Albspirit

Media/News/Publishing

Neni për dënimin e gazetarëve, a u mor për shembull Turqia e Erdogan?

Postimi pa adresë dërguesi i neneve për dënimin e gazetarëve në ligjet për prokurorisë speciale dhe atë të zakonshme, ka krijuar jo pak pështjellime. Pyetja se përse duhen këto nene, përse duhen dënuar gazetarët, pati disa intepretime, mes të cilave spikati ajo e ndonjë servili të pushtetit që i shihte ato edhe si riformulime të dispozutave ekzistuese që i japin të drejtë prokurorëve të publikojnë materiale hetimore. Kjo megjithëse përfaqësues të PS-së u tërhoqën dhe deklaruan rishikimin.

Por pyetja “Pse” është e paplotë pa pyetjen tjetër se “Kush” dhe “Përse fshehurazi” u kaluan këto nene? Asnjë nuk di të thotë. E ndërkohë që kjo heshtje e cila ka vetëm një burim dhe fsheh vetëm një gjoja politikë, disa shoqata gazetarësh reaguan. Përtej asaj që përfaqësojnë këto shoqata, do të duhet të merret në konsideratë një shënim redaksional i Tv Klan, i cili aludon se këto dispozita janë modeluar sipas praktikës turke, apo ndoshta janë sugjerim i “vëllezërve” të Bosforit.

Nëse në historikun e marrëdhënieve prokurori-media, nuk ka patur asnjëherë raste presionesh, fyerjesh apo shantazhimesh, nëse nuk ka patur edhe një kërkesë të vetë prokurorëve që të shtoheshin këto nene, kujt i interesonte që të rikthente dënimin me burg për gazetarët, me pretendimin se kjo po bëhet për mbrojtjen e prokurorëve specialë ose jo?

 Kush po merret si shembull për të patur dy nene në Kushtetutën e re të Republikës që mund të përdoren në çdo moment si kamzhik kundër medias?

Fakt është se asnjë vend demokratik, nuk i ka dhe askush nuk po dënon e arreston gazetarë. Përveç një vendi me të cilin në fakt, thonë se jemi miq dhe vëllezër…”, shkruan “Tv Klan”(http://tvklan.al/kush-eshte-i-interesuar-per-denimin-e-gazetareve/).

Hamendësimi qëndron, edhe sepse sjellja sipas modelit Erdogan apo turk nuk është e re. “Zero probleme me fqinjët” është “doktrinë” e partisë së Erdogan, e cila njësoj si në Turqi edhe në Shqipëri rezultoi një fluskë sapuni. Është fatkeqe dhe mjerane që edhe ato pak “ide” që vidhen nga jashtë të sillen në Shqipëri në këtë formë, apo të imponohen me mënyra tinzare. Ndonëse ky meraku i madh për mediat provon frikën që ka pushteti, kompleksin e madh si dhe pamundësinë për kontroll. Është pra një lajm në thelb i mirë.

Please follow and like us: