Albspirit

Media/News/Publishing

Firma e Esat Pashës për bashkimin e Shqipërisë me Serbinë

largea_toptani1365200851

Kushdo që është i pasionuar pas historisë, e ka të ngulitur në mendje atë fotografinë e famshme, kur Esat Pashë Toptani i dorëzon çelësat e fortesës së Shkodrës Princit trashëgimtar të Malit të Zi. Por, historiani serb, Dusan T. Batakoviç, pedagog pranë Universitetit të Beogradit dhe zv.drejtor i Institutit të Studimeve Ballkanike në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ofron shumë më shumë se kaq. Përmes burimesh të njohura dhe të panjohura deri më sot, ai ofron dinamikën e marrëdhënieve të Esat Pashë Toptanit, një prej figurave më të diskutuara të historisë shqiptare, dhe qeverisë serbe. Marrëveshjet e fshehta me Serbinë për zgjerimin e kufijve dhe bashkimin gradual me Shqipërinë, ndihma për ta sjellë në pushtet etj. Të gjitha këto vijnë përmes një libërthi të pakët në faqe, por të rëndësishëm për nga dendësia e fakteve që ofron, por edhe këndvështrimit. Titullohet “Qeveria serbe dhe Esat Pashë Toptani”, i botuar nga IDK, nën përkthimin e Maklen Mishës. Libri paraprihet nga një hyrje e shkurtër e botuesve, ku sqarohen arsyet e botimit të këtij studimi të historianit serb. Përveç faktit që bëhet fjalë për një periudhë të ngjeshur me ngjarje të mëdha, parë me syrin e një historiani serb, “s’ka dyshim se arsyeja kryesore që na bëri të vendosim të sillnim në shqip këtë libërth lidhet me informacionin aq të pasur që na sjell një prej figurave, pa dyshim qendrore të historisë së asaj periudhe, por njëkohësisht dhe ndër më famëkeqet e historisë së re të Shqipërisë: atë të Esat Pashë Toptanit, që siç duket historia në përgjithësi e ka damkosur si tradhtar, megjithatë, kohët e fundit, ka pasur një seri përpjekjesh, që drejtpërsëdrejti apo indirekt kërkojnë ta rehabilitojnë”. Më tej, vlerësohet studimi i Batakoviç për burimet e shumta që ka përdorur, të cilat mund t’i vijnë në ndihmë çdo studiuesi që do të merret me këtë çështje.

Ky është varri i Esat Pashë Toptanit, një prej figurave më të diskutuara
të historisë shqiptare. Njeriu që luftoi të bëhej mbret i shqiptarëve,
në fund përfundoi i varrosur mes ushtarëve serbë, në varrezat serbe të Parisit.

Esat Pasha gjykonte se mbështetja tek Austro-Hungaria, në një kohë kur Italia dhe Greqia po shfaqnin hapur pretendimet e tyre mbi territorin e shtetit shqiptar, do të rezultonte fatale për mbijetesën e vendit të tij. Duke bashkëpunuar me aktorin qendror të aleancës ballkanike, Serbinë, dhe përmes saj edhe me Malin e Zi, ai po përpiqej të hidhte themelet e një shteti të qëndrueshëm shqiptar me një shumicë myslimane, në të cilin ai do të mbështetej te bejlerët e mëdhenj të pjesës veriore dhe qendrore të vendit. Esat Pashën e dallonte ai tipar karakteristik i myslimanëve për të mos i zënë besë bashkatdhetarëve të tyre të një feje tjetër. Qëndrimi i fiseve shqiptare katolike të Veriut, të cilat aspironin të ndaheshin nga Shqipëria, dhe orientimi pro-helen i popullsisë shqiptare ortodokse në Epirin Verior, ishin arsyet që e shtynë të pranonte rregullimin e kufirit në përfitim të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë: ai besonte se një Shqipëri më e vogël se ajo e përcaktuar në 1913-n, duke qenë homogjene në fe, do të ishte një shtet shumë më i qëndrueshëm. Zhvillimi i rrethanave ndërkombëtare shtynë për një bashkëpunim më të afërt me Serbinë: territoret shqiptare ishin një objekt aspiratash dhe me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, edhe objekt kompensimi në kabinetet e fuqive të mëdha europiane.

Që në fillim të majit 1913, Esat Pasha informoi Mbretin malazez për qëllimin e tij për t’u vetëshpallur Mbret i Shqipërisë, dhe për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me aleancën ballkanike. Ai tha se shqiptarët ua detyronin lirinë popujve të Ballkanit, dhe se ai do të vendoste me ta kufijtë e Shqipërisë, pa ndërmjetësimin e fuqive të tjera. Esad Pasha i tha diplomatit serb Zivojin Balugdzic, në një mbledhje në Durrës, se dëshironte një marrëveshje me Serbinë. Fillimisht hezituese, qeveria serbe pranoi, duke vlerësuar se Pashai kishte treguar qëndrimin e tij se ai vërtet dëshironte një marrëveshje me Serbinë, të cilën ai e njihte, duke cituar Balugdzic, si bërthamën për të bashkuar forcat ballkanike.

Ishte vendimtare për qeverinë serbe, që pak para sulmit bullgar, të neutralizonte përgatitjet në Shqipëri për sulme në territorin serb – veçanërisht në Kosovë, Metohi dhe Maqedoninë Perëndimore. Rreth 20 000 burra ishin gati për luftë në territorin shqiptar, shumica refugjatë nga Serbia e Vjetër dhe Maqedonia, udhëheqësit e të cilëve, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini (Isa Boljetinac), ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të Ismail Qemalit, po bënin përpjekje të luftonin ndikimin e Esat Pashës, duke bërë çmos të nxisnin një sulm kundër Serbisë, si dhe kryengritjen e shqiptarëve që jetonin brenda territorit të Serbisë…
Aleanca mes qeverisë serbe dhe Esat Pashës nuk u zyrtarizua me ndonjë traktat të veçantë: megjithatë, Pasiç dha urdhër që pasuesit e tij të ndihmoheshin me para dhe armatime. Për Kryeministrin serb, Esat Pasha shërbente si kundërpeshë ndaj qarqeve të grumbulluara përreth Ismail Qemalit, të cilat kërkonin Shqipërinë e Madhe. Princi i ri i Shqipërisë, Wilhelm von Wiedi, mbështeti aspiratat revanshiste të prijësve shqiptarë nga Kosova dhe Metohija. Si njeriu më me ndikim në qeverinë e tij, Esat Pasha mbante dy portofole të rëndësishme: atë të Mbrojtjes, si dhe Ministrinë e Brendshme. Kur çështja e pazgjidhur agrare, nën nxitjen e xhonturqve, u shndërrua në një kryengritje masive filoturke kundër Princit të krishterë, Esat Pasha mbështeti kryengritësit dhe gjatë një përplasjeje me Princin, kërkoi mbështetjen e misionit italian. Pas arrestimit të tij në Durrës, në fund të majit 1914, Esat Pasha u largua për në Brindizi nën mbrojtjen e legatës italiane në Durrës. Me largimin e tij, kemi një shtim si të numrit, ashtu edhe të intensitetit të sulmeve në kufi me Serbinë…

Ndërkohë, Esat Pasha u përpoq të mbante një pozicion të pavarur, duke kaluar nga Italia në Francë. Ai planifikonte që me ndihmën e Antantës, t’i kundërvihej përpjekjeve të Austro-Hungarisë për të shtënë krejt vendin nën kontroll. Që nga Parisi ai shqyrtoi kushtet që i parashtroi qeveria serbe për të ndihmuar kthimin e tij në Shqipëri. Në fakt, në vitin 1914, Pasiçi i imponoi atij kushtet e mëposhtme: nënshkrimin e një traktati politik me Serbinë për një mbrojtje të përbashkët, pranimin nga ana e Shqipërisë të bashkimit doganor me Serbinë në një kuvend të prijësve, si dhe që në një fazë të mëvonshme, zgjidhja të shihej te një bashkim vullnetar e i mirëfilltë i Shqipërisë me Serbinë. Me anë të një telegrami, Esat Pasha konfirmoi se në parim i pranonte kushtet e Pasiçit dhe ndërkohë u nis menjëherë për në Serbi…
***

Ky është varri i Esat Pashë Toptanit, një prej figurave më të diskutuara të historisë shqiptare. Njeriu që luftoi të bëhej mbret i shqiptarëve, në fund përfundoi i varrosur mes ushtarëve serbë, në varrezat serbe të Parisit.
Fillimisht, Esat Pasha mori leje në Athinë, nga diplomacia greke, për të punuar në marrëveshje me qeverinë greke, për të punuar në marrëveshje me qeverinë serbe. Në të njëjtën kohë, ai siguroi mbështetjen e Italisë, e cila shpresonte që pas instalimit të një regjimi të tij në Shqipëri, t’i hapej rruga mundësisë së një pushtimi të përhershëm të Vlorës nga ana e saj. Qeveria e Romës shihte tek Esat Pasha figurën më të përshtatshme për të luftuar ndikimin në rritje të Austro-Hungarisë dhe Turqisë në Shqipëri.

Esat Pasha nuk hoqi dorë nga pretendimi i tij për fronin shqiptar. Ai e paralajmëroi konsullin serb në Selanik se për Shqipërinë do të ishte e rrezikshme nëse Princi i saj do të vinte nga familja e sulltanit, sepse ndikimi negativ i Stambollit veçse do të nxiste fillimin e armiqësive të reja me Serbinë dhe shtetet e tjera ballkanike. Në këtë mënyrë, ai e paraqiste veten si figurën më të përshtatshme për të sunduar në Shqipëri. Në fakt, Esat Pasha i kishte dërguar Pasiçit një sërë mesazhesh, në të cilat vinte në dukje nevojën për të pasur një traktat special, përpara nisjes së tij për në Shqipëri. Kësisoj, me të mbërritur në Nish, Esat Pasha firmosi një traktat sekret aleance me Pasiçin, më 17 shtator. Në të 15 pikat e tij parashikohej ngritja e institucioneve të përbashkëta politike dhe ushtarake, por dispozitat më të rëndësishme përqendroheshin tek aleanca ushtarake, ndërtimi i një hekurudhe me dalje në Adriatik, në Durrës, si dhe jepeshin garanci se Serbia do të mbështeste zgjedhjen e Esat Pashës si sundimtar i Shqipërisë. Traktati e linte të hapur mundësinë që Serbia, me ftesë të Esat Pashës, të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur regjimin e tij. Demarkacioni i kufijve mes dy vendeve do të kryhej nga një komision i veçantë serbo-shqiptar. Esat Pasha do ta konfirmonte traktatin pas zgjedhjes si sundimtar, me miratimin e Asamblesë Kombëtare: kjo linte hapësirë manovrimi për një rishikim të mundshëm të dispozitave të veçanta. Serbia, nga ana tjetër, qe e detyruar të financonte Xhandarmërinë e Pashait, si dhe ta furnizonte me pajisjet e nevojshme ushtarake, duke i paguar 50 mijë dinarë në muaj.
***
Në fund të majit 1915, përfaqësuesi diplomatik i Serbisë në Durrës informonte se pozita e Esat Pashës ishte kritike: ndërkohë ishin kryer dy sulme të tjera në territorin serb. Pavarësisht paralajmërimeve të aleatëve, Pasiçi vendosi në favor të ndërhyrjes ushtarake. Mbi 20 mijë ushtarë serbë, të armatosur me artileri, marshuan drejt Shqipërisë nga tri drejtime në fillim të qershorit, duke marrë Elbasanin dhe Tiranën-qendrat e kryengritjes-shtypën lëvizjen xhonturke, çliruan Esat Pashën e rrethuar në Durrës, duke i dorëzuar atij udhëheqësit e kapur të kryengritësve…

Ministri i Brendshëm serb, Ljubomir Jovanoviç, mbërriti në Tiranë dhe më 28 qershor 1915, në Ditën e Shën Vitusit, firmosi me Esat Pashën një traktat për një bashkim real mes Serbisë dhe Shqipërisë. Esat Pasha mori përsipër të korrigjonte kufijtë në favor të Serbisë në brezin mes Pogradecit dhe Hasit. Në këtë mënyrë, Serbia do të merrte qytetet e Pogradecit, Gollobordën, Dibrën e Madhe, Lumën dhe Hasin deri në Spaç, derisa fuqitë ndërkombëtare të kishin përcaktuar kufijtë e rinj. Institucionet e përbashkëta përfshinin ushtrinë, administratën doganore, bankën kombëtare dhe misionet në vendet e tjera…

Please follow and like us: