`Reforma në drejtësi, ideuar, konceptuar, planifikuar dhe zbatuar e gjitha nga Soros’
Reforma kushtetuese u ideua dhe u konceptua nga Fondacioni Soros në Tiranë.
Për këtë qëllim, Fondacioni hartoi, që në vitin 2013, një plan të qartë strategjik, ku planifikoheshin të gjitha hapat e nevojshëm teknik dhe politik që duhet të ndërmerreshin për të realizuar reformimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Mijra emaile dhe dokumente të rrëmbyera elektronikisht nga rrjeti i organizatave të miliarderit dhe aktivistit politik Xhorxh Soros u bënë publike javën e shkuar nga grupimi DC Leaks.
Mes tyre gjenden dhjetra dokumenta që i përkasin aktivitetit të Fondacionit Soros në Shqipëri, përfshi një dokument të rëndësishëm të titulluar Plani Strategjik 2014-2017 i Fondacionit Shoqëria e Hapur Shqipëri (OSFA).
Dokumenti—i cili është hartuar në verën e vitit 2013, pas zgjedhjeve parlamentare, por para miratimit në Kuvend të qeverisë Rama—përmban strategjinë e Fondacionit Soros në Tiranë për projektet dhe iniciativat kryesore strategjike për periudhën 4-vjeçare, e cila përputhet në kohë me mandatin e qeverisë Rama.
Ndërhyrja kryesore prioritare e planifikuar për t’u realizuar nga Soros në Shqipëri ishte “reformimi i Kushtetutës” së Shqipërisë, e përshkruar si një nga “idetë e mëdha” që organizata do të çonte përpara në vend.
Dokumenti strategjik përshkruan në detaje të mjaftueshme përmbajtjen e këtij projekti për “rishikimin e përgjithshëm” dhe ndryshimin e Kushtetutës, si dhe strategjinë e realizmit të tij në praktikë.
Objektivat kryesore të përcaktuara në dokument ishin:
rritja e kontrollit dhe balancimit reciprok të pushteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në vend; forcimi i rolit të Presidentit; ulja e ndikimit politik në procesin e zgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese; rritja e pavarësisë së institucioneve publike, të tilla si Prokurori i Përgjithshëm, Instituti i Statistikave, Avokati i Popullit.
Dokumenti planifikonte që brenda vitit 2014 të realizohej një vlerësim i thellë i kapitujve të Kushtetutës që duhet të ndryshoheshin dhe të ishin identifikuar praktikat e vendeve të tjera që mund të zbatoheshin në kushtetutën e re të vendit. Fondacioni planifikonte që në vitin 2015 të paraqiste një draft reformë kushtetuese të hartuar nga një “grup përfaqësues i palëve të interesuara.” Plani ishte që ndryshimet kushtetuese të miratoheshin brenda katër vjetësh; por nëse kjo gjë nuk do të arrihej atëhere Fondacioni do ta “përfshinte” reformën kushtetuese si çështje të rëndësishme të fushatës zgjedhore të vitit 2017.
Në dokument, Fondacioni e vlerësonte si shumë të rëndësishme arritjen e dakordësisë mes të gjitha palëve politike për miratimin e reformës, e cila kërkon 94 vota në Kuvend, dhe parashikonte një sërë përpjekjesh dhe manovrash për arritjen e kësaj dakordësie—nga vetëdijësimi dhe përfshirja e politikanëve në dialog tek trysnia ndërkombëtare ndaj tyre.
Dokumenti përcakonte qartë se do të angazhohej për përfshirjen në procesin e hartimit dhe miratimit të reformës kushtetuese organizatat ndërkombëtare me ndikim në Shqipëri, veçanërisht Komisionin e Venecias, Këshillin e Europës dhe Delegacionin e BE-së në Tiranë.
Plani strategjik i Sorosit pohon se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë “ndikim të rëndësishëm dhe fuqi për të lëvizur gjërat në Shqipëri”, prandaj një nga masat e përfshira në të është lobimi i tyre për të kërkuar reformimin e Kushtetutës.
Dokumenti shprehet qartë dhe hapur se një nga qëllimet e lobimit të BE-së do të ishte të arrihej që reforma kushtetuese “të vendosej si kusht për negociatat e anëtarësimit në BE.”
Dokumenti i Sorosit vlerëson rëndësinë e krijimit të një koalicioni publik për mbështetjen e reformës kushtetuese. Për arritjen e këtij qëllimi, dokumenti shprehet se Soros do të kërkojë dhe arrijë mbështetjen e një numëri organizatësh joqeveritare dhe individësh, të cilat i quan “partner civilë”, për të ndihmuar në arritjen e vetëdijësimit dhe konsensusit publik për reformën. Mes partnerëve të tillë dokumenti llogarit Forumin Civil (të ish-presidentëve të vendit); autorët e Kushtetutës aktuale; pedagogë të juridikut, etj.
Një nga metodat për përpunimin e opinionit publik të planifikuar është organizimi i peticioneve publike, diskutimeve në universitete dhe fushatat në media. Dokumenti përcakton se “është koha e duhur për Fondacionin për të kapur momentin dhe filluar shtytjen për reformën kushtetuese.” Fondacioni shprehet i sigurtë se është “organizata më e mirë-vendosur në Shqipëri për të ndërmarrë këtë sfidë” duke argumentuar se ai “ka fuqinë për të mbledhur bashkë korin e nevojshëm të aktorëve të shumëllojshëm vendas dhe ndërkombëtarë për këtë fushatë.”
Dokumenti i brendshëm zbulon se reforma kushtetuese ishte diskutuar me Kryeministrin e zgjedhur Rama, i cili kishte premtuar angazhimin e qeverisë për të ndërmarrë këtë reformë.
Nisur nga premtimi, dokumenti shprehet se duhet punuar nga afër me qeverinë Rama për ta detyruar atë t’i përmbahej angazhimit për reformën, ndërkohë që Fondacioni duhej të përpiqej “ta udhëheqte dhe t’i jepte formën” kësaj reforme.
Më shumë se tre vjet nga hartimi i këtij plani, është e qartë se ai është zbatuar në mënyrë të suksesshme, gati pikë për pikë. Ja disa nga pikat kryesore të planifikuara dhe të ndodhura në mënyrë besnike: Vlerësimi i Kushtetutës u bë nga një grup ekspertësh të mbështetur dhe financuar nga Soros, në vitin 2014, sikurse ishte parashikuar. Reforma bazë u hartua dhe u paraqit nga ekspertët e mbështetur dhe financuar nga Soros në vitin 2015. Në procesin e reformës u përfshi Komisioni i Venecias. Në arritje e dakordësisë dhe presionit ndaj klasës politike u përfshinë në mënyrë parësore BE-ja (të paktën Delegacioni në Tiranë) dhe SHBA-të. BE e vuri miratimin e reformës kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Institucionet ndërkombëtare ushtruan trysni për të detyruar forcat politike për bërjen e reformës. Organizatat e shoqërisë civile u mobilizuan në mbështetje të reformës, deri në organizmin e protestave publike, sikurse kemi përcjellë këtu. U nënshkruan peticione intelektualësh në mbështetje të reformës dhe një sërë intelektualësh publikë u shprehën hapur publikisht në mbështetje të reformës edhe pse reforma nuk u shpjegua kurrë në publik. U bë fushatë e vrullshme në media në mbështetje të reformës, përfshi mediat sociale.
Po aq domethënëse janë parashikimet e Planit Soros të cilat nuk u përmbushën sikurse ishin parashikuar, në mënyrë të veçantë:
Ndryshe nga objektivi fillestar i Sorosit, reforma e miratuar jo vetëm nuk e forcoi rolin e Presidentit, por praktikisht e ktheu atë në një figurë ceremoniale pa asnjë rol në sistemin politik të vendit.
Në vend që të rriste kontrollin dhe balancimin reciprok të pushteteve, reforma e zbehu më shumë rolin e legjislativit dhe të gjyqësorit në kontrollin dhe balancimin e pushteteve dhe rriti pushtetin e pakontrolluar të ekzekutivit.
Mund të spekullohet se këto shmangie të rëndësishme janë lëshimet që Soros i ka bërë Kryeministrit Rama.
Së fundmi, vlen të theksohet edhe diçka. Hartuesit e planit për ndryshimin e Kushtetutës kanë qenë të vetëdijshëm mbi vështirësinë e një sipërmarrje të tillë. “Nxitja e reformave kushtetuese është përherë një lojë e rrezikshme,” shprehet dokumenti duke paralajmëruar se “ekziston mundësia që Kushtetuta të përfundojë në një gjendje më të keqe nga sa është tani.” Tani që Soros e realizoi “idenë e tij të madhe” për reformimin kushtetues në Shqipëri mbetet të shpresojmë që të mos përmbushet ky paralajmërim ogurkeq. /Exit