Albspirit

Media/News/Publishing

“NE” JEMI TURPI I VËRTETË, JO VARRIMI I JONIDËS

Unë nuk e kam njohur Jonidën, por nëse do jetonim në një lagje, fshat apo qytet do shkoja me patjetër ta përcillja për në banesën e fundit. Në djall pushimet apo vapa përvëluese e gushtit, do merrja rrugën për në shtëpinë e një familjeje, që ka një hall të madh (jeton në një vend që gjithkush merret me hallet e të gjithëve për 24 orë, për të mbuluar problemet e familjeve të veta). Them hall të madh pasi u duhet përveçse të përballojnë dhimbjen e humbjes së fëmijës në lule të rinisë,të përballen me “njollën e të fajësuarit” dhe persekutimin nga banorët e “ndershëm” të atij fshati. Nuk e di nëse janë ndjerë mirë, apo kanë fërkuar duart pas perdeve të dritareve në fillimin e kësaj javë gjatë përcjelljes për në banesën e fundit “me turp’’të Jonidës banorët e fshatit kryekuq, në Divjakë, por një gjë është e sigurtë që ata njerëz nuk e meritojnë të quhen të moralshëm. Mos vallë njerëzit e “ndershëm” e atij fshati nuk ja lejonte “morali” ti hidhnin siç e do tradita një grusht dhe Jonidës! A thua se në atë zonë nuk ka banorë që kanë bërë një mijë të zeza më shumë se Jonida e gjorë, të cilën fshati e persekutoi në demokraci “për fajin e vetëm” se bënte atë jetë që ajo dëshironte. Fjala bie po të ishte Jonida vajzë pushtetari a do derdhej e tërë Divjaka në varrim? Po, kjo është pak, por plotësisht e vërtetë. Madje të gjithë do i jepnin të drejtë veprimeve të saj, do i qanin hallin familjarëve, do mbanin veshur edhe të zeza për 40 ditë (sigurisht për servilizëm do ta bënin). Shumë bashkëfshatarë dhe banorë të zonave përreth si fundshpinë-lëpirës do shkonin tek shtëpia e ti qanin hallin për gjëmën që do i kish rënë pushtetarit të tyre. Po vartësit? Ata do qanin më shumë se ç’kishin për të qarë për të afërmit e tyre. Si mund të ndodhë ndryshe, kështu i ka edukuar shoqëria jonë “perfekte”.
Ju o të mjerë që njihnit Jonidën, por e braktisët në hapat e fundit që ajo përshkoi në atë fshat edhe na hiqeni si moralistë i keni dhënë një mesazh të qartë vajzave tuaja, duke i thënë se jeni objekte në pronësi të burrave që do iu bie fati për tu martuar. Vajzat e asaj province do tu urrejnë, pasi kush do që të martohet me to, mund t’i dhunojë, madje edhe mund ta vrasi, sepse familjet nga ajo trevë nuk e qasin një të “përdalë” që thjeshtë nuk i përputhet karakteri me burrin që i gjen plaku i fisit. Për kujtese, s’ka rëndësi je i mirë apo i keq, rëndësi ka të kesh lek apo pushtet, edhe “blen” çdo vajzë që dëshiron duke e emërtuar grua. Paradoksi i asaj province nuk mbaron këtu, absurdi shkon edhe më tej, në varrimin e vrasësit të Jonidës mediat thonë se kishte aq shumë veta, saqë dukej sikur e gjithë Lushnja ishte derdhur në Krutje për të “respektuar të pushtetshmin”, makabritet. Në intervistat e dhëna për mediet banorët e konsideronin një burrë zotëri, kë? Një vrasës. Gjithsesi sërish mund të krenohemi për atë zonë të paktën nuk e shpallën vrasësin e Jonidës qytetarë nderi, meqë ishte njeri i “mirë”!

Banorët provincial të asaj zone janë njëra anë e medaljes, vijmë tek mentaliteti i njerëzve të qytetëruar, të atyre që kanë një telefon me internet dhe facebook. Po t’i hedhësh një sy komenteve të bëra poshtë lajmeve për Joridën, sheh një përçmim për Joridën, a thua se ata që shkruajnë nuk kanë bërë asnjë veprim “jashtë moralit shoqërorë”. Në fund të fundit kush jemi Ne që të vejmë ligje të pashkruara për moralin, kush e përcakton a je i ndershëm apo jo, por morali në vetvete çfarë është? Pse kur një aktor i famshëm botëror prezanton të dashurën e Tij modele 30 vjet më të re, iu i jepni ‘like’? Apo atyre modeleve (janë në të drejtën e tyre edhe mirë bëjnë që jetojnë siç dëshirojnë) i lumtë pjeshka që arritën të peshkojnë një aktor të madh edhe me pare. Po ato gra e vajza komentuese në rrjete sociale, nuk i ka ndodhur të flirtojnë me dikë edhe pse janë të martuara, nuk i ka ndodhur që për një pagë më të mirë apo pozicion më të mirë të ‘flirtojnë’ me shefin. Ju komentuese që e quani Joridën llumi i shoqërisë, të gjitha me një mashkull e keni kaluar jetën?
Po Ju shoqata që majmeni me lek që të mbroni vajzat e gratë e dhunuara ku ishit, pse nuk shkuat për ngushëllim, apo ashtu kishit një punë. Unë e di arsyejen, po shijoni pushimet me paratë që keni fituar me projektet që gjoja sensibilizojnë shoqërinë tonë “moraliste” që të mos i dhunojmë gratë. Por nuk dua të merrem me Ju se të paktën e keni bërë një të mirë, nuk shkuat në varrimin e vrasësit të Jonidës, se helbete biznesmen i biri botës mund t’ju kish dhënë ndonjë financim.
Jonida duhet të shërbente si një frymëzim për të goditur një mentalitat përçmues ndaj femrave. Gjinia femërore nuk mbrohet nga shoqata apo debatet televizive, por nga ndryshimi i mentalitetit. Pak kohë më parë në një shkrimin për videoskandalin që përfshiu ish-kryetarin e Bashkisë Dibër, përfytyrova për një çasht që në vend të Shukriut të ishte një femër në atë post ccfar do të ndodhte? Por sikur Jonida të ishte një grua e pasur edhe të kishte kryer një krim pasioni ndaj një djali 29 vjeçarë, a do shpallej viktimë? Përgjigja është e thjeshtë, si femër, si mashkull, janë njëlloj. Ndërsa të përdalë s’ka asnjë specie njerëzore, pasi nuk mund të quhesh i përdalë përshkak se jeton siç ke qefë, martohesh disa herë, ke shumë të dashur, apo je pragmatist në gjetjen e partnerit të jetës.

Elis Kuçi

Please follow and like us: