Arta Agani: Vlera artistike dhe ekselenca në art, i vetmi kriter i pandryshueshëm
Arta Agani sapo është emëruar drejtoreshë e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe në një intervistë për KultPlus, për herë të parë ka folur për strategjinë e saj në menaxhimin e këtij institucioni përgjatë mandatit. Edhe pse e konsideron sfidë këtë detyrë, ajo ka thënë se kjo është periudha më e duhur sa i përket përgatitjeve të saja për të udhëhequr GKK-në, pa e dëmtuar karrierën e saj artistike. Ndërkohë, përgjatë mandatit të saj ajo ka synim edhe themelimin e një ekspozite konkurruese.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Sapo jeni emëruar drejtoreshë e Galerisë së Arteve të Kosovës, fillimisht, çfarë ju sfidoi të merrni këtë përgjegjësi?
Arta Agani: Me të drejtë e keni përdorur fjalën sfidë, meqë vërtet është sfidë të udhëheqësh sot një institucion arti në Kosovë. Arsyeja ime për konkurrim në këtë post ishte e thjeshtë, këtë punë e kam pasion të kamotshëm, edhe e ndiej se kjo është ajo qe unë dua të bëj. Në anën tjetër poashtu mendoj se edhe unë jam person i duhur për këtë punë, meqë kjo detyrë e shenjtë kërkon kombinimin proporcional të personalitetit që në vete ngërthen artistin, menaxherin, ndërmarrësin, negociatorin dhe diplomatin.
KultPlus: Ju edhe vetë jeni artiste dhe menaxhimi me një institucion, besojmë se mund të ulë kreativitetin e krijimit. Të dhimbset kjo periudhë përgjatë këtij mandati, apo keni synime më të larta që të bëni ndryshime në këtë institucion?
Arta Agani: Me profesion jam magjistër i dizajnit grafik, i cili përherë ka qenë dhe është profesioni im, ku si artiste jam marr edhe me pikturë, ilustrim, ndërsa kohëve të fundit kam pasur më shumë interesim për video art dhe instalacion si forma të shprehjes, të cilat për mua janë më shumë eksperiment sesa profesion. Ekspozita e fundit e imja ka qenë “Muzeu i Memories” në dhjetor të vitit të kaluar, të cilën lexuesit mund ta kërkojnë në Facebook si faqe. Por, të jesh artist nënkupton përkushtim të plotë pa kompromis, duhet të jetosh, të marrësh frymë me art 24 orë në ditë. Gjatë karrierës sime mjaft të ndryshueshme, e kam sprovuar veten në pozita të ndryshme, ndër të cilat është edhe mësimdhënia në Tipografi, por edhe gjatë viteve të fundit isha në pozitë udhëheqëse në OJQ.
Pika të rëndësishme më sollën deri këtu, bazohet në dy çështje: puna ime në GKK gjatë viteve 2005-2010 si koordinatore për bashkëpunim me jashtë dhe koordinatore e çmimit “Artistët e së nesërmes”, që më ndihmoi shumë në formimin e kontakteve me kolegë dhe institucione të ngjashme në botë. Në vitin 2011 në Universitetin Donau në Krems të Austrisë kam mbaruar programin e certifikuar “Dizajn dhe menaxhim i ekspozitave” ku poashtu kam mësuar shumë nga ekspertë ndërkombëtarë që ishin kuratorë, menaxherë të artit, muzeologë, udhëheqës të muzeve, ndërsa unë e çmoj shumë ekspertizën që mora aty. Pra të gjitha këto bashkohen dhe përbëjnë atë që jam unë profesionalisht dhe anipse nuk është hera e parë që konkurroj për këtë pozitë, tani e kam përshtypjen që më shumë se kurrë jam e përgatitur për të udhëhequr GKK, pa dëmtuar karrierën artistike timen. Mendoj se kjo shkon shumë në interes të GKK, sepse aftësia për menaxhim dhe komunikim është primare në këtë pikë.
KultPlus: Kur jemi te ndryshimet, cilat janë strategjitë e juaja për ndryshime pozitive në GKK?
Arta Agani: Përpos shumë çështjeve dhe problemeve që e pengojnë punën e mirëfilltë të GKK, të natyrës infrastrukturore dhe strukturore, plani im është të bëj menaxhim adaptiv dhe kualitativ që thënë thjeshtë , të kërkojmë kualitet dhe ekselencë me atë që kemi për momentin. Ajo që me arsye pritet nga GKK është të ofrojë art të kualitetit të lartë për publikun, duke përfshirë të gjitha disiplinat e artit dhe të gjitha format e shprehjes. Ajo çka unë mendoj se duhet shtuar në të ardhmen është të kemi përfshirje më të madhe të publikut e cila mund të bëhet fillimisht duke prekur fusha të cilat i interesojnë publikut të gjerë, pa bërë institucionalizim të artit: e dyta, përfshirje sa më të madhe të artistëve vendor dhe ndërkombëtarë, por këtu mendoj se artisti është artist dhe qytetar i botës dhe nuk duhet ndarë në lokal dhe ndërkombëtar. Arti mund të klasifikohet vetëm sipas vlerës. Dhe këtu shtoj se vlera artistike dhe ekselenca në art do të jetë i vetmi kriter i pandryshueshëm sa i përket programit të GKK koncepti dhe struktura e të cilit do të jenë të definuara.
Pos ekspozitave si funksion primar, GKK do të ketë baza të duhura metodologjike dhe teorike për krijimin e një avancimi dhe zhvillimi profesional, së pari të stafit të galerisë, por edhe artistëve për punë kuratoriale, menaxhuese, dizajnim, punë teknike rreth ekspozitave, edukim artistik,teori dhe kritikë të artit si dhe restaurim.
Programi edukativ do të zhvillohet më gjerësisht, duke trajtuar jo vetëm fëmijët si pjesa më e ndjeshme dhe më pranuese për shprehitë e njohjes së artit; programi jonë edukativ do të zgjerohet edhe te pjesët tjera të shoqërisë duke u dhënë përparësi grupeve të margjinalizuara. E konsideroj mision shumë të rëndësishëm që përmes këtyre programeve GKK të bëjë ndryshime pozitive në shoqëri duke e parë artin si mekanizëm lëvizës i këtyre ndryshimeve. Poashtu, pjesë e rëndësishme e programit të punës së GKK do të jetë edhe koleksioni i cili kërkon vëmendje të veçantë, jo vetëm ekspozim por edhe vendosje meritore me ofrim të kushteve për prezervim; formim të ekspozitës permanente, teorisë dhe analizës së shkruar si dhe publikimeve që kanë të bëjnë me koleksionin.
KultPlus: Duke qenë vetë artiste keni qenë edhe afër zhvillimeve në GKK, sa jeni e kënaqur me punët që janë bërë brenda këtij institucioni?
Arta Agani: GKK- ja çuditërisht i ka rezistuar ndryshimeve të mëdha në fushat tjera të shoqërisë, duke qëndruar gjithmonë profesionale dhe duke ofruar programin në kontinuitet gjë që është shumë pozitive. Normalisht që kualiteti ndoshta ka osciluar pak a shumë gjatë kohës, por ajo varet prej shumë faktorëve që nuk janw tw natyrës as programatike e aq më pak artistike: për shembull para se të kemi idenë për të ofruar ekspozita të artistëve si: Damien Hirst, Ai Weiwei, Olafur Eliasson, Anish Kapoor e të tjerë që e udhëheqin skenën e artit bashkëkohor në botë, së pari duhet të trajtojmë gjëra triviale si ndriçimi dhe ventilimi në objektin e galerisë, sepse kërkohen kushte të caktuara sa i përket temperaturës, lagështisë, pastaj janë çështjet e sigurisë, etj. Dua të them se marrë parasysh gjithë këto pengesa, GKK ka ofruar program tejet kualitativ deri tani- ka pasur ekspozita të nivelit botëror- ndërsa unë e gjeta duke funksionuar në mënyrë perfekte, falë kolegeve këtu si dhe drejtorëve të mëhershëm.
KultPlus: Cilat janë prioritetet e juaja për ndonjë bashkëpunim më të thellë me artistë kombëtarë apo ata ndërkombëtarë?
Arta Agani: Institucion primar i artit pamor në Kosovë, GKK bart përgjegjësinë e madhe që të ndërmarrë iniciativa të cilat do të identifikohen si diplomaci kulturore e cila është tejet e rëndësishme për Kosovën në këtë moment. Kështu që bashkëpunimi ndërkombëtar do të zhvillohet në formë të shkëmbimit të ekspozitave, shkëmbimit të artistëve dhe ekspertëve dhe konferencave ndërkombëtare, punëtorive të ndryshme etj.
Në këtë proces i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me sektorin e organizatave jopublike të artit , të cilat mund të kontribuojnë shumë për GKK me përvojën e tyre . Shpresoj shumë dhe besoj se do të kemi bashkëpunim me ta.
KultPlus: Ka edhe ekspozita tradicionale që prezantohen në këtë institucion, pos këtyre, ka ndonjë iniciativë tjetër që mund të lë shenjë Arta Agani përgjatë mandatit?
Arta Agani: Ka edhe ekspozita, pa dashur të hy në detaje rreth planeve konkrete të miat, sepse mendoj që është pak herët, meqë ato plane janë në fazën e parë, si ide, mund të them se do të ketë së paku edhe një ekspozitë të natyrës garuese, kolektive por paksa më specifike për nga natyra. Arsyeja pse unë i përkrahi shumë ekspozitat garuese është se ky lloj ekspozitash zhvillon në disa nivele GKK-në, garanton më shumë publik si dhe stimulon artistët për punë dhe prezantim të punës së tyre, madje edhe i shtyn të eksperimentojnë në fusha të reja të shprehjes. Risi e imja shpresoj të jetë, gjithmonë me përkrahjen institucionale, zgjerimi fizik dhe veprues i funksionimit të GKK përtej barrierave fizike por edhe atyre kulturore dhe shoqërore.
KultPlus: Dhe për fund, sa jeni optimiste se mund të bëni më të mirën, duke pas parasysh se shumica e institucioneve të kulturës nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për realizimin e planifikimeve?
Arta Agani: Pra, me menaxhim adaptiv fillimisht, duke bërë sa më shumë që mundemi me atë që kemi, do të zhvillojmë politika që do të sigurojnë qëndrueshmëri buxhetore, duke diversifikuar fondet me burime të reja dhe donator të rinj. Fusha të reja në të cilat shpresoj se do të hyjmë sa i përket përkrahjes së projekteve të galerisë, janë institucionet dhe ministritë tjera të Qeverisë sonë, si dhe sektori privat te i cili e shoh një mundësi bashkëpunimi meqë ne Kosovë së fundmi janë zhvilluar korporata të cilat besoj se janë të hapura për ne. /KultPlus.com