Albspirit

Media/News/Publishing

Xhafaj dhe Vilma Nushi, luftë kunetërish për gjyqtarin e ri në Strasburg/ Lobime për Zaganjorin dhe Berberin

Fatmir Xhafaj dhe Vilma Nushi, luftë kunetërish për gjyqtarin e ri në Strasburg/ Lobime për Zaganjorin dhe Berberin

Ka nisur një luftë lobimesh dhe përplasjesh brenda qeverisë, Partisë Socialiste dhe rrethit të ngushtë të kryeministrit për caktimin e gjyqtarit të ri që do përfaqësojë Shqipërinë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Më 31 janar 2017 gjyqtarit aktual në Gjykatën e Strasburgut i mbaron mandati dhe për këtë arsye Këshilli i Evropës i ka kërkuar qeverisë që të dërgojë gjyqtarin e radhës, i cili normalisht përzgjidhet mbi bazën e një sërë procedurash, shkruan gazeta Sot. Preferencë për këtë post kanë shprehur 11 persona, mes të cilëve dy emra shumë të njohur për publikun, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe Sokol Berberi, gjykatës i Gjykatës Kushtetuese.

Klima e rivalitetit brenda qeverisë, Partisë Socialiste, por dhe rrethit të ngushtë të kryeministrit Edi Rama ka vënë përballë deputetin socialist Fatmir Xhafaj dhe biznesmenes Vilma Nushi, e cila është dhe një njeri i afërt me kryeministrin Edi Rama. Interesant është fakti se kemi të bëjmë me një luftë kunetërish. Fatmir Xhafaj ka kunat gjyqtarin Berberi dhe po lobon fort në qeveri dhe te komisioni përzgjedhës që të shkojë ai në Strasburg. Mirëpo Xhezair Zaganjori është kunati i Vilma Nushit, ku edhe kjo e fundit nga krahu tjetër po lobon për të. Teksa disa ditë më parë ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai që akuzonte Fatmir Xhafajn se po synonte të dërgonte Berberin në Strasburg, duket se në lojë ka hyrë dhe Vilma Nushi. Normalisht për një gjyqtar karriera në Strasburg është shumë e rëndësishme dhe ka një betejë shumë të ashpër, ku nuk janë angazhuar vetëm kandidatët, por dhe njerëzit pranë tyre. Në këtë situatë ndodhet në vështirësi vetë kryeministri Edi Rama, pasi duhet që të zgjedhë mes Fatmir Xhafajt dhe Vilma Nushit. Xhafaj është cilësuar si njeriu që po bën reformën në drejtësi, ndërsa Nushi është mike e Ramës. Mbetet të shihet se kush do fitojë.

Deri në datën 26 gusht qeveria duhet që të dërgojë fillimisht në Këshillin e Evropës 3 kandidatura. Pak ditë më parë u hap një debat për këtë çështje, pasi ishte vetë ish-kryeministri Berisha që akuzonte Xhafajn. Më pas ishte Partia Demokratike, e cila u shpreh se Rama kërkon që të dërgojë Berberin në Strasburg, pa ju nënshtruar vetingut. Nga ana tjetër qeveria deklaroi se ata do i nënshtrohen një procedure të rreptë verifikimi, teksa tha se u është kërkuar të dorëzojnë dhe formularin e dekriminalizimit. Mes kandidatëve ka dhe njerëz të tjerë pranë qeverisë, si Plarent Ndreca apo Gent Ibrahimi.

Please follow and like us: