Olta Boka: Muzika është ushqim për shpirtin, por sot është bërë ushqim për veshët
Olta di të krijojë imazhin klasik të një artisteje, sepse arrin të shkëputet nga publiku e të krijojë mister. Në epokën e Instagramit e Snapchatit, zgjedh mënyrën klasike të menaxhimit të figurës së saj publike, atë larg medias. Sepse Olta Boka është e sigurt në potencialin e saj si artiste e nuk ka nevojë për pluhurin e famës të krijuar nga nonsensi i realitetit virtual.
Nga Elda Laze
Olta vjen pas shumë kohë shkëputjeje me një klip të ri. Mund të më tregosh pak më shumë?
Nuk kam zgjedhur të vij shpesh me klipe përsa kohë që kam zgjedhur të vij në një mënyrë më të afërt me publikun; nëpërmjet skenës apo ndonjë shfaqjeje tjetër si përshembull spektakli “Dance with me”. Por këtë herë është ndryshe sepse kam nevojë për një faqe të re, një kapitull të ri të marketingut që i kam bërë vetes deri tani. E shoh klipin si një mundësi për të shfaqur një imazh edhe më të kompletuar. Nga ana tjetër mendoj që klipi është një investim.
Në përgjithësi, këngëtaret publikojnë klipe në prag vere, sepse në këtë mënyrë duan “të peshkojnë” sa më shumë koncerte gjatë verës. Me ju nuk ka ndodhur kështu, mund të jetë e para herë që publikoni një klip në verë. Përse zgjidhni gjithmonë forma marketing ndryshe nga çfarë kërkon muzika komerciale sot?
Nuk dua të bëhem as idealiste, as dua ta kategorizoj veten si artiste ndryshe nga të tjerat, është thjesht çështje marketing. Unë personalisht i kam parë klipet si një rrugë të ndërmjetme, ruaj balancat në gjithçka që më karakterizon që bëj. Përsa i takon karrierës muzikore me prezantimin tim me klip është ruajtje balancash. Duke qenë një treg shumë i vogël, duhet të zgjedhësh formën e prezantimit në publik. Publikimi i madh i klipeve, konsumon shpejt imazhin. Unë jam prej vitesh në skenë, gati një dekade në skenë dhe nuk kam dashur të konsumoj imazh.
Përtej kësaj më vjen e natyrshme, sepse nuk e kam parë afër vetes për të konsumuar imazhin për të bërë më shumë para. Më shumë sesa për të qenë në treg sepse dua të marr një feedback pozitiv.
Ky lloj marketing, godet financat e tua në njëfarë mënyre?
Kur kam qenë fëmijë, im atë ka investuar shumë te im vëlla dhe te unë, në fakt më shumë te im vëlla sepse prindërit e mi donin që ai të merrej me muzikë. Përtej investimit që është bërë në angazhimin tim muzikor, nuk ka qenë kurrë prioritete ardhmja në muzikë. Ndryshe nga im vëlla, unë kam zgjedhur një profil të përgjithshëm, kam studiuar drejtësi, kjo nënkupton një lloj prioriteti i cili nuk është orientuar drejt muzikës. Im atë e ka parë si një ambient të vështirë. Unë ende e konsideroj veten me shumë fat që u bëra pjesë e muzikës gjatë një kohë më të favorshme sepse tregu muzikor nuk ishte kaq kaotik. Aktualisht të ardhurat e mia nga muzika i marr drejtpërsëdrejti nga angazhimi im në netët live, në eventet e organizuara me bandën me Juliana Pashën dhe Kejsi Tolën. Por të ardhmen profesionale nuk e shoh të pashkëputur nga muzika. Sigurisht në një periudhë tjetër, mendoj të profilizohem në një profesion tjetër e të investoj në një profesion tjetër. Ndoshta kjo gjë mua nuk më bën të jem kaq “agresive” për ti lidhur të ardhurat e mia vetëm me muzikën.
Po më flisje për një treg kaotik në muzikë, pse mendon se është i tillë?
Unë nuk flas për faktin e cilësisë së muzikës. E kam më tepër te prurjet sesa te cilësia. Muzika është ushqim për shpirtin, por sot është bërë ushqim për veshët. Bombardimi i publikut me muzikë të ndryshme, sigurisht që ka edhe cilësi, por duke pretenduar se krijohet shumë muzikë gjatë vitit kjo tregon që kërkesa e publikut ndaj produksioneve muzikore vazhdon e rritet. Ndërkaq këngëtari konsumohet si një fast food. Në këtë moment kur rrit sasinë, godet në cilësi.
Jetojmë në një epokë konsumizmi. Duke kërkuar konsumin edhe bërë muzika prodhohet shpejt, nuk punohet gjatë për të të sjellë një krijim cilësor. Ndoshta edhe publiku është mësuar të “kapërdijë” gjithçka shumë shpejte në këtë mënyrë ka filluar të pranojë gjithçka. Edhe muzika është si puna e modës; ka tendenca, ka rikthime. Është një cikël që përsërit veten dhe ky konsumim vjen për faktin se i jepet shumë sasi, aq sa ndonjëherë duket sikur e njëjta këngë këndohet disa herë nga këngëtarë të ndryshëm. Nuk po bëj kritiken si këngëtare por edhe si konsumatore, sepse nuk mund ta adresoj fajin te askush përsa kohë unë kam në dorë për të kontribuar më shumë nëse nuk më pëlqen diçka.
Nuk je e përfshirë në media, as në rrjete sociale
nga ku pastaj merr ushqimin media rozë. Ndërkohë shumë këngëtare po krijojnë një profil publik vetëm duke përdorur rrjetet e tyre sociale. Ka ardhur në mënyrë natyrale, nuk e kam parë veten të përshirë në gjëra që nuk më takojnë. Kur nuk ke diçka për të dhënë apo për të treguar nga ana profesionale përse duhet të shfaqem? Shqipëria ka mbingopje me njerëz që japin mendime për gjithçka. Nëse do të jepja shumë intervista përveç konsumit nuk do të kisha ndonjë interes tjetër. Çdo intervistë, çdo dalje në publik e bëj me një qëllim të mirëmenduar.
Të duket e paqëllimtë kjo dëshirë për të qenë personazh publik?
Etja për të qenë personazh publik përdoret për të kamufluar pasiguritë. Të kesh pasion, lufton me të gjitha mënyrat për të arritur aty ku do. Sot personazhet publike krijohen edhe nga një faqe instagrami. Mendoj se është një formë për të rritur vlerësimin te vetja, sepse një njeri që është komod me veten e tij nuk ka nevojë të ulërasë, ta shprehë në të gjitha mënyrat që ka nevojë për vëmendje. Nuk gjykoj askënd që bën këtë gjë, fundja njerëz jemi dhe ndikohemi nga e fenomenet dhe tendencat e kohës. E kam parë veten të ndikueshme në momente të caktuara, por në gjëra të parëndësishme. Nuk i shpëton dot presionit sociale, e ndjen veten të përshirë përsa kohë që jeton në një vend ku të gjithë bëjnë të njëjtën gjë dhe sado të mos e pëlqesh këtë vorbullën do ta ndjesh vetën pak të përfshirë se pastaj del jashtë.
Kur je bërë pjesë e vorbullës?
Siç të thashë në gjëra të parëndësishme, por e kam kapur veten duke analizuar përse duhet të bëj diçka vetëm sepse është bërë trend. Para se të publikoja këngën jam përpjekur të gjej një ekuilibër të asaj që kam sjellë deri tani dhe asaj që dëshiron të dëgjohet sot. Nuk preten të bëj gjëra kundër rrymës. Kam kuptuar që një nga rregullat e jetës është kompromisi. Dhe unë nuk pretendoj të mos bëj kompromise por deri aty sa nuk shkelen parimet e veta. Kam ruajtur balancat duke prekur dhe ndikimin dhe trendët në muzikë duke sjellë diçka afër publikut ashtu sikurse atë që më përfaqëson mua. Çfarë mundohem të mos harroj kurrë është të mos bëhem sipërfaqësore. Siç mund të jetë përshembull një këngë, në dukje trend muzikor, por e mirëmenduar.
Jeta jote private është krejt hermetike, është edhe kjo pjesë e menaxhimit artistik?
Nuk pretendoj që është hermetike sepse jetoj një jetë normale, por kam zgjedhur të mos e përdor në asnjë moment. Është diçka private, shumë shpirtërore. Përsa kohë është e tillë, nuk mund ta ndaj me të tjerët.
Ndoshta ke frikë nga media sepse mund të cenojë jetën private e nuk ndihesh e fortë sa duhet për ta mbrojtur?
Mua nuk më ka pëlqyer të bëj show, të shfrytëzoj veten time për të marrë një të mirë momentale. Unë kam dalë si këngëtare, nuk kam e parë kurrë skupin mediatik si një mënyrë për të qëndruar në treg. Gjërat që ruaj kanë më shumë vlerë sesa ajo flaka që ndizet e shuhet. Kur do të më duhet ë bëj një hap të madh, me siguri nuk do ti shpëtojë vëmendjes së medias. Por kjo gjë do të ndodhë kur edhe unë të kem siguri. Dua të ndërtoj themele të sigurta në jetën time private, të tilla që edhe nëse të tjerët fusin hundët, nuk do të ketë krisje dhe tronditje. Por edhe kam dashur ta shijoj siç më takon marrëdhënien time pa pasur ndjesinë e diçkaje negative.
Olta të vjen keq që sot, ndoshta edhe në mënyrë të padrejtë nga këngëtare pa zë por me performancë?
Nëse do të jepja një përgjigje të shpejtë mund të thoja edhe “Po”, por duke menduar se jam përgjegjëse për zgjedhjet e mia, se kjo që jam sot, është sepse kështu e kam zgjedhur të menaxhoj karrierën time mendoj që jo. Çdo zgjedhje ka një kosto. Kam pasur mundësinë të bëja një marketing ndoshta më të mirë, por nuk e kam dashur këtë gjë. Por e di që kam bërë zgjedhjen e mirë sepse jam vetja, dhe nuk kam humbur nga vetja. Do të kisha përfitime të mëdha, por në të vërtetë arritja ime më e madhe është që i kam bërë gjërat ashtu siç kam dashur. Unë rezultatin e kam të mirë me veten, e di që mund të kisha arritur më shumë, sepse ia njoh potencialin vetes. Sepse di të jem përformuese më e mirë e mund të realizoj performanca shumë të mira. Por kush e thotë që nuk e bëj në një moment tjetër? Mbaj mend që gjatë konkurrimit të “E diela shqiptare” për një edicion të “Kënga Magjike”, merrja pjesë me një baladë e sigurisht një baladë nuk të jep shumë mundësinë të performosh një skenë. Dikush nga publiku gjatë performancës time, komentoi negativisht faktin që nuk lëvizja në skenë. Më vrau veshin ai koment! E njoh veten time, e di që mund të performoj shumë mirë, për këtë arsye u përfshiva në një spektakël si “Dance with me”, ku arrita të shpreh një anë që publiku pak e njihte. Por unë nuk nxitoj të bind publikun për potencialin tim si artiste. I marr gjërat ngadalë dhe të mirëmenduar. Këtë mënyrë menaxhim kam zgjedhur për imazhin tim, mbi të gjitha sepse I ruhem shumë konsumizmit të shpejtë.
Domethënë akoma nuk e kemi njohur Oltën e vërtetë?
Ende jo, kam akoma shumë për të dhënë, megjithëse kjo tingëlloi si klishe (qesh). Artin e ndjej shumë dhe përfshirja për të dhënë maksimum më bën të nxjerr anën time më të mirë, nuk ka të bëjë vetëm me aftësinë por edhe me emocionin i cili është shumë i sinqertë. Për mua dhurata më e madhe nuk është zëri, por është ajo që ndjej dhe e transmetoj me të njëjtën forcë emocionale. Kjo është hileja pas gjithçkaje që unë ruaj për ta dhënë më vonë.
Nga: Elda Laze; Foto: Juxhin Kurti (Harmony)