Albspirit

Media/News/Publishing

Përse Pëllumbi sulmon sot Metën dhe LSI?

 

Servet Pëllumbi nuk ka qenë asnjëherë një përkrahës i LSI, të paktën përderisa u largua Fatos Nano nga skena e politikës.

Profesori ka qenë gjithmonë “shumë i Majtë”, “shumë ish komunist” dhe antiberishian konstant. Mirëpo majtizmin e tij e ka interpretuar gjithmonë kundër politikave liberale të qeverive të majta shqiptare.

Në rastin e Qeverisë Rama, ai nuk e ka ngritur kurrë zërin, ndaj politikës së çoroditur të koncesioneve, që kjo qeveri, ka dhënë me një sfond shumë të paqartë dhe me shumë indicie korruptive.

Mirëpo sa vjen çasti për të folur për “konkurrentët” e Ramës në politikë, Fatos Nanon më parë dhe Ilir Metën sot, ai hidhet në sulm, ashtu si Skënder Gjinushi ca kohë më parë, duke derdhur akuza konspirative mbi Ilir Metën. Është kjo që bën Pëllumbi, një pasion për analizë politike, apo një Ndihmë e kërkuar nga ana e kryeministrit, për të dhënë mesazhe alarmuese të tjera ndaj Bazës Socialiste?!

“Koalicioni i mirëfilltë qeverisës PS – LSI u ndërtua jo mirë dhe herë pas here është lëkundur ndjeshëm, aq sa sot duket se LSI është në kërkim të një ‘modus vivendi’ për ta deklaruar të prishur koalicionin qeverisës me PS”, është shprehur ai në një intervistë për gazetën Panorama.
“Kjo, realisht, nuk është në interesin imediat të LSI, por duket se presioni që po ushtrohet mbi lidershipin e saj është shumë më i madh nga ç’mund të mendohet…! “Ngushëlluese”, mbase, mbetet vetëm deklarata e liderit të saj se, ende s’kanë lindur burra, as vendas e as ndërkombëtarë që ta shantazhojnë atë”.
“Në të vërtetë ka rritje të pakënaqësive, veçanërisht tek shtresat më vulnerabël të shoqërisë sonë. Dhe këtu qeveria meriton të kritikohet, sidomos për mungesë ndershmërie e transparence, për një lloj euforie ministrash në raport me reformat, që jo gjithmonë kanë mbajtur parasysh prioritetet dhe amortizimin e plagëve të shkaktuara prej tyre”.
Në krejt analizën e tij, ai e paraqet Metën si një “politikan konspirativ”, me qëllime të errta dhe si autor prapaskenash. Ka në analizën e Profesorit të fundit postmarksist, një vullnet të spikatur, për të mobilizuar të Majtën Radikale në PS, që edhe është audienca e tij kryesore, kundër LSI dhe kundër Metës, sipas psikozës së vjetër të “tradhëtarit të partisë nënë”.

Një analizë e angazhuar pra, në favor të Ramës dhe në favor të krijimit të armiqësisë bazike PS-LSI.

Please follow and like us: