JORGO BLLACI – ESENINIANI I PAVDEKSHËM
Ese nga Xhevair Lleshi
Ai po më priste në galerinë e Arteve «Eduard Lear» në Berat, mu në buzë të rrugës anësore. Asokohe ishte drejtor Shtëpisë Botuese «Naum Frashëri», i trashëgimisë së saj. I kisha dërguar një ftesë të thjeshtë për ekspozitën e botimeve «Uegen». E vërteta është se ne sa kishim hapur sytë dhe e kërkonim me qiri ballafaqimin me lexuesin. Jorgo Bllacin, poetin dhe përkthyesin, kisha pasur fatin ta njihja pikërisht atëherë kur nuk qe e nevojshme, atëherë kur gjërat s’mbahen mend. Por mua ai fakt më qe ngulitur thellë. Dikur, motrat mësuese që rrinin në katin e parë të shtëpisë sonë të vjetër, me që bëhej një konkurs nga shtëpia e pionierit, më dhanë një vjershë të Eseninit në rusisht që ta mësoja përmendësh dhe me synimin që ta recitoja. Rusisht unë nuk mësoja ende, por ato dinin mirë dhe me që kishin pesë veprat e zgjedhura të Eseninit në rusisht u vinte për mbarë që ta vrisnin kohën e lirë duke recituar lirikun e madh. Dhe unë e mësova lirikën e parë kushtuar nënës, e recitova në konkurrim dhe fitova. Asokohe Jorgo Bllaci (unë sigurisht nuk e dija) ishte mësues në fshatin Lumas, katër orë në këmbë nga Berati po qe se do t’i ngisje mirë atë, ndërkohë edhe kryetar i jurisë. Duket me që kishte lidhje me Eseninin më dha çmimin e parë. U ngrit nga tryeza me beze te kuqe dhe më puthi në ballë. Ai sigurisht s’kishte arsye ta mbante mend, kurse unë po. Më shumë se unë u gëzuan tri motrat mësuese, të cilat të tria e dinin gjithë Eseninin përmendësh. Sa lodhej njëra fillonte tjetra. Ia kujtova Jorgos gjithë atë «alamet ngjarjeje», ai qeshi dhe më tha se ato tri motrat mësuese nga Elbasani, i mbante mend dhe e dinte që e kishin mësuar përmendësh Eseninin. E çuditshme, më tha, të gjitha ndodhitë e kësaj jete, me mua, sikur lidhen vetiu me Eseninin. Ai është jeta ime. Ai më bëri poet, përkthyes, njeri, më dha guxim, forcë dhe dinjitet. Edhe më pak se kaq sa ç’tregova, do të mjaftonin për personalitetin tim. E dua, e kam në shpirt, më ngadhënjen, më bën të ndihem mirë. Edhe unë si ato tri motrat mësuese, të tuat, (Jo të miat, i dashur mik, e ndërpreva dhe ai e kaloi me një buzëqeshje të lehtë) e di edhe sot e kësaj dite përmendësh në rusisht e në shqip Eseninin e madh! Jam gati edhe këtu, te këto shkallë ta nis recitimin. Ai, or mik, të bën të papërmbajtshëm. Po, si, akoma të djeg e puthura ime në ballë? Dhe qeshi ngrohtë, aq ngrohtë sa edhe prilli paradite, teksa ne prisnim të hapej dera e galerisë, nuk do ta duronte dot.
Esenini, filloi sërish Jorgo Bllaci, mbërriti më në fund tek unë si flakë. E përpiva. Doja të kridhesha bashkë me të gjer në thellësi të Jonit, të mbështetesha diku në hijet e dendura të Lunxhërisë sime, apo të fluturoja diku larg bashkë me zogjtë shtegtarë. Pushoi pak dhe sikur po ngacmohej për t’ia nisur sërish, sikur do të merrte një udhë të gjatë. Esenini, vëllai im, duket nganjëherë si plak i ngeshëm që të detyron ta dëgjosh me vëmendje dhe të mendosh që nuk jetoi më shumë se tridhjetë vjet! E ky plak të krijon përshtypjen se e kalon kohën me fjalë, me to sikur të kap nga mënga dhe të pyet me vargje të stilizuara, të ngjall kureshtje të habitshme, të jep gjallëri të paparë. Befas ky plak është kthyer në një djalosh leshraverdhë e sy të butë e të kaltër që të lenë pa mend. Djalosh me mendje plaku dhe me vargje të dashuruar që burojnë nga një shpirt i thekur, i etur, nën pushtetin e një hegjemonie të bukur nënvetëdijeje…
Duhej ta kishe mendjen top e ta dëgjoje i kredhur nën shtypjen e bukur e të adhurueshme të fjalës. Jorgo Bllaci, në fund të buzëqeshjes kishte një tik interesant e të veçantë. Pasthirrma e tij sikur groposej e ai s’mbushej dot me frymë. Me sa duket nga vitet e dënimit. Duhet të kenë qenë të tmerrshme, derisa ia kanë plagosur rëndë të qeshurën, zërin prej aktori të lindur, frymën e ngrohtë që shtrëngonte fort për ta zotëruar kurdoherë situatën. Po, miku im, Esenini të bën për vete që në vargjet e parë. Nuk gjen dot tjetër si ai. Në burg deshën të ma vrisnin Eseninin tim, por me një krahëmarrje befasuese: donin që ta recitoja para të burgosurve. Nuk recitoj dot, u thashë. Nuk di të deklamoj vargje. Unë vetëm ia përsëris vetes. Kaq. Komandanti s’e dëgjoi gjer në fund. Mirë tha, thuaje po jo për vete, si të thuash për vete por me zë! Atë çast pata ndjesinë sikur mendimi po më ndrydhte trurin dhe sa s’më plasi koka. Mund ta futja veten në mijëra shkarëzime truri. Por mjaftonte që dikush të pëshpëriste ca fjalë të pakuptueshme nën buzë dhe unë pastaj të thyeja gjuhën. Jo, thashë me zë të ulët, nuk mundem. Sigurisht kaq duhej. Ata qenë ustallarë të torturës, të vdekjes dhe unë do të duroja deri në fund, duke recituar, domethënë të bëja për ta atë që nuk bëra për shokët e mi! Ia ke parë sytë Eseninit? Ku? Si? Atëherë fillonte gjithçka nga e para dhe unë përpunoja vargjet e tij, pastaj e dija se do të krenohesha me vargjet e gjetura. Ndoshta edhe Esenini atje, para çekistëve bolshevikë të njëjtën gjë kish bërë, derisa ata i morën jetën dhe në mënyrën më brutale të mundur e plasën në dhomën numër pesë të katit të dytë të hotelit «Ingliterra» në Leningrad (Sankt Pjetërburg). Ato që belbëzoja dukeshin si psalmet e ndërkryera, që s’i dëgjon njeri. «Ah, mëmëdhe, ç’u bëra qesharak! / Në vendin tim po ndihem krejt i huaj!» Sa herë i kam pëshpëritur këto vargje, unë e di, më vinte t’ia shkrepja të qarit (jo të dënesja, jo!) si fëmijë ndoshta është pak, pastaj çuditesha me veten time se si arrija të kridhesha aq thellë si te dikush tjetër, pale që të gjitha i mendoja dhe i belbëzoja në një gjuhë të largët. Iku, tha torturuesi, kaq e pati i shkreti! Mendja sa një kokërr gruri është! Dhe pallma e të qeshurës përmbyti të gjitha qelitë e torturave. Por erdhi një çast që isha me veten time, që