Albspirit

Media/News/Publishing

Postat: Bien ndjeshëm blerjet online

Postat: Bien ndjeshëm blerjet online

Prej vitesh, Nertila ka qenë një blerëse e rregullt online, duke siguruar përmes internetit pjesën më të madhe të veshjeve të saj. Në kërkim të raportit më të mirë cilësi-çmim, blerjet online ishin për të zgjidhja idale, ndërsa në dyqanet në Shqipëri, përveçse mundësia e zgjedhjes është e kufizuar, kanë dhe çmime të larta për atë që ofrojnë dhe në më të shumtën janë produkte kineze. Nertila thotë se shpenzonte çdo muaj të paktën 60 euro.

Ulja e kufirit të taksimit për blerjet online në 22 euro, në fuqi nga 3 gushti, pa dyshim që do të ndikojë në sjelljen e saj. Ajo thotë se do mundohet të blejë me vlera të vogla dhe të kapë ofertat, teksa do të bëjë llogaritë nëse sërish i leverdis ta porosisë online, me gjithë shtrenjtimin për shkak të taksave.

Ashu si Nertila, shumë blerës online tashmë do të mendohen dy herë përpara se të porositin një veshje, një pajisje elektronike, apo një produkt tjetër.

Rënia tashmë ka filluar. Monitor kontaktoi me disa posta private që konfirmuan se dy-tre javët e fundit, porositë online janë përgjysmuar.

Nëse më parë, na vinin 35 pako në ditë, tani vijnë maksimumi 15, por ka dhe ditë që vijnë 5 ose 10 të tilla, thotë operatori i një poste private.

Sipas tyre, efektin kryesor e ka dhënë shtrenjtimi me 22.4% i mallit që blihet online për shkak të TVSH-së prej 20% dhe taksës doganore prej 2.4%.

E kontaktuar nga Monitor, Posta Shqiptare parashikon se vendimi i fundit i qeverisë për ulje e pragut të blerjeve online do të ndikojë në reduktimin e këtyre blerjeve. Edhe pse gushti nuk është muaji i duhur për të parë tendencën për shkak se është periudha e pushimeve, por edhe sepse do të duhet njëfarë kohe për të mësuar rregullat e reja, muajt në vazhdim do të japin një panoramë më të qartë të sjelljes së konsumatorit shqiptar.

Tre vendet kryesore nga vijnë pjesa më e madhe e blerjeve që kryhen online janë Italia, SHBA dhe Kina. Sidomos rënia e monedhës së përbashkët muajt e fundit, e kishte bërë më të leverdishme blerjen në euro (një euro këmbehet aktualisht me rreth 137 lekë, nga 140 lekë vitin e kaluar).

Edhe procedurat e komplikuara për zhdoganimin kanë ndikuar në stepjen e konsumatorëve. Pas problemeve të ditëve të para, sipas drejtuesve të Postës Shqiptare është rënë dakord me Doganën Shqiptare që të lehtësojë procedurat dhe detyrimet doganore të paguhen në sportelet e postës. Për këto shërbime, në total, pranë postës do të paguhet një tarifë prej 300 lekësh.

Si rrjedhojë, blerësit kur porosisin online duhet të bëjnë llogaritë, që krahas taksave, që i rrisin 22.4% vlerës së mallit, të shtojnë dhe 2.2 euro për kostot e zhdoganimit dhe postare.

Taksimi i blerjeve online
Një vendim i fundit i qeverisë, i hyrë në fuqi nga 3 gushti, që blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro, ka shkaktuar zemërimin e konsumatorëve.

Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore). Kjo nënkupton se për të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, individët duhet të llogarisin që çmimet do të jenë 22.4% më të shtrenjta. Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm.

Në mes të vitit 2014, qeveria vendosi që të gjithë ata që blinin online dhe iu vinte produkti me postë nga jashtë vendit, paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalonte 20 mijë lekë, duke e rritur, nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.

Ky veprim, sipas Financave, bëhet për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import. Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësore me çmime të pranueshme.

Nertila thotë se ia ka gjetur anën dhe kësaj. Do i dërgojë produktet te i vëllai që jeton në Francë dhe më pas ai do i nisë pakon pa etiketë. Ndonëse dhe në Francë ka një kufi taksimi online 22 euro, ajo thotë se një shoqe e saj ka përdorur të njëjtën rrugë dhe në Francë nuk u taksua.

Procedurat
Me marrjen e njoftimit nga Posta Shqiptare, për objektin postar që ka detyrime doganore, qytetari do të mund të paraqitet në zyrën postare qendër të filialit/degës me Kartën e Identitetit (ID), ku do të kryejë edhe procedurën përkatëse, duke pasur mundësinë që të realizojë edhe pagesën e detyrimit në sportelet e Postës Shqiptare, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Veprimet e plotësimit të deklaratës së thjeshtuar doganore, do të kryhen nga agjenti doganor i Postës dhe dokumentacioni i plotësuar do të vijohet për në Doganë.
Më pas, objekti postar do të vijohet në zyrën postare të qytetit ku banon qytetari.

Please follow and like us: