Albspirit

Media/News/Publishing

Skadon afati kushtetues për hedhjen në short të anëtarëve të KED nga kreu i Kuvendit

ilir-meta-ne-jale2-c1200x600Ligji që përcakton kriteret ende në tryezën e komisionit të reformës

Ka skaduar edhe afati i përcaktuar në kushtetutën e re të miratuar në 21 korrik, të hedhjes së shortit nga Kreu i Kuvendit për përzgjedhjen e antarëve të këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese më 11 gusht, kreu i shtetit kishte 10 ditë kohë të hidhte shortin, edhe pse në mungesë të ligjit i cili përcakton kriteret mbi të cilat zgjidhen kandidatët.

Ishte ngërçi i parë i shkaktuar nga miratimi i amendamenteve kushtetuese të seancës plenare të 21 korrikut, të cilat nuk u shoqëruan me miratimin e projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Në mungesë të këtij të fundit, i cili ndodhet ende në fazën e diskutimit në komisionin e reformës në drejtësi. kreu i Shtetit zgjodhi të mos hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Nishani: “Brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi duhet presidenti duhet të zgjedhë me short anëtarët e KED.  Neni 149 d në pikën tre përcakton që bëhet me 9 anëtarë.  Në piken 5 thotë se duhet të zgjedhë përmes kritereve që përcaktohen me ligj, por ndërkohë ligj nuk ka të miratuar. Jam në situatë kontradiktore.
Por edhe mekanizmi zhbllokues për hedhjen e shortit, i parashikuar në nenin 149 të Kushtetutës së Re të republikës së Shqipërisë, i cili parashikon hedhjen e shortit nga Kreu i Kuvendit brenda 10 ditëve, në rast se Kreu i Shtetit nuk përmbush kompetencën e tij brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e 11 gushtit, duket se nuk do të ndodhë.
Ishte Bujar Nishani ai i cili pas organizimit të tryezave të konsulencës me konstitucionalistë dhe anëtarë të partive kryesore, në atë që e quajti vazhdë të procesit konsensual dhe bashkëpunimit të institucioneve, njoftoi zyrtarisht në 16 gusht, mos hedhjen e shortit përmes të cilit zgjidhen anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Radha është e kreut të Kuvendit Ilir Meta, të cilit afati prej 10 ditësh për të ushtruar kompetencën e tij, i skadoi në 21 gusht. Edhe pse pa një njoftim zyrtar, kreu i kuvendit Ilir Meta, gjatë një deklarate për mediat ka shprehur vlerësimin e tij për vendimin e presidentit Nishani për të mos hedhur shortin për KED.
Ligji, i cili do të lejonte nisjen e kësaj procedure ndodhet momentalisht ne tryezën e komisionit të reformës në drejtësi. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, optimist se këtë muaj do të kemi një seancë të suksesshme për miratimin e tre projekt-ligjeve.
Sipas burimeve është pikërisht pas miratimit të projektligjit, i cili përcakton kriteret për kadidatët për KED, koha kur Kreu i Shtetit Bujar Nishani do të ushtrojë kompetencën e tij të përzgjedhjes me short së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi./Abc News
Please follow and like us: