Akuzat e PD për policinë, sindikata: Oficerët t’i drejtohen Prokurorisë, heshtja nuk i favorizon
Prej disa ditësh opozita akuzon me emra konkret dhjetëra drejtues të Policisë së Shtetit, për lidhje me trafikantët në kultivimin e kanabisit në vend.
Në një reagim për mediat mbi situatën e krijuar, sindikata e punonjësve të policisë i bën apel të gjithë efektivëve të përmendur, që të ndërmarrin nisma ligjore qoftë individuale ose kolektive për pastërtinë e figurës së tyre. “Nëse ata do të ankohen te sindikata, ne do të marrim veprimet tona në lidhje me pastërtinë e figurës së tyre. Dhe kjo sigurisht që vërtetohet nëpërmjet veprimeve gjyqësore. Duhet t’i drejtohemi patjetër për ta bërë politikën një herë e mirë të heqë dorë nga subjektivizmi në dhënien e mendimeve mbi punonjësit e policisë”, shprehet Sadetin Fishta, kryetar i Sindikatës së Policisë. Deri më tani asnjë efektiv i akuzuar nga Partia Demokratike nuk ka kërkuar asistencën juridike të sindikatës. “Ne nuk mund ta vërtetojnë nëse është shpifje apo jo. Padia është ajo që e vërteton nëse këto qëndrojnë apo jo. Për çdo punonjës policie heshtja nuk është në favorin e tyre. Si sindikatë i kemi kërkuar edhe Prokurorisë të fillojnë procesin në bazë të deklarimeve të bëra”, thotë Fishta. Opozita ka akuzuar më shumë se 30 drejtues të policisë për lidhjet e tyre me krimin. Sipas Partisë Demokratike, akuzat mbështeten edhe tek një raport i shërbimeve sekrete të Italisë dhe Gjermanisë, por ekzistenca e një informacioni të tillë nga partnerët ndërkombëtarë u mohua kategorikisht në një prononcim për mediat, nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato.