BE do të fokusohet në “mbrojtje, siguri dhe rritje ekonomike”
Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, tha se Evropa do që të shkruajë një kapitull të ri, i cili do të përqendrohet në mbrojtjen e përbashkët, sigurinë dhe rritjen ekonomike.
Në fund të një mini-samiti me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Francois Hollande, Renzi tha se përmirësimi i sigurisë dhe i inteligjencës është një “prioritet absolut” për një Evropë që përballet me dhunën ekstremiste islamike.
Takimi në ishullin Ventotene të Italisë ka pasur për qëllim të shqyrtojë mënyrat se si të mbahet i bashkuar projekti evropian, pas vendimit të Britanisë për të braktisur BE-në.
Hollande tha se Evropa po përballet me rrezikun e “fragmentimit dhe ndarjes”, ndërsa Merkel kujtoi se BE-ja ka lindur nga disa prej “momenteve më të errëta” të historisë evropiane.
Hollande po ashtu theksoi nevojën për mbrojtje të përbashkët evropiane, pas një varg sulmesh vdekjeprurëse në Francë dhe qytete të tjera të Evropës.
“Evropa duhet të mbrohet nga jashtë. Për të garantuar siguri, kufijtë duhet të ruhen. Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar rojet kufitare dhe rojet bregdetare në Bashkimin Evropian”, tha Hollande.