Albspirit

Media/News/Publishing

Himara, tutulanizmi ose etiketimet se po i shërben agjenturës serbe a greke!

Nga Gavrosh Levonja

Këto ditë, në gazetën “Panorama” kam ndjekur odisenë e arratisjes se gushtit të vitit 1971 të 36 himariotëve me një anije peshkimi. Ajo që më bëri përshtypje ishte raporti I MPB pas arratisjes. Nuk përmendeshin kërkund shkaqet e vërteta që e cuan familjen Malo dhe farefisin t’i hynin kësaj aventure që mund të ofronte shumë të papritura të hidhura. Nuk flitej fare për gjendjen e mjeruar ekonomike. Duke qenë se kisha filluar të shkoja në Himarë në fund të viteve 70-të pata mundësinë të njihesha me realitetin himariot. Në treg mungonte pothuajse gjithcka.

Fakt është se kur niseshim nga Tirana, merrnim me vete bikerinat me veze, gjalpë, mish e artikuj të tjerë që s’po më kujtohen për momentin. Atje mësova dhe gjithë hollësitë e arratisjes së famshme të familjes Malo, e cila kishte shtëpinë më të mirë në Spile dhe djemtë e saj kishin detyra të rëndësishme, me të cilat mund të ngarkoheshin vetëm njerëz tepër të besushëm, “besnikë të partisë”, të cilët kishin dhënë prova që do të thotë kishin kaluar nëpër filtra të imtë. Mjaftonte vetëm kjo që shteti komunist I asaj kohe “t’I vinte gishtin kokës” duke arsyetuar se në një kohë kur ikën një familje me shtatë antarë partie c’mund të thuhej për shumicën e popullsisë?

Por, në raport edhe arratisja e kësaj familje të lidhur me partinë në një farë mënyre paraqitej si pasojë e veprimtarisë së “armikut të klasës”. Konkretisht në raportin në fjalë bëhej e ditur se antarë të ndryshëm nga familja Malo kishin shtuar kontaktet me njerëz të deklasuar, me persona që kishin probleme me regjimin, me ish-kulakë e ish-të burgosur etj. Dhe tabloja do të ishte e pakompletuar pa rolin e armikut të jashtëm. Konkretisht, për Vasil Malon hidhet hipoteza se kur shkonte të shiste peshkun e zënë në ndonjë port të huaj si p. sh. në Bari gjatë kontakteve që kishte qe rekrutuar nga sherbimet sekrete të huaja, konkretisht nga ato të NATO-s.

Një version I tillë nuk kishte si të mos më sillte ndërmend një nga episodet e shumtë me Dh. Tutulanin Diku nga viti 1969 I prezantoj Land Topallin me emrin Dhimitër Strati, spiun hungarez. Vetëm kaq mjaftoi për Dhimitrin. Të nesërmen më sjell relacionin për ta dërguar në MPB. Në raport tekstualisht shkruhej: “Dhimitër Strati, me ndërhyrjen e Liri Belishovës u dërgua për studime në R. P. të Hungarisë. Në kohën e prishjes së marrëdhënieve ndërsa studentët e tjerë u kthyen, Dhimitër Strati vazhdoi të qëndronte në Hungari.

Atje ai u rekrutua nga shërbimi sekret I Traktatit të Varshavës dhe pas një periudhe përpunimi, bëri një kurs spiunazhi nën drejtimin e instruktorëve sovjetikë. Vetëm pas përfundimit të kursit ai u kthye në Shqipëri me detyra të caktuara” Njësoj, Isa Taren e klasifikonte si agjent të Arabisë Saudite në shërbim të Inteligence Service, apo një shokun tonë basketbollist nga Durrësi, Ilia Xhakon agjenti italian Ilia Xhaketini…

Puna është se tutulanizmi vazhdon edhe pas vitit 1990. Mjafton të shfaqësh një mendim, të bësh publik një opinion I cili nuk është në linjë me qëndrimin zyrtar apo del jashtë caqeve tradicionale dhe menjëherë etiketohesh se po I shërben agjenturës serbe a greke, se po con ujë në mullirin e armiqve shekullorë… Kjo tregon se shqiptarët I kanë në gjak teoritë konspirative.

Janë në gjendje të sajojnë turli gjërash ndërsa rreken të argumentojnë qenien e X-it a Y-it në shërbim të këtij apo atij zbulimi të huaj. Dikur të pozicionoheshe kundër pushtetit të Berishës shpejt të vihej etiketa e spiunit serb ndërkohë që më pas vetë Berisha është akuzuar si “dhëndri I Serbisë” nga kundërshtarët e tij se ka furnizuar me naftë Serbinë.

Në fillim të viteve 90-të opozitarët akuzoheshin si të shitur tek Greqia në kohën që mjetet e para me të cilat u pajisën zyrat be PD-së u dhuruan nga Greqia dhe drejtues të rëndësishëm të PD duke filluar nga Azem Hajdari (përjashto Berishën), e kishin bërë Greqinë si vend pelegrinazhi.

Por, në periudhën e kaosit tragjik të vitit 1997 nga foltorja e parlamentit shqiptar nuk munguan dhe akuzat kundër CIA-s dhe SHBA si të Implikuar në ato ngjarje. Madje doli në qarkullim dhe një libër me titull “Realitete shqiptaro-amerikane” me të cilin rrekej të mbrohej Berisha duke e paraqitur si viktimë e politikës amerikane.

Kjo ishte dhe arsyeja që libri në fjalë ironikisht u quajt nga opinioni si “Rreziku anglo-amerikan Nr. 2”. Reminishenca të këtij mentaliteti nuk mungojnë të nzjerrin krye dhe në akuzat e kundërakuzat për “sabotimin” e reformës në drejtësi.

Please follow and like us: