Marta, historia e një gruaje tradhtare
Historia flet për një grua që falë ose mbase jo vetëm vetes dhe sensit të saj kritik, lufton me modernitetin e vet. Janke Klok, kritik i njohur i letërsisë u përpoq të futej në mëndjen e saj. Ashtu si një burrë, ai e dinte se asnjëherë sdo të mund të gjente strehën e së vërtetës, në mëndjen e një gruaje. Ajo do ti hapte dyer pafund, por pa e futur asnjëherë në dhomën ku fsheh sekretet. Kështu ndodhi dhe me Martën, personazhin kryesor të romanin “Zonja Marta Ouli”, shkruar nga Singrid Unset. Një grua që pranon që në rreshtat e para të librit se ka tradhëtuar të shoqin, dhe nuk kërkon të fshehë asgjë, me guximin e pashoq që mund të kishte një grua gati një shekull më parë. Marta Benniche është shkrimtare dhe shtëpiake. Si një cand, philos njëzetedyvjeçare, ajo takohet me tregtarin e ri flokëkuq Oto Ouli, me të cilin martohet dhjetë muaj më vonë. Por Undseti nuk e fillon romanin me takimin e Martës me Oton, por me fjalët: “Unë nuk i kam qëndruar besnike burrit tim”. Me këtë deklaratë e fillon Marta ditarin e saj pas njëmbëdhjetë vitesh martesë dhe e kishte mbajtur me kujdes për dy vite me radhë. Ky ditar është struktura e vetë romanit. Sepse Marta fillon një monolog, ku ajo tregon publikisht mendimet, ndjenjat e fajit dhe kthimet prapa në të kaluarën. Undseti e bën lexuesin t’i duket sikur është ulur e po dëgjon në radhën e parë. Gjatë rrjedhës së romanit dalëngadalë bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur përpara se Marta të fillonte të tradhtonte dhe gjendjes ku ndodhet tani. Mënyra e rrëfimit e Undset të bën shumë të mendosh për teknikën e retrospektivës që kishte futur Ibseni për herë të parë në dramat e tij të kohës dhe që më pas u përdor sidomos nga autorë të tjerë në libra tërheqës. Undset shkon madje një hap më tej Ibsenit: përmes një libri në formë ditari, ndërkohë që zbulon dalëngadalë historinë, ajo të bën të ndiesh komentin ironik të personazhit, unë, në vetën e parë. Kështu vizioni i Otos se ç’është një “grua e rrëzuar”, mendon se duhej ndëshkuar duke u përfshirë në një flirt në rivierë, kjo e shoqëruar me idenë se perceptimi i Otos mbi gjërat ishte “tejet i thjeshtëzuar”. Duket sikur Undset, personazhit të saj kryesor Martës, do t’i japë të gjitha cilësitë e një gruaje moderne. Marta tregon hapur dëshirat e trupit të saj, përfshihet me dëshirë në diskutime nëpër kafene ose në vende të tjera publike; ajo nuk beson në Zot, është veprimtare e lëvizjes së grave dhe e arsimimit të të rriturve, punon jashtë shtëpisë pas martesës dhe lindjes së fëmijës së parë dhe është qytetare me zemër e zakone. Me fjalë plot dashuri, ku teknologjia moderne, kultura e hollë dhe natyra shkojnë dorë më dorë, ajo tregon për qytetin ku banon. Falë vështrimit të mprehtë të Undset, romani jep një pamje magjepsëse të klasës së mesme në Kristianin e fillimit të shekullit 20, por libri para së gjithash hedh dritë mbi botën e brendshme të një gruaje të re gjatë periudhës kalimtare mes aristokracisë së vjetër në një botë në rënie, të përfaqësuar nga Henriku, dhe botës së re tregtare të mishëruar prej Otos. Një shkrimtar thoshte Undset, duhet t’u heqë maskën iluzioneve të personazheve dhe këtë ajo e ka bërë pikërisht në këtë roman. E veçanta e Martës është se ajo ndihet e afërt si me botën e Otos, ashtu edhe me atë të Henrikut. Undset i vë këto dy botë, sidomos në lëmin estetik, kundër njëra-tjetrës, ndërkohë që si përmbajtje ato janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën: Oto dhe bota e tij nuk mund të ekzistojnë pa kulturën klasike të Henrikut, ndërsa Henriku dhe bota e tij nuk mund të bëjnë pa forcën dhe ëndjen për jetë të Otos. Marta është në këtë rast elementi bashkues. Zëri i saj është ai i Undsetit në kohën kur ishte në kërkim në punën e saj, zëri i një gruaje të pavarur që “nuk konkurronte me burrat dhe përmes tyre të mund të thoshte se çfarë është gruaja e përjetshme dhe se çfarë sjelljeje kishte parashikuar për këtë grua të përjetshme”, por që idetë klasike mbi të bukurën dhe përmbajtjen t’i integronte në kohën e saj. Historia e Martës i tregon lexuesit me një këndvështrim psikologjik dhe realist portretin e një gruaje në konflikt të brendshëm mbi temat e vjetra dhe të përjetshme të dashurisë, rolit të nënës dhe legjitimimit. Marta e Undset është Marta e Biblës, një grua që përkujdeset, por ajo është edhe një Martë e zakonshme, që diskuton në publik, që feston deri vonë dhe është e pavarur ekonomikisht. Marta është një grua që qëndron e pavarur ndaj të dyja botëve, asaj të Otos, por që në fund i braktis që të dyja. Pasi vdes Oto, Marta nuk pranon të martohet me Henrikun. Ky vendim e vendos atë në një situatë ku ajo është njëkohësisht e çrrënjosur dhe e mbërthyer mirë në realitetin e saj të ri. Në këtë paradoks qëndron pjesërisht identiteti modern i personazhit kryesor të Undset. Por, një anë e jetës nuk zë më asnjë vend në këtë identitet të ri. Marta vendos që pas vdekjes së Otos të jetojë pa një partner, që në rastin e saj do të thotë, një jetë pa seksualitet dhe erotikë. Pranimi i idesë që erotika është pjesë e pandashme e jetës moderne dhe vendimi i personazhit kryesor për të jetuar pa asnjë partner, është kumti i dyfishtë i këtij romani. Historia e Martës mbaron midis tensionit të dëshirës për të qenë moderne dhe refuzimit të jetës moderne. Pikërisht në këtë tension qëndron moderniteti i këtij romani. Krahas tyre, romani me përshkrimet e qytetit, strukturën e fragmentuar të ditarit dhe përdorimin e larmishëm të elementeve natyraliste, bëjnë që në brendësi të traditës së vjetër të rrëfimit të shfaqet një shtysë e re e fuqishme. Singrid Unset në vitin 1907, Singrid Undset (1882- 1949) u prezantua për herë të parë me romanin bashkëkohor të shkruar në formë ditari “Zonja Marta Ouli”. Fillimi i karrierës së Undset me një roman modern lidhet edhe me reagimin ndaj dorëshkrimit të parë që ajo dorëzoi asokohe te botuesi. Në vitin 1905, ajo pati dërguar në shtëpinë botuese “Gyldendal”, një roman për të cilin drejtori Peter Nansen u shpreh me këto fjalë: “Mos provoni më të shkruani romane historike. Nuk dini t’i bëni. Por mbase mund të shkruani diçka më moderne. Ku i dihet”. Kur mendon se vite më vonë Undset mori çmimin “Nobel” me romanet e saj historike, këto fjalë ruajnë ende brenda diçka legjendare. Pas mospëlqimit të hapur të Nansen, në vitin 1905 ajo u mbyll në shtëpi për të shkruar një libër që do t’i plotësonte të gjitha kushtet për t’u klasifikuar si modern. Ky libër ishte “Zonja Marta Ouli”, i pari nga shtatë librat modernë që u botuan gjatë periudhës 1906-1918 dhe që së bashku formojnë një kapitull të veçantë brenda veprës së Undset.
Alda Bardhyli