Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Kume: Politika e vonuar për reformën zgjedhore, futja e teknologjisë e pamundur

Kristaq Kume: Politika e vonuar për reformën zgjedhore, futja e teknologjisë e pamundur

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, deklaron se reforma zgjedhore është neglizhuar nga politika, pasi vërehet qartë mungesa e një produkti konkret. Në një intervistë për mediat ai thotë se politika është e vonuar në realizimin e reformës zgjedhore dhe kjo mund t’i shtyjë forcat politike të marrin vendime të nxituara në fund.

“Është fakt që deri tani, përveç deklaratave, puna për reformën zgjedhore nuk ka prodhuar asgjë. Nëse do të vazhdohet me këtë qëndrim ndaj detyrës për reformimin e legjislacionit zgjedhor do të ndeshemi me një situatë të përsëritur si ajo e zgjedhjeve të mëparshme. D.m.th ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të bëhen në momentin e fundit dhe për pasojë do të jenë të diskutueshme, ose mund të ndodhemi para situatës kur të shkojmë në zgjedhje si në 2013-ën, ku reforma zgjedhore nuk u zhvillua fare”.

Sipas ish-kreut të KQZ-së Kume fakti që vëmendjen e klasës politike e ka marrë reforma në drejtësi nuk është alibi, pasi Kuvendi i Shqipërisë i ka kapacitetet për ta përmbyllur reformën zgjedhore një orë e më parë.

Në lidhje me implementimin e teknologjisë në zgjedhje, Kume thotë se ajo do të shmangte shumë problematika, të cilat lidhen më së shumti me procesin e administrimit të zgjedhjeve, por dyshon se votimi dhe numërimi elektronik mund të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme.

“Normalisht futja e teknologjisë në zgjedhje e ndihmon edhe më shumë procesi, por gjithçka duhet të bëhet në mënyrë të mirëmenduar dhe pa devijime në mënyrë që rezultati të jetë sa më i mirë. A mund të realizohet votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet e ardhshme? Unë kam rezerva për këtë, duke pasur në konsideratë edhe afatet kohore të cilat kanë mbetur”.

Kume flet edhe për votën e emigrantëve, për të cilën sugjeron të ndiqen praktikat e vendeve fqinje. Në lidhje me sistemin zgjedhor, Kristaq Kume nuk mendon se ai do të ndryshojë, pasi për këtë sipas tij duhet një konsensus i gjerë, kryesisht i forcave të mëdha politike, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike.

Please follow and like us: