A është riorganizimi i fushatës Trump sinjal për ndryshim?
Kandidati republikan presidencial Donald Trump riorganizoi drejtimin e fushatës së tij javën e kaluar duke emëruar anketuesen Kellyanne Conway dhe shefin ekzekutiv të agjencisë së lajmeve “Breitbart”, Steve Bannon në krye të ekipit të tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Amanda Scott njofton nga Uashingtoni se riorganizimi vjen mes shifrave në rënie në anketa dhe debateve mbi lidhjet e ish kreut të fushatës Paul Manafort me ish qeverinë ukrainase.
Pas njoftimit për ndryshime të enjten, Trump si rrallë herë, kërkoi ndjesë për disa nga retorikat e ashpra dhe fyese që kanë qënë karakteristika dalluese të fushatës së tij.
“Ndonjëherë në debate të ndezura dhe duke folur për një numër çështjesh, nuk zgjedh fjalët e duhura dhe më besoni… pendohem, veçanërisht në ato raste kur mund të kem shkaktuar dhimbje personale.”
Duke folur për një program të rrjetit ABC, kreu i partisë republikane Reince Priebus tha se beson se zoti Trump mund të bëjë kthesë dhe të luajë rolin e një udhëheqësi të madh.
“Në fund të fundit, personi përgjegjës për fushatën e Donald Trumpit është Donald Trumpi. Mendoj se ai është në rrugën e duhur për të rikalibruar fushatën dhe për të dalë fitimtar.”
Duke folur në të njëjtin program, menaxheri i fushatës Clinton, Robby Mook shprehu kundërshtime.
“Nuk kemi parë ndryshim. Vetë Donald Trump thotë se ky nuk është ndryshim. Ai do që të jetë vetvetja.”
Zoti Mook tha gjithashtu se megjithë largimin e kreut të fushatës së zotit Trump, Paul Manafort, Kremlini është ende i përfshirë në fushatën e tij.
“Ne duam që Donald Trumpi të na shpjegojë sesa e shtrirë është dora e Kremlinit në zemër të fushatës së tij. Ka një rrjet interesash financiare që nuk janë bërë publike.”
Zoti Mook i ka bërë thirrje zotit Trump të bjerë dakort për datat e debateve presidenciale. Zoti Trump është ankuar se dy nga tre datat e propozuara për debat përkoujnë me ndjeshjefutbolli. Menaxheri i fushatës së zotit Trump tha se ata ende janë duke diskutuar për datat e debateve.