Albspirit

Media/News/Publishing

SHPËRBËRJA E ORGANEVE TË NJË SHTETI

“Qeveria po e vazhdon luftën kundër Gjykatës Kushtetuese – prokuroria tani madje po heton edhe kundër kreut të Gjykatës Kushtetuese. Një luftë e padenjë vazhdon”

Rosalia Romaniec

Rosalia RomaniecNdërkohë polakët janë lodhur kaq shumë, sa portalet online thuajse nuk i kushtojnë më rëndësi temës në mbrëmje. Kjo në një kohë kur bëhet fjalë për një rast me rëndësi për të ardhmen: prokuroria po zhvillon hetime kundër gjykatësit më të lartë – dhe e bën këtë për shkak të qëndrimit të tij pa kompromis ndaj së drejtës.

Mosmarrëveshjen disamujore mund ta përmbledhësh në dy fjali: gjykata më e lartë polake shqipton drejtësi, por kuptimi prej saj i drejtësisë është në kundërshtim me ndiesinë për drejtësi të atyre që janë në pushtet.

Në fillim ishte për të ardhur turp. Tani është për t’u shqetësuar. Po forcohet gjithnjë e më shumë ndiesia se po afrohet momenti ku e gjitha do të bëhet e rrezikshme. Që kur në Varshavë kanë ardhur në pushtet Nacional-Konservatorët, ata përpiqen të eleminojnë organet shtetërore. Pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv luajnë për të njëjtën portë – me mbështetjen miqësore të pushtetit të katërt, informal: të medieve shtetërore polake.

Një mendimtar jo konformist dhe kokëfortë

Vetëm pushteti gjyqësor kundërshton. Para pak kohësh ai e shpalli për herë të dytë të kundërligjshme reformën e vendosur të kushtetutës dhe e shpërfilli edhe njëherë qeverinë nacional-konservatore. Po ajo e injoroi vendimin e gjykatësve dhe shpalli se reforma e saj antikushtetuese “ka hyrë në fuqi”.

Zemërimi i pushtetarëve është i drejtuar para së gjithash kundër një burri: Andrzej Rzeplinski. Gjykatësi më i lartë është një mendimtar jokonformist dhe kokëfortë, i cili në çështjet e drejtësisë nuk bie në kompromise të kalbura – pra tamam njeriu i duhur për një post të tillë. Me hetimet e prokurorisë kundër tij, lufta për pushtet kalon në një raund tjetër.

Padinë e bëri një gjykatës, i cili e ndien veten të penguar në punën e tij prej gjykatësit më të lartë. Paditësin e emëroi në post qeveria aktuale në fund të 2015-ës dhe ai bëri betimin para Presidentit – si dy kolegë të tjerë. Por meqenëse Gjykata Kushtetuese e shpalli emërimin e tyre antikushtetues, kryetari nuk i fton gjykatësit në mbledhjet e përbashkëta dhe as nuk lejon që ata të marrin pjesë në shpalljet e vendimeve. Njëri prej gjykatësve tani po mbrohet, duke e paditur Rzeplinskin për shkak të “kapërcimit të kompetencave”. Prej së premtes, prokuroria ka nisur hetimet. Shefi i prokurorisë është megjithatë, i caktuari kohët e fundit, ministri i Drejtësisë.

Pushtetarët i interpretojnë “Të drejtën dhe drejtësinë” në mënyrën e tyre

Me këtë shtohet rreziku që një shtet demokratik, evropian të shpërbëjë strukturat e tij. Sa keq! Na ishte njëherë, kur ishte pikërisht shteti polak shteti i parë në Evropë që miratoi një kushtetutë me ndarje pushtetesh – 225 vjet kanë kaluar që atëherë. Kësaj tradite krenare, Rzeplinski dëshiron t’i qendrojë besnik. Komenti i tij për nisjen e hetimeve: “Një përpjekje e ngathët për të ndërhyrë në pavarësinë e pushtetit gjyqësor”. Pas kësaj foli Zbigniew Ziobro – Prokuror i Përgjithshëm dhe ministër i Drejtësisë së bashku- si profet: “Mendjemadhësia vjen para rënies”. Kjo nuk të lë përshtypjen e hetimeve të pavarura.

Kjo në një kohë kur mandati i gjykatësit gjithsesi përfundon në dhjetor. Dhe gjykatësi më i lartë ka imunitet, i cili nuk mund të hiqet lehtë. Po që mbështetësit e partisë në pushtet PiS nuk presin deri në dhjetor, por duan të japin tani një shembull, kjo është frikësuese.

Please follow and like us: