Çipa rrëfen të pathënat e turbullirave të fundit në Himarë: ja problemet e mëdha të grekofilëve
Ylli Pata
Takimi i Presidentit Bujar Nishani me “komunitetin himariot” që drejton Nikollaq Neranxi, rihapi sërish polemikat për protestën e 14 gushtit në Himarë ku u adresuan edhe në greqisht kërkesat drejtuar qeverisë.
Gazetari Aleksandër Çipa, në një intervistë për tesheshi.com analizon jo vetem zhvillimet e fundit, por edhe debatin shekullor se ç’janë himariotët: grekë apo shqiptarë…
Le ta nisim nga zhurma e fundit në Himarë. Keni reaguar shpesh kur ka pasur ngjarje dhe lajme nga Himara.
Përse këtë herë keni heshtur pas gjithë atij vulgu ngjarjesh që patën kulmin me mitingun e 14 gushtit?
Tjetër është heshtja reale dhe tjetër ajo që vjen prej mosartikulimit publik. Unë kam pritur enkas mbylljen e zhurmës që riciklohet në gusht në Himarë. Riciklimi i kësaj zhurme fyen, por edhe tradhëton, inteligjencën e njerëzve dhe sidomos përfaqësuesve të krahinës sime. Një vend, qoftë kjo edhe një krahinë, që nuk ia del të zgjidhë për gati tri dekada, problemet e veta themelore; ose ka hequr dorë nga historia e vet ose ka degraduar. Banorët dhe komuniteti i tij, ose ka braktisur vetveten për t’u identifikuar si ankimtar i pakohë. Himara në të shkuarën nuk ka pasur kurrë një histori ankimtareje, por zotësi të cështjeve të vetëzgjidhura. Në demokraci kësi cështjesh nuk zgjidhen si në motet e zanafillave shtetformuese, por me inteligjencë dhe zgjedhje përfaqësuesish që dinë të negociojnë e dinë të lexojnë rrjedhat.
Himariotët duke bërë zhurma të porositura nuk bëjnë histori por thjesht po shkruajnë një kapitull historie si të përdorur dhe po krijojnë perceptimin e ankimtarëve bezdisës.
Kam drojë se ky rol, po shënon një kapitull të gjatë dhe jo fort nderues, për historinë vetëqeverisëse dhe kapacitetet vendimmarrëse të himariotëve.
Sandër, në mitingun e fundit, sërish pati parulla në gjuhën greke por edhe u fol greqisht. Por ajo që dua të theksoj është mëshimi i himariotit si entitet i ndarë në një farë mënyrë duke krijuar apo nxjerrë pas kësaj alibinë e një autonomie, Si e shikoni këtë qasje që bëhet prej 25 vjetësh?
Pyetja juaj shtron dy çështje. Së pari, gjuhësinë në dy versionet himariotshe, shqip dhe greqisht. Në kohën e sotme këtë aspekt nuk duhet ta trajtojmë si çështje. Kjo është një histori e hershme në Himarë, e shënuar të paktën institucionalisht, qysh në dokumentin e parë të integrimit të entitetit Himarë brenda hapësirës administrative të shtetit shqiptar. Në periudhën e luftrave ballkanike 1912-1914 u rikthyen pretendimet për të ashtuquajturat venome të krahinës së Himarës të fituara gjatë kohës otomane. Në këto kërkesa të negociuara nëpërmjet deputetit të Vlorës Spiro. G Koleka dhe tre përfaqësuesve të kryepleqësisë së Himarës, u sanksionua arsimi: gjuha shqipe do të jetë e domosdoshme. E thënë sipas dokumentit: “oblikatore”, ndërsa greqishtja të jetë e lirë kur populli të shfaqë dëshirën.
Sot, në rrjedhat e ntegrimeve euro-ballkanike shfaqja e një gjuhe apo dhe e parullave nuk vlen të merret seriozisht.Greqishtja në Himarë nuk është besdi për shqiptarët,se ka aq shqipe të kulluar aty, sa as nuk ekslipsohet, e as nuk humbet. Keqardhje ndjejmë ne bijtë e Himarës për torturën që ndjejnë fëmijët e sotëm të Himarës për të komunikuar me shqipen tonë, sa herë kthehen për dokumenta dhe shkresa administrative në atdheun e tyre Shqipëri. Ata tashmë e dinë këtë dhe unë do t’I sugjeroja Bashkisë së Himarës të kërkojë ndihmesë të posacme për një program ndihmues. Himara,sipas meje është pjesa e Shqipërisë ku nuk mjafton një gjuhë dhe kjo dëshmon valencë, jo vërfëri.
