Vladimir Duraj: Shqiptarët janë një në Shqipëri, Kosovë e Çamëri
Mund të bëjnë gjithçka me ne shqiptarët pisat vendas e të huaj, por përçarjen fetare e krahinore nuk do ta arrijnë dot kurrë.
Shqiptarizmi na ka mbajtur bashkë ndër shekuj, por periudha që i mëshoi fortë bashkim-vëllazërimit dhe ngriti në piedestal patriotizmin është periudha gjysëm shekullore e socializmit.
Në moshën 15 vjeçare një pjesë prej nesh i takoi të shkolloheshin në shkolla profesionale me konvikte, ku të jepej mundësia të njiheshe me moshatarë të tu nga gjithë Shqipëria, që nga Gjirokastra e deri në Tropojë.
Në 8 vjeçare, flas për atë kohë…rreth viteve 70, nxënësit mësonin goxha në histori e gjeografi për shqiptarët nga jugu në veri e kudo tjetër, por kontakti fizik mes jugorëve e veriorëve mundësonte një njohje më të mirë të sjelljes e zakoneve të njerit e tjetrit “grupim”.
Në bisedë me një shok për marrëdhëniet shoqërore në atë kohë, ku respekti dhe solidariteti për njeri – tjetrin ishin normalitet i shkallës superiore, mu kujtua një ngjarje e 44 viteve më parë në politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë.
Sapo shkuam në shkollë e u grupuam në klasa dhe konviktorët nëpër dhoma, filluam të silleshim me njeri – tjetrin si me u pas njohur vite më parë. Kjo falë atij edukimi për vëllazëri e patriotizëm që shpreha më lart, por sigurisht edhe nga shpirti pa njolla të zeza i asaj moshe të bukur rinore.
Dy – tri javë kishin kaluar nga fillimi i vitit shkollor kur u bë sebep një lojë futbolli mes shokësh për të mësuar një të veçantë të veriorëve.
Zefi, një mirditor flori, djalë me dhjeta i them unë kësaj tipologjie, godet fort topin dhe këmbën e Kaço lushnjarit, një tjetër shok yni, aq sa këtij të fundit i dhembi aq shumë sa instiktivisht bërtiti “o të q**sha nënën” në drejtim të Zefit.
– Pa dashje, më fal, i thotë Zefi e i hedh dorën në qafë Kaços gati në të njëjtën kohë me sharjen e dalë nga goja e Kaços, por i bërë lulkuq në fytyrë pasi dëgjoj sharjen e shokut të tij.
Hyjmë mes tyre mos goditeshin, por jo, gjithçka u mbyll me aq e loja rifilloi përsëri. Pak minuta më pas e njëjta skenë por në kah të kundërt.
Kaço godet Zefin këtë radhë, absolutisht pa qëllim dhe Zefi ashtu si Kaço më parë, instiktivisht dhe i shtyrë nga dhimbja, bërtet me të madhe “o të q**sha motrën”.
Kaço harron dhembjen, bëhet lulkuq në fytyrë e tenton të godasë me grusht Zefin, i cili i habitur nga sjellja e shokut më thotë mua që u gjenda në moment pranë tij: – Ç’pati ky Ladi, ndërhyrja ime ishte e paqëllimshme dhe ai nuk u vra aq shumë sa të skuqet si lafshë kaposhi.
– Nuk e ka nga goditja, e ka ngaqë e shave nga motra, i them unë.
– Por ai më shau më rëndë, më shau nga nëna e unë nuk reagova si ai, më thotë Zefi.
– Ne sharjen nga motra e kemi tepër të rëndë, atë nga nëna edhe e tolerojmë mes shokesh, i them prapë Zefit.
– Kur është kështu duhet të sqarohemi që të mos mendojmë keq për njeri – tjetrin, ngre zërin Zefi e i bën me dorë Kaços për tu afruar.
– Dëgjo vëlla, më tregoj Ladi që sharja ime është tepër e rëndë për ju, ashtu sikurse sharja që ti më bëre pak më parë është tepër e rëndë për ne….tani që e mësuam këtë veçori të zonave tona nuk diskutohet që nuk do të përsëritet më, thotë Zefi e në moment përqafohen me njeri -tjetrin si dy vëllezër të mirë… Dhe kështu ishim, vëllezër të mirë të njeri – tjetrit për të katër vitet e shkollës në Tiranë.
Ndaj them në fillim të shkrimit…nuk ka pisa vendas a të huaj të na përçajë në fe e krahina…shqiptarët janë një në Shqipëri, Kosovë e Çamëri.