Alarmi për bombë në redaksinë e Report Tv, ndalohet një person i dyshuar
Policia jep më shumë detaje nga alarmi për lëndë eksplozive në redaksinë e televizionit Report Tv.
Përmes një komunikate thuhet se alarmin në numrin e emergjencave e ka dhënë një gazetar i këtij televizioni.
Pas kontrollit policor ka rezultuar se nuk kishte lëndë eksplozive.
Si autor i dyshuar për ngjarjen është ndaluar shtetasi Shkëlqim Tarja. Më poshtë komunikata e plotë e policisë.
Më datë 23.08.2016, rreth orës 13:25, në numrin e emergjencave 112, ka njoftuar një gazetar i televizionit Report TV, se në ambjentet e Report TV, mund të ketë një sasi me lendë eksplozive, pasi i kanë dërguar një mesazh kërcënues.
Në adresën e dhënë janë dërguar forca të shumta të policisë dhe morën të gjitha masat si dhe u bë evakuimi i punonjësve.
Pas kontrollit të ambienteve të Report Tv nuk është gjetur lëndë eksplozive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 1, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e shtetasit Shkëlqim Tarja, si autorë i dyshuar i këtij kërcënimi.
Grupi hetimor po vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij incidenti.