Klodiana Shala: Nuk e kanë fajin sportistët, por në qeveri kemi një shef që bën humor
Për të gjithë ata që e morën me sportivitet sportin dhe sportistët e Rio 2016. Tani që pushimet mbaruan për delegacionin shqiptar duhen thënë dy fjalë;
Boll me togfjalëshin “zhgënjyen sportistët”, nuk e ka fajin djersa e Luizës tek parku i liqenit, as Sindi notari që stërvitet në Amerikë dhe desh humbi garën sepse papërgjegjshmëria e zyrtarëve të Komitetit Olimpik arrin deri në pikën që harron të bejë regjistrimin.
Nuk e ka fajin Brikeni që prej vitesh nuk do t’ia dijë askush ku stërvitet, çfarë diete ka etj…në Rio ishim pak e vërtetë, por edhe ato pak janë falë iniciativave personale apo mbështetjes familjare të sportistëve. Mos u kapni me djersën dhe pasionin e këtyre sportistëve që gjithsesi bënë maksimumin e asaj çfarë varet nga ato, por merruni me politikën ndaj sportit, me ata që e ngatërruan Rio-n me karnavalet.
E keqja më e madhe është se delegacioni shqiptar ishte qesharak. Keni përbuzjen time dhe të çdo ish-sportisti e shqiptari që i pa me vëmendje Lojërat Olimpike. Delegacion që zihej kush të dilte në televizor dhe vetëm të dukej për show. A mjaftojnë dorëheqjet? Jo, duhet shumë më shumë. Kryeministrit Edi Rama si titullari vendimmarrës mbi Komitetin Olimpik i bie përgjegjësia kryesore për këtë prezantim të turpshëm të Shqipërisë në Rio….por ndoshta për të gjithçka është në rregull, tek e fundit ky prezantim ishte i denjë për nivelin e “rilindjes”.
Mjaft më me fjalë e patetizma. A e dini se cdo të thotë për një sportist që punon 4 vjet për 4 minuta. Është një punë e paimagjinueshme që kërkon shumë mund.
Mirënjohje për atletikë. Luiza Gega dhe Izmir Smalaj, peshëngritje: Evangjeli Veli dhe Briken Calja, not: Nikol Merizaj dhe Sindi Hoxha. Nuk është përgjegjësi e as faji juaj që dolët pa një kostum dhe u trajtuat pa dinjitet. Në qeveri kemi një shef që mbas humorit, talljeve publike dhe demagogjisë, edhe sportin duhej ta kishte pak hobi meqënëse e ka përjetuar nga afër. Edhe pse 3 vitet e fundit dy kokat e koalicionit vijnë nga përvoja sportive është për të vënë kujën sesi Shqipëria përfundon në këto nivele skandaloze prezantimi. Reflektim.