Çështja e dytë në pyetjen tuaj lidhet me identitetin. Kam përshtypjen se kemi një zhurmë që e gjeneron paqartësia rreth dy koncepteve: atij që lidhet me entitetin Himarë dhe atij që lidhet me etninë e padiskutuar prej meje dhe shumëkujt të lexuar në këto vise.
Kur ekzistonte entiteti Himarë nuk ekzistonin identitetet etnike në Mesdhe dhe në rajonin Ballkanik.
Pa frikë duhet ta themi që entitetet lokale janë më zanafillorë sesa identitetet etnike. Besoj himariotët janë vetëngatëruar që nga fundi i shekullit XVIII e këtej, me këtë të dytin, domethënë etninë. Mbajtja në fuqi e një ngatërrese të tillë nuk ndëshkon të tërën domethënë etninë, por vetë entitetin, pra bashkësinë që e kthen qëllim në vetvete këtë dhe që naivisht beson se dikush nga jashtë hapësirës kombëtare mund t’ia avokatojë.
Ka dy shekuj që himariotët, fiktivisht dhe për arsye përdorimi, po prodhojnë një histori zhurme dhe ankimtarie e cila më shumë po u lë gjurmë paqartësinë e tyre të brendshme.
Unë që po ju flas, jam bregas me at e nënë, piluriot dhe me identitet të qashtër si shqiptar.
Ka himariotë që ndjehen si të tillë dhe ka të tjerë që përkundër nesh, ndjehen grekë. Kjo ndierje e këtyre të tjerëve, nuk është e vjetër sa ekzistenca e fisit apo të parëve të tyre në Himarë.
Mirëpo tashmë ata udhëtojnë në jetën e tyre farefisnore me këtë dilemë. Në ditët e sotme, kjo pjesë pa pasur arsye të mjaftueshme sociale, duke qenë dhe në mankthin e kësaj dileme, po ngrenë stuhira në gotë si ankimtarë dhe në rolin fiktiv të protagonistëve që kërkojnë tokat e të parëve, ndonëse mund të kenë tapi dhe certifikata pronësie, ndryshe nga shumë sivëllezër të tyre himariotë që presin të mashtruar në kohën e mender tranzicionit.
Dy janë problemet themelore që ka Himara e sotme: humbjen e identitetit entitar dhe moszgjidhjen e tri aspekteve themelore sociale: pronësisë, shkollimit dhe përfaqësimit mirëadministrues.
Tek e para: përgjegjësia nuk është vetëm e atyre por e inteligjencës së shpërndarë të Bregut që nuk po merr qoftë edhe një nismë për të konstruktuar një pistë serioze trajtimi dhe zhvillimi. Një sipërmarrje e tillë dhe lëvizja nëpër të, do të edukonte dhe kultivonte si dhe do të ngjizte, në kontekstet e zhvillimeve kombëtare shqiptare, zotësinë e re mirëqeverisëse dhe mirëzhvilluese të Himarës.
Himariotët e paqartë, kanë edhe një dilemë tjetër iluzive: Greqia, sa të jetë jeta, ka për të qenë fqinje e Himarës sepse e tillë është me Shqipërinë. Ndërsa Shqipëria në konceptin institucional, është ati dhe nëna, mëma dhe Zoti institucional i Himarës.
Nëse kjo nuk i përmbush këto cilësi, faji dhe përgjegjësia është komplekse, jashtë të së cilës nuk mund të gjenden vetë himariotët.
Pra që të flasim më shkoqur ju jeni kundër tezës për ekzistencë “të minoritetit grek” në Himarë?
Pa asnjë lloj dyshimi e mohoj një pretendim të tillë. Nuk ekziston dicka e tillë në gjithëkohësi. Madje është një “vuajtje” që e kërkon me dëshirë ajo pjesë e këtij komuniteti e cila tashmë për të qenë realistë për shkak të emigracionit në kohën postkomuniste është shtuar disi numerikisht. Është një kërkesë që ka krijuar historinë e “këmbënguljes” për ta marrë fiktivisht këtë status. Për mendimin tim, marrja e shtetësisë greke nga himariotët është zgjuarsi pragmatiste, ndërsa të kërkuarit për tu identifikuar si individ të pakicës etnike greke është marrëzi. Shpjegimi logjik i së cilës nuk ka lidhje me sentencën latine “në kërkim të vetvetes”, por me perifrazimin “kur humbet vetveten”.
Ju e quani pakicë atë që e identifikon veten pakicë greke dhe ka vite që kemi një konflikt mes palësh. Sipas jush si duhet ta zgjidhim këtë përplasje një herë e mirë?
Është gjë e mirë që nuk ka përplasje brenda entitetit himariot, ndonëse brenda tij ka qëndrime diametralisht të ndryshme. Përplasjet kanë qenë e do të mbeten mes dy etnive, grekësisë dhe shqiptarësisë.
Nga fëminia ime mbaj mend një terminologji specifike për këtë diferencë. Filogrekët ose greqishtfolësit e Himarës, ne shqiptarëve të patrazuar himariotë, i cilësonim legotër.
Një shprehje lokale bregase që karakterizon fjalëthënësit greqishtfolës të komunitetit tonë.Në fakt kjo është një cështje më vete. Dhjetra e, pse jo, qindra fjalë të së folmes idiomatike të Himarës nuk shpjegone dot as me greqishten e vjetër e as me të sotmen, por ndoshta me një gjuhë tjetër, të humbur.(!)
E vërteta është se kjo diferencë nuk ka shkaktuar bjerje të cilësive identifikuese si bregas të grupeve mendim-ndryshës.
Ndërkohë, vitaliteti i identifikimit kombëtar në familjet e famshme të Bregut nuk rresht e nuk shuhet, nuk trazohet e as shbëhet. Si për shembull nuk humbet kënga për Odise Kasnecin (Nesturi) :”Haj me det Seo Kasneci/ të marrtë hakën amaneti” ( Bëhet fjalë për veprimtarin e shquar të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, nga Vunoi). Sot kjo gjë është lehtësisht e evidentueshme, aq sa po t’i heqësh historisë kulturore, politike, ekonomike shqiptare, pjesë të përfaqësimit bregas, himariot, do të thotë të shkaktosh një vakum.
Ndërsa për pretenduesit e identitetit që lidhet me fqinjët matanë detit, pra Greqinë, inventari është mjeran dhe sic na mëson historia, e shkuara nuk mund të bëhet në kohë të sotme! Por si i shkuar, mund të shfaqesh në kohë të sotme.
Po dikush foli se shqiptarët kanë vjedhur dhe polifoninë…
Për këtë besoj mjafton një citim i tim eti (Lefter Çipës), i cili njihet si ekspert dhe protagonist i kësaj fushe: “Gjurmët e vjetra nuk i lënë dot këpucët e reja”.
Edhe presidenti Nishani, në takim me “komunitetin himariot” i mëshoi idesë së respektimit të vlerave entitare.
Mos ky mëshim i veçuar kështu, krijon precedentin e një “Mitrovice” në jug tashmë…
Paralelizma të tilla janë naïve dhe, të them të drejtën, ekspozojnë papjekurinë e një pjese të opinionit tonë publik dhe fatkeqësisht edhe të një pjese të komunitetit tonë profesional, pra mediatik .
Nuk gjej asnjë element krahasues midis Mitrovicës të cilën e ndau kufiri i pas ‘99-s, dhe Himarës që nuk është ndarë kurrë nga trupi i Shqipërisë, e aq më tepër, nga ndonjë kufi tjetër.
Në ngjarjet dhe episodet që riciklohen historikisht në “gushtet” e Himarës, evidentohen britmat e të rekrutuarve filogrekë nga qarqe dhe eksponentë të Athinës si kundër dhe budallallëqet e përsëritura të qeverisësve të Shqipërisë shtetërore.
Në vitin 1924, në Himarë, ndodhi një histori gati e tillë me një kryexhandar të quajtur Aziz Çami, i cili urdhëroi xhandarët e tjerë për të ndaluar gratë e Himarës të hynin në vreshta.
Gratë dhe fëmijët u kacafytën me kosore, sëpata e sfurqe dhe nga ai episod xhandarët vranë dy gra himariote dhe gratë plagosën dy xhandarë dhe një officer.
Për të qenë korrekt, kjo është një ngjarje e ndodhur më 3 shtator 1924 dhe grekofilët e opozitarët politikë në Tiranë fajin ia hodhën Fan Nolit. Mirëpo dihet mirë sesi e shfrytëzoi këtë episod Greqia zyrtare në Lidhjen e Kombeve.
Histori të tilla të këtij mekanizmi përdorues ripërsëriten dhe sot.
Shteti shqiptar në këtë mënyrë merr kosto pa arsye prej himariotëve të porositur dhe prej papërgjegjshmërisë së qeverisësve e politikëbërësve të vet.
Së pari, mendoj se Presidenti Nishani e ka keqpërdorur shqipen në emër të respektit dhe vlerësimit zyrtar, ndoshta oportun, që ka dashur të kumtojë për Himarën. Dhe kjo bie ndesh me rolin e tij si kryetar i një shteti të unifikuar. Mirëpo, mendoj që zoti Nishani e banalizon protokollin, kur ulet në një tryezë me një organizatë rishtare që nuk ka as kapacitete përfaqësimi dhe as tagër të tillë.
Ndoshta bëhet fjalë për një organizatë që edhe procesin regjistrues mund të mos e ketë finalizuar.
Po këta bënë mitingun e 14 gushtit, ku ishte edhe Dulja, madje edhe Mediu. Sipas jush kush janë përfaqësuesit realë të komunitetit të Himarës?
Një gjë dua të them qartë dhe prerë. Trazuesit e Himarës në gusht mund të jenë të porositur dhe ankimtarë të ndryshëm, por ata ia kanë dalë për diçka në këto 25 vjet. Ia kanë dalë të zhvleftësojnë funksionimin e pluralizmit partiak e atij institucional në Himarë.
Janë pengues të procesit natyral të urbanitetit dhe urbanizimit, të zhvillimit dhe integrimit të Himarës në gjithë kuptimin e fjalës.
Shtiren dhe ulërasin se mbrojnë homogjenitetin demografik të Himarës duke u dëshmuar primitivë dhe njerëz si në zanafillë. Ndërkohë që ngjiten në tribunën e sajuar të kërkimit të pronës, vetë ata tribunarë, (folës të dy gjuhëve të pazotëruara plotësisht), të cilët i kanë marrë prej kohësh tapitë dhe certifikatat pronësore. U mbajnë fjalim atyre që realisht nuk i kanë marrë pronat ose janë në kalvarin e gjyqeve për shkak të grabitësve me hipoteka.
Ata, që u mblodhën apo u bashkuan përkohësisht, përreth një protagonisti që shet erëza dhe farëra nëpër Shqipëri, nuk mund të zgjojnë aromën e lirisë për pronën në Himarë.
Përfaqësuesit e ardhur nga Dropulli apo ata që porositen në Athinë, nuk i zgjidhin dot çështjet e Himarës. Kjo është e provuar që kur zuri vend Himara ndanë atij deti dhe nën ato male.
Himarjotët duhet të lenë rolin e ankimtait dhe të ndërtojnë mekanizmin konstruktivist me veten. Të respektojnë demokracinë institucionale e ligjore, të investohen për vetëqeverisje nga të diturit, të zotët dhe drejt-oriontuentuarit që e duan realisht Himarën dhe të ardhmen e saj.
Këto, fatkeqësisht në tri dekadat e fundit, dëshmohen të munguara dhe pengesa serioze. Për mendimin tim, në një farë mase të madhe, një pengesë tjetër ka lidhje edhe me iluzionin e shtuar himariot, ndaj avokatisë që vjen nga një shtet tjetër, apo aq më tepër nga individë të diasporës së saj greqishfolëse nëpër Amerikë. /tesheshi.com/