Albspirit

Media/News/Publishing

Nacionalizmi si fe e vonuar

ilir-yzeiri-foto
Ilir Yzeiri

Po të shohësh atë që shkruhet nëpër rrjetet sociale dhe po të vëresh disa nga komentet kryesore që u shkruan këto kohë për kinse rivalitetin Shqipëri-Kosovë në fushë të futbollit, fillimisht, e më pas edhe si sfidë kulturore, do të kuptosh menjëherë se identiteti ynë kombëtar nuk është edhe sot e gjithë ditën përfundimisht i përkufizuar e i kuptuar. Dilema bëhet me e thellë nëse dikush nis e futet në labirintet e arsyetimeve nacionalromantike, sepse që aty është vështirë të dalësh i pandotur me lloj-lloj patetizmash e retorikash. Po çfarë po ndodh realisht? Në Kosovë ka një debat të ashpër mes opozitës dhe qeverisë për çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe për çështjen e Asosacionit të Komunave me pjesëtarë serbë. Ndërkaq, debati i fundit u nxit prej një ngjarjeje që në vend të prodhonte optimizëm, solli dëshpërim. E kam fjalën për njohjen e Kosovës nga autoritetet më të larta botërore të sportit, prej UEFË-s e FIFA-s. Kjo e dyta ishte treguesi më i spikatur se pavarësia e Kosovës nuk ka kthim prapa dhe se Kosova si shtet i mëvetësishëm po bëhet një fakt i kryer. Ndërsa kjo befasi e bukur përjetohet keq nga fqinjët serbë, ajo, në të njëjtën kohë nuk i gëzon as shqiptarët. Dhe shkak për këtë duket se janë bërë shenjat e shtetit të ri të Kosovës, flamuri dhe hymni. Nuk dua të përmend fushatën banale kundër Majlinda Kelmendit, por do të doja të shtyhesha më tej. Si do të sillen shqiptarët e Kosovës me shtetin e tyre? A do ta njohin atë? Le të shtyhemi pak më thellë në kohë. Qysh se Kosova u nda në mënyrë të dhunshme dhe të përgjakshme nga trupi i Shqipërisë, ajo nisi të strukturohet si një entitet më vete brenda suazës etnike shqiptare. Kosova e ndaloi kohën qysh atëhere kur ajo iu bashkëngjit me dhunë Serbisë dhe si asnjë popull tjetër nuk pranoi të përthithej e të integrohej me komunitetin serb. Në vetëdijen e saj kolektive u ngulit vazhdimisht figura e serbit si pushtues. Për hir të së vërtetës edhe regjimet serbe u sollën me Kosovën si regjime pushtuese. Ndërkaq, popullsia shqiptare brenda kufijve të Shqipërisë kalonte sa nga një pushtues i brendshëm në tjetrin. Shteti autoritar i Zogut dhe diktatura e Enver Hoxhës krijuan një shqiptar të ndryshëm nga ai i Kosovës. Asnjë prej regjimeve të Tiranës nuk përpunoi një platformë të thellë nacionale në mënyrë që të përgatitej për kohën kur Kosova do të çlirohej prej pushtimit serb. Mirëpo tani ne jemi përballë faktit të kryer dhe shteti i ri i Kosovës është realitet. Është e natyrshme që në këtë klimë të krijuar të gjithë të bëhen nacionalistë dhe të mbërthehen pas shenjave nacionale e folklorike. Mirëpo ne gjendemi përballë një fakti që duhetë të na bëjë të ndjehemi krenarë dhe të motivuar për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë funksionale si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ndërkaq në mënyrë paradoksale ne po biem në sindromën e fqinjve tanë të cilët shtetin e Kosovës nuk e kapërdijnë dot. Ndërkaq, tani që shteti i ri i Kosovës do të duhet të paraqitet në veprimtaritë ndërkombëtare ku identifikimi bëhet edhe përmes flamurit dhe himnit kombëtar, kjo ngjarje i ka trubulluar jo pak ndjenjat e reja dhe të vjetra të debatit mbi identitetin tonë. Ne harrojmë se ajo që kemi ëndërruar me kohë, pra pavarësia e Kosovës do të sillte doemos një shtet tjetër dhe Kosova sot është një shtet me shumicë shqiptare që respekton dhe garanton me ligj edhe të drejtat e minoriteteve. Të mos harrojmë se megjithë kritikat, kundërshtitë dhe luftën e ashpër politike që zhvillohet atje, megjithë korrupsionin e madh dhe krimin e organizuar, Kosova përsëri ka demonstruar vitalitet demokratik . Të mos harrojmë se pothuajse të gjitha vendet që kanë fituar lirinë përmes “eksportimit të demokracisë”, sot janë zhytur në kaos. Kosova, jo vetëm që e ka shmangur këtë rrezik, por ka shënuar edhe progres. Ndërkaq, ne shqiptarët kudo që jemi, duhet të bindemi se koha e Europës pa kufij duhet të na gjejë të përgatitur në mënyrë që vitalitetin demokratik dhe lirinë e fituar ta kthejmë në sukses dhe në paqe. Mirëpo mesa duket ende nuk jemi përgatitur si duhet për këtë realitet. Mjaftoi një vendim i UEFA-dhe FIFA-s që Kosoava të përfaqësohet me ekipet e saj kombëtare që të rilindë edhe njëherë debati për identitetin. Një vendim që duhet të kishte sjellë festë dhe entuziazëm ndër shqiptarët e të dy shteteve, prodhoi polemika dhe një farë nervozizmi të panevojshëm. Në fakt duhet të kishte ndodhur dhe duhet të ndodhë e kundërta. Ne kemi rastin e artë që të paraqitemi në veprimtaritë ndërkombëtare të sportit me dy ekipe shqiptare, madje edhe me tre dhe këtu kam parasysh Zvicrën. Në këtë rast të dyja Federatat tona mund të krijojnë zyra të përbashkëta dhe të ndërtojnë ekipet kombëtare me mirëkuptim duke i ndarë në mënyrë të barabartë yjet e sportit dhe mund të ndodhë që jo vetëm sportistët e Kosovës të luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë, por edhe anasjelltas. Këto veprimtari duhen konceptuar si momente festash të mëdha dhe çaste të një afrimi të përbashkët dhe jo të përfundojmë me imponime apo fyerje prej xhelozësh inferioirë. Ne kemi rastin e artë që të futemi në familjen e madhe europiane përmes veprimtarive të mëdha sportive dhe përmes artit në mënyrë që identiteti ynë të ridimensionohet. Për fat të keq, identiteti ynë nuk dëmtohet nëse Majlinda Kelmendi nuk këndon hymnin shqiptar dhe nuk ngre flamurin kuqezi, nuk dëmtohet edhe nëse sportistë të Kombëtares shqiptare me origjinë nga Kosova vendosin të luajnë për Kosovën. Ideniteti ynë dëmtohet dhe po dëmtohet seriozisht nga vërshimi i myslimanizmit të pakontrolluar dhe i neotomanizmit turk. Ne vijojmë të identifikohemi si një vend mysliman dhe askush nuk bën përpjekje të tregojë se si ka mundësi që vendi që u bë digë për mbrojtjen e Europës prej invazionit otoman duke mposhtur një prej sulltanëve më të tmerrshëm, Mehmetin I dhe II, sot identifiokhet me një vend mysliman. Si ka mundësi që Serbia apo Greqia që bënë aleancë me Portën e Lartë sot ruajnë në memorien kolektive identitetin e tyre antiotoman dhe ne që kemi shënuar një nga faqet më të ndritshme të historisë së Mesjetës dhe kemi nxjerrë kryetrimin e Mesjetës, Gjergj Kastriotin, identifikohemi me një vend mysliman. Nëse ka një sfidë që duhet ta përballojmë është pikërisht kjo – t’i tregojmë Europës dhe gjithë botës të vërtetën e identitetit tonë europian. Sot i kemi të gjitha mundësitë sepse kemi dy shtete.

Please follow and like us: