Mesila Doda: Na kurseni tmerret
Ligjvënësja ka reaguar pas lajmeve të tmerrshme të kronikës të këtyre ditëve ku flitet për vrasje dhe përdhunime të miturish. Ajo kujton etikën që mungon krejt në mediat shqiptare për ca klikime më shumë.
Ja mesazhi i saj në rrjetin social, facebook:
Pash Zotin, na i kurseni tmerret…
Të lexosh mediat tona të zë krupa… Hollësi makabre si masakrohet një fëmi nga një i çmendur, hollësi kriminale si e përdhunon babai të bijën…
Ky makabritet në pasqyrim nuk ka asnjë lidhje me lajmin, kjo është ftesë për serial killerat e përdhunuesit, ftesë për tragjedinë e rradhës. Një kulturë tjetër në media është e domosdoshme. Viktimat janë njerëz, ndaj të dashur reporterë, gazetarë e redaktorë, mendojeni dy herë, tre, mendojeni sikur të ishin të dashurit tuaj dhe kursejini, mbrojini, se nuk kanë zë, por kanë dhimbje që kanë lënë pas. Kursejini hollësitë makabër.