Replikë me grekët për polifoninë
Ditët e fundit ka pasur polemika në media mbi një deklaratë të pedagogut të greqishtes në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, ish-deputetit omonist Panajot Barka, i cili, në një takim të Federatës Epirotase në Voshtinë më 7 gusht, akuzoi shqiptarët se janë “hajdutë të polifonisë greke, duke e pagëzuar si isopolifoni shqiptare” dhe kërkoi që Greqia të hedhë në gjyq Shqipërinë në Gjykatat Ndërkombëtare, si dhe heqjen e Polifonisë Shqiptare si trashëgimi të njerëzimit nga UNESCO. Për këtë arsye iu drejtuam për një prononcim kryetarit të shoqatës “Polifonia Shqiptare”, z. Yzeir Llanaj, që prej 20 vitesh zhvillon një aktivitet të pandërprerë në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së kësaj vlere trashëgimore shqiptare.
– Zoti Llanaj, si do ta konsideronit një deklarim të tillë të z. Barka?
Do të ishte e pavlerë të merresha me deklarimet e një individi që tashmë njihet si provokator e sharlatan, dhe që kryen rolin e tellallit të një politike antishqiptare të promovuar nga qarqet greke apo dhe nga vetë shteti grek. Madje do të thoja se ai bën mirë që hedh në publik të tilla “bomba” pasi na bën të vetëdijshëm për çka gatuhet nëpër kuzhinat e politikës greke. Barka apo të tjerë si ai që veprojnë brenda shoqërisë dhe shtetit tonë për të minuar dhe ndotur çdo gjë që afirmon vlerat kombëtare shqiptare, nuk janë tjetër veçse vegla të verbra të urdhrave dhe direktivave që vijnë prej diku tjetër. Problemi qëndron tjetërkund, pikërisht në hapësirat që i janë krijuar për të formuluar të tilla deklarime, që edhe pse duken absurde, në fakt shprehin diçka të menduar më mirë dhe më thellë nga shefat e tij në Athinë apo edhe në Tiranë.
– Ju doni të thoni se kjo deklaratë e z. Barka nuk është e rastësishme?
Jo. Nuk mendoj se është e tillë, as edhe që Panajoti të arrijë të mendojë kaq thellë e kaq “mençurisht” për të përmbysur një realitet tashmë të pranuar që prej 25 nëntorit 2005 nga një organizëm i tillë si UNESKO, domethënë që Polifonia Shqiptare përbën një kryevepër të trashëgimisë gojore të njerëzimit, e që u përzgjodh mes 60 konkurrenteve të tjera të propozuara nga vende të ndryshme përpara UNESKO-s. Një vlerë që është vërtetuar katërcipërisht që është shqiptare, jo sot, por ndër shekuj, përmes penës dhe shkrimeve të dhjetëra autorëve të huaj që e kanë përjetuar dhe e kanë shtjelluar në veprat e tyre, të mahnitur prej origjinalitetit dhe prej bukurisë së saj, si një diçka organike dhe e shkrirë njësh me anën shpirtërore, me zakonet, me traditat e tjera, me veshjet, me jetën dhe natyrën e botës shqiptare. Si diçka që buron nga vetë shpirti dhe karakteristikat e shqiptarëve të jugut, si diçka që ka lindur, është rritur dhe përcjellë prej kohërash që nuk mbahen mend e që nuk i prek dot as historia. Të tjera mendje djallëzore e kanë përgatitur me kohë terrenin që Barka të dalë e të “bilbilojë” kaq serbes. Ndoshta në Athinë, e pse jo edhe në Tiranë.
– Ju e përmendët disa herë edhe Tiranën, a mund të thoni diçka më konkrete?
Shoqata jonë, e mbështetur fuqimisht edhe nga një shumicë muzikologësh, etnologësh, historianësh e studiuesish të tjerë, prej 10 vitesh po lufton kundër një “hileje” që është luajtur me polifoninë shqiptare qysh në mënyrën se si është paraqitur për njohje nga UNESKO, domethënë me emër të tjetërsuar në “isopolifoni”. Pikërisht kundër kësaj emërtese, që për ne është tepër e dyshimtë dhe krijon terren spekullimesh, është zhvilluar një aktivitet i dendur qoftë me institucionet shtetërore përkatëse, qoftë përmes mediatizimit apo edhe simpoziumeve e tryezave të tjera shkencore. Pavarësisht kësaj, një refrektarizëm dhe nihilizëm i skajshëm është ndjerë nga institucionet shtetërore, deri dhe në refuzimin për të na dhënë shkresën zyrtare të propozimit për të ditur se si është formuluar dhe motivacionin me të cilin është njohur kjo vlerë trashëgimore në UNESKO. Është shkelur dhe e drejta kushtetuese e informimit në këtë rast, kështu që është e ligjshme të lindin dyshime se pikërisht “këtu fle lepuri”. A është propozuar si vlerë autentike e mirëfilltë shqiptare, apo është trajtuar si një vlerë që vjen nga lashtësia “greke” në territoret e shqiptarëve?!
– Ku e mbështesni këtë dyshim, a keni ndonjë indikacion për këtë?
Siç thashë më lart, vetë refraktarizmi i institucioneve përkatëse për të dhënë shpjegime të drejtpërdrejta, vetë fshehja e shkresave zyrtare, vetë makinacione të tjera që janë luajtur përgjatë këtyre viteve për të sabotuar veprimtarinë tonë në këtë drejtim, tregojnë se këtu diçka është luajtur mbi një plan afatgjatë derisa të vijë dhe deklarimi i tellallit Barka. Pastaj, bashkëngjitja e “isos” në emërtesën zyrtare të njohjes nga UNESKO të polifonisë shqiptare përbën gjithashtu një tregues të tillë. Më tej, autori i kësaj shtojce në emërtesë, ish-drejtori i trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Vaso Tole,
në broshurat që ka publikuar më vonë, e trajton dhe e përqas polifoninë shqiptare me “vajtimin e kuajve të Akilit” dhe me korin e kishave ortodokse bizantine. Pra dyshimi për motivacionin me të cilin është prezantuar polifonia në UNESKO është i arsyeshëm. E në këtë vazhdë edhe “pretendimi” i grekëve për të përvetësuar këtë vlerë të njohur tashmë zyrtarisht e ndërkombëtarisht. Kur grekët na përvetësuan fustanellën e shumë vlera të tjera autentike shqiptare, pse mos të pretendojnë edhe për polifoninë, kur vetë titullarët e institucioneve shqiptare, pra Tirana, ua përgatisin terrenin apo ua japin të gatshme?!
– Po a këndohet polifonia edhe në Greqi? Ku mbështetet Barka që e deklaron një diçka të tillë?
Padyshim, polifonia këndohet edhe në Greqi, në fshatra kuptohet. Por spekulimi bëhet tepër i trashë në këtë rast. E theksova nëpër fshatra jo më kot, pasi në to gjenden edhe komunitetet më të mëdha të shqiptarëve të Greqisë, që quhen zakonisht arvanitë. Polifonia i ka rrënjët në Labëri e më tej në Toskëri, por është shtrirë edhe në vise përtej kufijve të shtetit politik shqiptar, pasi dihet mjaft mirë përvetësimi i tokave shqiptare nga shtetet fqinjë, bashkë me popullsinë përkatëse. E pasi përvetësuan tokat e popullsinë, tashmë kërkohet t’u përvetësohen edhe vlerat shpirtërore e kulturore, duke i quajtur në këtë rast greke. Grekët mund të kenë të tyre “buzuqin”, ndonëse edhe atë duhet ta kenë marrë nga turqit, por jo polifoninë. Nëse polifonia është kënduar dhe vazhdon të këndohet në Greqi, ajo është një vlerë kulturore që lëvrohet vetëm prej shqiptarëve arvanitë, që kanë marrë me vete shpirtin, zakonet dhe traditat e tyre të lashta prej vendit të tyre amë, Shqipërisë, e më ngushtë prej Labërisë. E kjo nuk e bën polifoninë greke, absolutisht. Kjo vetëm vërteton makutërinë greke për të vjedhur shqiptarët në të gjitha gjërat, siç duket ngaqë janë inferiorë karshi tyre, pasi i pasuri nuk ka pse të vjedhë të varfërin. Vetë vendi ku është zhvilluar ky takim kulturor i Federatës Epirote dhe ku ka “ligjëruar” Panajoti omonist është tokë shqiptare dhe padyshim që këndohet edhe polifonia, por meqë kanë marrë tokën nuk do të thotë që mund të marrin edhe polifoninë.
– A keni menduar për hapa të mëtejshëm në zgjidhjen e këtij problemi?
Normalisht ne nuk heqim dorë prej kauzës sonë. Kemi zhvilluar e do të vazhdojmë të kryejmë një aktivitet intensiv në këtë drejtim. Por në këtë rast i takon institucioneve të shtetit shqiptar, Ministrisë së Kulturës, drejtorisë së trashëgimisë pranë saj, Akademisë së Shkencave, instituteve studimore përkatëse, që të ngrenë zërin e të mbrojnë dinjitetin, pasi në këtë rast është shteti shqiptar që është akuzuar “hajdut” që duhet hedhur në Gjykata Ndërkombëtare! Janë institucionet shtetërore që duhet të kryejnë detyrimin kushtetues për të mbrojtur vlerat shqiptare. Por përpara se ta kërkojnë tek Barkat apo tek Dulet, le të shohin pak brenda vetes, mos iu ka hyrë krimbi përbrenda e po i gërryen ligësisht. Polifonia është autentike shqiptare, por a e dinë apo, a duan ta dinë këtë, këto institucione, e në veçanti Akademia e Shkencave? Heshtja e Akademisë së Shkencave nuk mund të jetë e rastësishme, pasi atje vijon si sekretar i përgjithshëm pikërisht Vaso Tole, protagonisti i emërtesës së deformuar dhe partizan i “origjinës kishtare” të polifonisë shqiptare.