Në gjurmët e “Eremitëve”…
Një shteg i mbushur me guva dhe gojëdhëna, që kalon mes lagjes “Mangalem” dhe ngjitet deri te Kisha e Shën Mëhillit në krye të qytetit muzeal të Beratit ka bashkuar një grup qytetarësh në qëllimin e përbashkët të hapjes së një rruge të re mbi gjurmën e kalldrëmit të vjetër të njohur si “shtegu i Eremitëve”.
Në të hyrë të lagjes muzeale, pak metra larg urës elegante të Goricës, një kamion bën prej javësh disa ecejakë në ditë, pasi mbushet me dhera dhe gurë. Mbi shteg gërmojnë punëtorë dhe vullnetarë, që pas javësh pune të lodhshme kanë nxjerrë në sipërfaqe gjurmë të kalldrëmit të hershëm, që dëshmon lidhjen e lagjeve të rëndësishme “Kala” dhe “Mangalem”.
Punimet e financuara nga sipërmarrës beratas të lidhur ngushtë me qytetin nisën në mes të muajit qershor dhe po vijojnë ende, duke e zgjatur gjithnjë e më shumë zonën e pastruar brenda shtegut.
Në një terren të thepisur, që sa më shumë ecën përpara aq më shumë të tundon për ta zbuluar, ky shteg po projektohet të kthehet në një rrugë, e cila duke gjarpëruar nëpër lagje do të çojë qytetarët dhe vizitorët tek Kisha e “Shën Mëhillit”- e cila ngjason me një kurorë mbi lagjen muze dhe ca më tej nëpërmjet galerisë së vjetër të ujit, në lagjen “Kala”.
Thoma Jançe, një qytetar i angazhuar i Beratit ka rritur prej vitesh dëshirën për të realizuar lidhjen e qytetit me shtegun e vjetër, kishën dhe kalanë. Por vitin e fundit ai e ka ndarë këtë dëshirë me qytetarë të tjerë të Beratit dhe pasi ka marrë mbështetjen e tyre, dëshira po kthehet dalëngadalë në realitet.
Qytetarë dhe sipërmarrës të qytetit kanë dhënë kontributin e tyre që shtegu të pastrohet dhe të jetë i kalueshëm. Ndërkohë, një projekt më ambicioz është në fazat e para të hartimit, që synon ta kthejë këtë shteg në një “Belle Vedere” të munguar në qytet.
I entuziazmuar për projektin, Jançe e quan punën e deritanishme “një mrekulli”.
“Tani po del në pah shtegu i vjetër i Eremitëve, që lidh kishën e Shën Marisë me kishën e Shën Mëhillit. Kjo rrugë do të bëjë të mundur gjithashtu që shpellat të jenë të vizitueshme,” thotë Jançe për BIRN.
Grupi nismëtar shpreson që në shtator të këtë një projekt të plotë, i cili po përgatitet me specialistë të fushës falë kontributit që kanë dhënë banorët e Beratit. Në projektin që po realizohet, rruga parashikohet të jetë me shesh-pushime panoramike, me parmakë të hijshëm mbrojtës, me ndriçim të përshtatshëm, me sinjalizime shpjeguese dhe informacione të detajuara historike, të alternuara me shërbime të ndryshme turistike e shplodhëse.
Ajo fillon nga rruga kryesore tek bishti i Urës së Goricës, pikërisht në vendin ku ndodhej Katedralja e vjetër “Shën Maria e Ujërave” në lagjen “Mangalem”.
Ndërsa puna po vijon me pastrimin e shtegut, diskutimet e këtij projekti kanë mbërritur në Agjensinë Kombëtare të Turizmit.
“Pasi nisëm punën për hapjen e shtegut, kemi njoftuar Agjencinë Kombëtare të Turizimit dhe menjëherë na erdhi përgjigja se do të ulemi në një tavolinë diskutimi,” pohon koordinatori i projektit.
Joan Qako, drejtues i këtij grupi thotë se përkujdesi ndaj mjedisit dhe mirëmbajtja e monumenteve historike është një nga qëllimet që ky grup i ka vënë vetes.Mbështetës të këtij projekti janë bërë dhe Grupi Rinor i Kishës Orthodokse të Beratit. Një grup djemsh dhe vajza të këtij grupi rinor janë përfshirë në punën për hapjen e rrugës.
“Sapo u hedh ideja e hapjes së “Shtegut të Eremitëve”, ne ishim nga të parët që iu bashkuam vullnetarizmit sepse i përshtatet qëllimeve tona si grup, por është një punë që do të bëjë më të vizitueshëm një nga objektet tona kishtare më të rëndësishme në qytet,” thotë Qako.
Kisha e Shën Mëhillit është klasifikuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat si një nga objektet më me vlerë të qytetit. E ndërtuar mbi një shkëmb të thepisur, në anën jugore të Kalasë, kisha e Shën Mëhillit daton në shekullin XIV.
Në dallim nga kishat e tjera të Beratit, këtu vërehen përpjestime më të zhvilluara, një nivel më të lartë arkitektonik dhe një prirje për përsosje të formave.
Hapja e rrugës drejt kishës së Shën Mëhillit synon t’u ofrojë turistëve “një ballon” mbi qytet, që ofron pamje të mrekullueshme të malit të Tomorrit, luginës gjarpëruese të lumit Osum, lagjen muzeale “Goricë” dhe urën e saj.
Parashqevi Sahatçi, një banore e njohur e qytetit dhe koleksioniste e fotografisë e ka pritur me shumë dëshirë hapjen e shtegut të Eremitëve. E moshuara, e dashuruar pas çdo vlere të Beratit kujton se dikur rruga nga Ura e Goricës deri tek kafja më e vjetër e qytetit ‘Kafe- Dardha” quhej “Rruga e Manastirit” dhe i referohej gojëdhënave për 18 shpella të banuara nga eremitët- njerëzit që i përkushtoheshin Zotit.
“Ne jemi rritur me këto histori që na i tregonin prindërit tanë dhe shtegun e lagjes “Mangalem” e lidhim me historinë e eremitëve mesjetarë, të cilët thuhet se jetonin në ato shpella duke bërë një jetë asketi në përulësi ndaj Zotit,” kujton Sahatçi për BIRN.
“Ndër vite, rruga që lidhte qytetin me kishën dhe shpellat humbi dhe tashmë rihapja e saj nuk është vetëm një mundësi mjaft e mirë për promovimin e kësaj zone, por dhe ngarkon me përgjegjësi studiuesit e fushës që të hedhin dritë në lidhje me gjurmët arkeologjike,” shton ajo
Njësoj si Parashqevi Sahatçi, edhe Ajet Nallbani është i entuziazmuar nga nisma e ndërmarrë nga bashkëqytetarët e tij. Një emër i njohur në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore në qytet, Nallbani mendon se hapja e shtegut do të nxjerrë në pah vlera të reja të qytetit.
“Sipas shpjegimeve të Evlia Çelebiut, udhëtar dhe kronist osman (1611 – rreth 1684), kjo zonë ka pasur shumë vende shlodhjeje dhe dëfrimi, ndër guva edhe shkëmbinj, pasi kishte panorama të mira. Rruga në shpjegimet e Çelebiut ishte e mirë deri te kisha, njëra fillonte afër kishës së vjetër të “Shën Marisë” tek tunelet dhe tjetra niste tek vendi i quajtur “Gjogu”, shpjegon Nallbani.
Të dhënat e tjera të gojëdhënave për vjetërsinë e kishës së Shën Mëhillit, sipas tij do të duhet të verifikohen nga specialistë të fushës.
“Rihapja e kësaj rruge që ka humbur ndër vite, por që ka ekzistuar dhe këtë e dëshmon dhe udhëtuari Çelebiu në kujtimet e tij është një mundësi mjaft e mirë e studiuesve për të zbuluar më shumë rreth kësaj zone,” thotë Nallbani. Sipas Blerina Agos-eksperte në fushën e turizmit, kisha e Shën Mëhillit ka ngjallur mjaft interes për turistët, për terrenin shkëmbor dhe guvat e shumta.
“Rihapja e kësaj rruge do të shtonte mundësitë që turistët të shtonin ditët e tyre të qëndrimit në Berat. Turizimi në këtë qytet përballet sot me këtë problemin dhe destinacionet e reja do të shtonin mundësitë që çdo vizitor i huaj dhe vendas të qëndronte më gjatë”, thotë Ago për BIRN.