Vdekja e Marnikollajt, Ambasada Greke: Pretendimet e mediave shqiptare rrezikojnë marrëdhëniet mes vendeve
Ambasada e Greqisë në Tiranë ka reaguar lidhur me vdekjen në rajonin e policisë të emigrantit shqiptar Pëllumb Marnikollaj, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje deklaratën e Policisë Greke disa ditë më parë.
Ambasada greke ripërsërit se Marnikollaj u hodh nga dritarja e stacionit të policisë dhe vdiq në spital pas 6 orësh. Të nesërme u njoftua Ambasada Shqiptare në Athinë për ngjarjen e ndodhur në mënyrë që të vendoste në dijeni familjarët e viktimës.
Ambasada greke thekson se pretendimet dhe mënyra si mediat shqiptare e kanë përcjellë ngjarjen mund të ndikojë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Reagimi i Ambasadës së Greqisë në Tiranë:
“Duke reaguar ndaj raportimeve të medias shqiptare në lidhje me vdekjen e Pëllumb Marnikollajt, një emigranti shqiptar në Greqi më 3 gusht, Policia greke lëshoi të enjten një deklaratë për shtyp. Në deklaratë, Policia sqaron se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kreu menjëherë një hetim dhe dosja u dërgua më 11 gusht në Prokurorinë e Përgjithshëm.
Theksojmë se, sipas ligjit grek, për sa kohë që dosja është në shqyrtim nga Prokuroria, përmbajtja e saj nuk mund të bëhet publike. Lidhur me pretendimet se Policia u përpoq për të fshehur vdekjen, deklarata thotë se Policia informoi me shkrim Ambasadën Shqiptare në Athinë, më 4 gusht, domethënë, të nesërmen e incidentit, duke i kërkuar Ambasadës për të informuar të afërmit e të vdekurit. Duke iu referuar informacionit të Policisë greke, Pëllumb Marnikollaj ishte dënuar me 8 vjet burg për grabitje dhe ishte liruar nga burgu me urdhër kufizues, sipas të cilit në mënyrë periodike duhej të paraqitej në Rajonin e Policisë. Më 3 gusht, ai u paraqit në stacionin e policisë në Patissia, në Athinë, ku një oficere policie, e informoi se për të ishte lëshuar një urdhër arresti, pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në Pire. Në mënyrë që t’i shpëtonte arrestimit, Pëllumb Marnikollaj u hodh nga ballkoni dhe u plagos rëndë.
Ai u dërgua në spital, ku vdiq pas 6 orësh. Sipas informacioneve, incidenti është regjistruar nga kamerat e rajonit, të cilat tregojnë Marnikollajn që vrapon përgjatë korridorit, i vetëm dhe pa pranga. Artikuj në shtypin grek shprehin shqetësimin se mënyra se si është paraqitur incidenti nga media shqiptare mund të dëmtojë marrëdhëniet shqiptarogreke”.