Rusët, turistët që shpenzojnë më shumë në plazhet tona
Turizmi veror në Shqipëri nuk varet më në masë të madhe nga ai që dikur quhej “patriotik”.
Ekspertë dhe drejtues të agjencive turistike në vend thonë se sezoni veror ka diversifikuar ofertën. Kjo nënkupton se gjeografia e pushuesve që zgjedhin brigjet shqiptare gjatë sezonit të verës ka ndryshuar. Në jug është rritur prezenca e pushuesve disaditorë nga vendet me origjinë sllave, kryesisht nga Polonia, Hungaria madje edhe Rusia.
Të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Çekisë tregojnë se numri i turistëve ka arritur në 16,000 duke u dyfishuar në krahasim me tre vitet e mëparshme.
Maqedonasit, si dhe shqiptarët e Maqedonisë gjithashtu preferojnë destinacione si Saranda, Vlora apo Ksamili. Shqiptarët e Kosovës të paktën në dy tre – tre vitet e fundit kanë braktisur disi Durrësin, destinacionin klasik dhe janë orientuar më shumë drejt plazheve të Lezhës apo edhe Shkodrës. Kjo për shkak të afërsisë më të madhe gjeografike.
Sipas të dhënave të policisë kufitare, deri tani kanë hyrë rreth një milion pushues nga pika kufitare e Morinës. Megjithatë ekspertët e turizmit thonë se ka dy elementë që mund të ndikojnë te shifrat e prurjeve të turistëve nga Kosova deri në fund të gushtit, është muaji i Ramazanit, por edhe fillimi i vitit të ri shkollor 2016-2017 në datë 1 shtator.
Sipas tyre, familjarët do të nxitojnë që të mbyllin pushimet brenda gushtit, duke dhënë kështu më shumë një efekt ndaj kohëzgjatjes së sezonit turistik. Ekspertët thonë se sfida e turizmit shqiptar nuk duhet të jenë shifrat, por zgjatja e sezonalitetit dhe shtimi i vlerës së shpenzuar, si dhe netqëndrimeve.
Sipas tyre, pushuesit nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik janë shpenzues më të mëdhenj se bashkëkombësit shqiptarë dhe kjo është një plus për turizmin shqiptar i cili duhet të bëjë përpjekje për të ruajtur këtë kontingjent.