VATRANET NE SHTEPINE E PAVARESISE SE KOSOVES DR. RUGOVA
Me Vatranët e Amerikës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova/
-Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…Ishte kjo shtëpi shtetërore e Kosovës, po ashtu ishte shtëpi përfaqësuese e Kosovës dhe e interesave të saj, sepse nëpër të kanë kaluar me qindra diplomatë, kongresmenë, senatorë e deputetë amerikanë, evropianë dhe të shumë vendeve të tjera, thoshte Presidenti historic Dr. Ibrahim Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit-Prishtinës, në 23 dhjetor 2002/
-Biseda e kujtime me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa në Prishtinë vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 22 Gusht 2016/ President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…
Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…
“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Këte, në këtë verë 2016, e përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova.
“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në 23 dhjetor 2002, në ditën e 13 vjetorit të Lidhjes Demokratike për Kosovës, e cila që nga fillimet e saj ishte më shumë se parti lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, dhe pikërisht në këtë shtëpi ishte themeluar.
Qindra qytetarë, aktivistë politikë, zyrtarë të lartë qendrorë e komunalë ishin tubuar për marrë pjesë në përurimin e Shtëpisë së Pavarësisë, me një ceremoni solemne që nisi në mesditë me ekzekutimin e këngës “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, të propozuar nga Presidenti Rugova për Himin të Kosovës.
“E kemi organizuar sot këtë ceremoni të përurimit ‘pa ftesa’ ashtu siç u tubuam para 13 vjetësh, pa ftesa pra, për të themeluar LDK-në”, theksoi Rugova dhe vijoi:
“Sot po bëjmë përurimin e ‘Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës’. Këtë akt solemn po e bëjmë në ditën e themelimit të LDK-së, më 23 dhjetor, pra në 13 vjetorin e jetës së saj. E bëjmë këtë akt solem në 13 vjetorin e themelimit të LDK-së, sepse LDK-ja ishte që nga fillimi themeli dhe bërthama e institucioneve të Kosovës”.
Në vazhdim Presidenti Rugova tha se menjëherë pas themelimit të LDK-së dhe institucioneve të tjera u morën vendime të mëdha në këtë shtëpi.