mund të mendoja kthjellët. Ai, Esenini i mrekullueshëm më futi brenda, ai po më torturonte. Pse nuk thosha poezitë e mia? Pse ta përjetoja kaq thellë zhgënjimin tim? S’besoj se i kanë përjetuar edhe të tjerë këto tortura, ndaj provova të krijoja diçka timen por kush të besonte? Ç’strofë të hidhur mund të belbëzoja me mendje? Të ruaja muzikalitetin dhe kadencën eseniniane, të jepja frymën e tij, të shtrëngoja dhëmbët e të fishkëlleja, të gjeja dhimbjen time më të sinqertë dhe apoteozën e çiltërsisë ta jepja me shpirtin tim në thellësitë e paimagjinueshme. Por, megjithatë e dija: ata do të bërtisnin: jo, këto nuk janë të tuat! Se, ti, ne dhe gjithë bota e di tashmë, ti malukat, i ke mësuar vargjet e tij përmendësh. Gënjen, po, po, gënjen si bastard që je, duke na hedhur hi syve sikur po krijon vargje të tjera. Ne i dimë të gjitha! Të gji-tha! Merr vesh?… Kështu mbaronte dita, ikte fryma, gjë që mund t’u ndodhte të gjithëve. Poezi përplot dhembje e çiltërsi! Ata nuk kishin si ta dinin se gjuha jonë shqipe është më bujare se të tjerat për t’i thurur po aq bukur sa edhe Esenini im i shtrenjtë! Margaritarë të bukur që ma mbani shpirtin gjallë! Nga thesari i fjalëve që burojnë prej shpirtit po zgjedh vargje të rinj të Eseninit…
O Zot, ai nuk besoi kurrë te komunistët, nuk i dha fytyrë miku, s’e pranoi dot gënjeshtrën dhe nuk qe i gatshëm të lidhte gjëkund qoftë edhe një degëz dafine. Ai kishte për perëndi artin dhe poezinë, nuk u lodh kurrë të kandisej tek të mjerët, nuk arriti t’i shihte, sepse i besonte yllit të vet, asaj që ndiente dhe bredhëronte me iluzionin e bukur të botës së shkretuar nga mjerimi, duke marrë frymë thellë nga makthi që linte pas poezia. Mirëpo poezia e mbante fort tek iluzioni dhe magjia e figurave, sinqeriteti dhe ndjenja e hollë, e brishtë. Dhe nuk u bë kurrë rob i mjerimit, as i kuturisjeve boshe. Esenini i pakorrigjueshëm e donte gjithçka, edhe shoqërinë, me një finesë aq të hollë sa s’mund ta vije re, por fare mirë mund të shkriheshe në të me një madhështi të pabesueshme. E ndiej, e shoh që ai, mik i njerëzve me zemër të madhe, herë-herë këlthiste me zërin e dashur dhe nervoz, joshës gjer në këputje shpirti. Kurrë nuk u bë cinik, imponues po. Esenini im i shtrenjtë të merrte më qafë duke ruajtur ritmin teksa lexonte me zërin e njohur që të rrëmbente. Askush s’mund ta bënte dot aq bukur. Ju s’mund ta besoni se ç’ngjyrë i jepte vargut Esenini. Vetëm se duhet ta shihni me vëmendje, pastaj edhe duhet t’i njihni mirë ngjyrat, sidomos kur ato thuren në vargje. Po edhe diçka tjetër, Esenini i madh si askush tjetër u jep vargjeve temperaturën e pëlqyer, me ndryshime të befasishme por duke ruajtur me një ndjenjë të rrallë që amplituda të mos vihet re. E ka thënë njeri tjetër këtë? Jo, nuk e besoj. Lajtmotivin e bukur e mbron temperatura që përvijohet pa u dukur dhe gjithnjë e bryllët përshkoi atë bisedë tejet shpirtërore, komentin e mrekullueshëm që i bëri një poezie mjaft intime, kur pas vdekjes poeti do të kthehej tinëz në dhomë dhe ajo, gruaja e dashur, do ta ndiente ëmbël dhe në gjumë. Sa i afërt bëhej Edhe vetë Jorgo Bllaci kur të fliste për intimitete njerëzore. Sidomos poezia e pas vdekjes të mbetet në mendje nga ai takim i fundit me të. Pastaj mund të kërkoje edhe një damar tjetër, ndoshta prej ari te vjershat e tij të nxehta, por, ndërkohë e gjeja si të fshehur nëpër rrugët me pluhur e baltë të fshatit, në ujëra të qeta lumenjsh, në klithma zogjsh, fshehur nganjëherë edhe në mes të entuziazmit të fshehur par tronditjeve të mëdha. Në atë kohë Jorgo Bllaci ngashërehej keq, nuk e bën te dot poetin e njohur, e dëbonte poezinë moderne të Moskës, të huliganëve, të pjetërburgut, të prostitutave, figurat e guximshme e të rrema, sensacionin poetik të turbullut dhe të fryrë që aq shumë pastaj do ta gjeje edhe në poezinë shqipe fasadë, pse jo edhe tek tradicionalizmi i rinovuar me një thjeshtësi të shtirë dhe me dukje të pështirë karakteristike, e ënjtur në frymën popullore. E di, e di mirë që Esenini nuk u fut dot te lirika jonë, sepse binte ndesh me një realitet tjetër. Unë i besoj fort kësaj ideje. Megjithatë poezia e tij më ngadhënjen sepse ai nuk ecën kurrë me vargjet e veta në hije, ndryshe do të dukej sikur binte në mëkat. Ndoshta një mëkat poetik s’përbën problem. Ja, unë që i kam në mendje lirikat e tij të mrekullueshme sikur do ta doja këtë mëkat, por atë nuk e la kurrë të binte në këtë «humnerë» entuziazmi i tij. S’ka poet pa entuziazëm dhe përjetësisht rinor, por ai e përjetonte këtë edhe si individ në një mënyrë të veçantë. Sepse ai i ka dhënë shpirt të përsosur poezisë, ndryshe nga të gjithë ata që ndiqnin hapat e tij. A nuk e vini re se ky Poet i paimagjinueshëm e ngjesh mendimin brenda butësisë së shpirtit, shoqëruar me freski (të duket sikur fryn briza e malit, të paktën mua më vjen kështu ngaqë jam lunxhiot katërqind karatësh!). Dhe çfarë freskie! Mos harroni se edhe kjo vjen me një spontanitet tejet njerëzor, ndjenjë të pastër, të thellë dhe me ritëm të lartë! E vërteta është se kam lënë mendtë me Eseninin! Jo, s’kam të dytë pos vetes! O Zot, kam kërkuar të tjerë poetë që ta dinin përmendësh lirikën e tij! Nuk kam gjetur. Që herët e doja këtë. Një profeci e heshtur ma shtroi në mendje, atëherë kur u bëmë bashkë një grup të rinjsh dhe përkthyem Eseninin, pa e ditur mirë ç’kolos kishim përpara. Sot unë them se kjo ishte një përpjekje fillestare. Ktheva kokën pas. Ngriva. I thashë vetes: Ky ta rrëmbeu zemrën, të bëri si veten. Asgjë s’të përket ty. Vetëm atij. Ma fali menjëherë veten, më mbushi qenien e padukshme me një instinkt të rrallë e të fshehtë. I thjeshtë ai, i thjeshtë edhe unë, madje më fali papritur e papandehur pamjen e poetit (edhe unë bojë kashte flokët, edhe unë i ngjashëm, madje edhe sytë më bëheshin vetiu blu!), më dha tjetër fisnikëri. Nuk ngurrova aspak: iu dorëzova me shpirt. Ishte i jashtëzakonshëm. Vargje të bujshëm, fshehur në ndjenjën e madhërishme, rrëqethëse.
Jorgo Bllaci u koll. Më pa në sy. Vërtet sytë e tij patën marrë ngjyrën e detit, por me një errësim turbullues. Po, u ktheva tek Sergej Esenin, thuajse 20 vjet pas shqipërimit të poemës «Ana Snjegina» dhe disa vjersha të tjera që amatorët e poetit mund t’i kenë gjetur në librin «Lirika», atij të botuar më 1961. Por këtë radhë u ktheva tek ai «përbindësh» i poezisë për të mos u ndarë kurrë. Dhe kam zbuluar me keqardhje se e kisha njohur fare pak, kisha qenë thjesht i magjepsur pas vargut të tij, po ama pa arritur të kuptoja mirë thelbin, pavarësisht se e dija përmendësh.
Miku im, Esenini, ta dish, ka një përzemërsi të habitshme. Ai t’i zbraz gjithë dertet e shpirtit në duar. Dhe dihet që ti mbetesh pa frymë. Po, kjo është gjuha e vërtetë e poezisë! Lëri mënjanë, sikur thoshte ai, stërhollimet, turbullimet, enigmat, dhe shikoje shpirtin si rrjedh para teje, njëlloj si gjaku, si ujët e ftohtë në zheg. Mos më thuaj tjetër gjë. Ta them unë, Poezia e Eseninit ka në zemër dhembjen. Doni t’ia shkatërroni gjithçka atij Poeti të Madh? Po. Hiqjani dhembjen. Por, a ka dhembje pa shpirt? As mos bëni sikur e harroni këtë gjë dhe as mos e zëvendësoni me atë që quhet «mendim». Do të zhgënjeheni. Do të dështoni me turp…
Esenini ka një univers poetik me përmasa të jashtëzakonshme!
Shpirti i çiltër i Eseninit dhe unë këtë e kam kuptuar mirë, është tragjedia, por edhe pavdekësia e tij. Dhe mos harroni, këtë e sjell dashuria dhe përgjërimi për njeriun, përmes një muzike të përsosur të vargjeve të tij. Guximi i tij gjithnjë ka qenë tronditës, i dashuruar në mënyrë origjinale dhe të mrekullueshme, një mahnitje që bënte majë. Ai Poet filozofonte me metaforën e tij të ndritshme, madje edhe të çuditshme, me det e fushë, me lumenj dhe puhizë.
Vëri re, të lutem. «Ç’të bësh, atdhe! Këtu arriti puna. / Kujtoja se me ty jam shkrirë përgjithnjë./ Po sot s’u dashka arti im, as unë…» Këto ishin vargjet ulërima të Eseninit! Gjarpri e huton njeriun duke e parë sy dhe pastaj e helmon. Demagogji tiranësh që nuk i përfillin poetët, siç ndodhi me mijëra Eseninë në botë, por ua bëjnë jetën skëterrë. Pastaj, pas vdekjes u ngrenë monumente, madje i lodhin e i masakrojnë me nderime e me tallje të përbindshme. Megjithatë poetët e kanë shpirtin det të gjerë. Ja, edhe dy vargje do t’i them, si gjithnjë nën zë: «Të më vishni këmishë ruse,/Të më vini të vdes nën ikonë»…
Kënga e shpirtit të tij (që iu bë pa jehonë edhe shpirti im!) u shndërrua në një perlë të rrallë, me një xiglim të hollë. Po këto i di mirë veç kokëkrisja e poezisë së tij, frymë e ngrohtë e njeriut të mirë. Dhe përherë më ndal Esenini im, më mban për xhakete, më bën shpesh ta pres, pranë ekstazës së zjarrit, të atij zjarrit shfarues të vjershave të ëmbla, gati të shpërthejë me zulm e bujë, me një ndjenjë të hollë tronditëse, në kufijtë e lirisë. Pyes veten: a jam edhe unë po ky? Profeci e gjallë. E them me një pikëllim të thellë. Ai Poet ma mori jetën dhe më dha Frymën. Vargjet e tij në çdo kohë do t’i recitoj me madhështi. Vështroj tani dhe kurdoherë me Frymën e tij dhe me sytë blu të ndritshëm që më bëjnë gjithnjë pa moshë, duke mbetur përgjithmonë i ri, si Ai! Një takim dashurie, po vetëm me Frymën e tij të fuqishme, me ritmin dhe shpirtin këngëtar. Varg rekuiem? Jo, kurrë! Jeta dhe vdekja pa apokalipsin. Ah, poezia! Esenini im! Amen!