enver Hoxha në vitet e ndërtimit socialist, ku akuzat ndaj regjimit të tij ishin të gjithanshme. Mirëpo në ato kohë termat politikë mes palëve ndërmjetësoheshin nga armiqësia e jo nga opozitarizmi i ideve. Ndaj stigmatizime të tilla, njësoj si akuza “kriminel” për Enver Hoxhën legjitimohej si nga historiku i përplasjeve të nisur në kohën e luftës, ashtu edhe nga antagonizmi ideologjik.

Sot kjo lloj frazeologjie nuk ka vend, sepse sot pranojmë se jemi në “qytetërimin e Fjalës”, e cila është konvencioni i raportit politik. Fjala mund të jetë shpërdoruar, manipuluar, deformuar, por roli i saj është i patjetërsueshëm nëse duam të jetojmë në këtë sistem politik. Opozita e një vendi që me përkufizim kushtetues quhet demokratik, ka disa instrumente në dorë: ka kontrollin parlamentar dhe Fjalën. akuzën, kritikën, sulmin politik brenda suazës demokratike e institucionale, apelin populist etj..

Si vallë t’i heqësh Fjalën një opozite? Është po ashtu donkishoteske dhe rrugaçëri politike të synosh të deligjitimosh kritikën, duke e shumëzuar atë me një mantel të stisur nihilizmi. Jo vetëm parimisht, por praktikisht kjo lloj rrugaçërie politike është antiproduktive dhe kërcënon çdo raport me opozitën e këtij vendi. Cilado qoftë opozita.

Jetojmë në një vend ku ka shumë probleme dhe këtë e pranojmë të gjithë. Jetojmë në një vend ku Qeveria është një nga problemet më të mëdha, siç ka qenë gjithë shekullin që lamë pas. Jetojmë në një vend ku mund të të vrasin në mes të ditës, ku aveniri i vetëm i sigurtë që të ofrohet është ose trafiku i drogës, ose marrja me politikë. Një vend ku një pjesë duan vetëm të ikin. E sërish, megjithë këto probleme, çdo qasje nihiliste do të ishte e dëmshme. Sepse duhen njohur edhe përpjekjet, edhe puna e bërë, edhe përmirësimet. Pse vallë kryeministri e paska kaq të vështirë të hapë veshët, të hapë edhe sytë e të shohë e të pranojë se mes atyre që thotë opozita parlamentare ka të vërteta, “nga ato aë të nxjerrin bojën”? Ka vetëm një shpjegim për këtë shurdhim të qëllimshëm: fshehja e dështimit, i cili manifeston një spektakël shumë më impresionues se çdo lojë marketingu.

Ky realitet që formëson dhe prek jetën e të gjithëve pranon dhe asimilon si objektive dhe të vërtetë çdo kritikë dhe akuzë. Është një realitet i vështirë që “lehjen” nuk e akomodon dot kollaj. Përtej konsideratës politike dhe mesazhit për militantët që kryeministri përcjell me frazën e mësipërme, pason edhe një fyerje tjetër: ka shumë njerëz që pajtohen me kritikat dhe akuzat e PD-së, që sot po etiketohet me çdo emër, por që nuk janë pjesë e saj, as votojnë e as janë dakord që ajo të vijë në pushtet. Edhe ata po lehin?

Nëse është kështu, atëherë le të na falë Shkëlqesia e Tij, por për 8 vjet rresht kush lehu, kuisi, tundi bishtin dhe lëpiu ngjala? Kush pëlliste e ripërtypte të njëjtat deklarata dhe akuza? Kush premtonte për programe e punë të mëdha? Dihet se kush. Mbetet vetëm të shpresojmë që kryeministri, e të vetët, jo të heqin dorë nga akuza për qenë që lehin dhe karvanin që na shkokërka përpara, por të paktën të mos nisin ndarjen klasore edhe mes qenve. Se kjo do ishte tepër në një vend kaq të vogël, ku edhe qentë e Bllokut – Bllokqenët – në kazanë plehrash i shohim.

Please follow and like us: