Albspirit

Media/News/Publishing

Shën Kozmai: Nuk jemi grekë, por të Krishterë!

  • Shën Kozmai një misionar i ortodoksisë dhe një kundërshtar i Greqisë së Lashtë e i gjuhës shqipe/

Shën Kozmai: Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot…

Nga Arben Llalla/

Çdo 24 gusht kryepeshkop Anastas i KOASH organizon tubime për të kujtuar misionarin e përhapjes ortodoksisë dhe asimilimin e popujve të tjerë si shqiptarët dhe vllehët në ish-Epirin shqiptar, sot Epirit i Jugut që i është dhënë dhunshëm Greqisë, ndërsa Epirit i Veriut i përket Shqipërisë.Propaganda për mbajtjen e manifestimit për këtë figurë klerike ortodokse hap gjithnjë debate të ashpra deri në akuza të rënda. Kryepeshkopi Anastasios, si avokat mbrojtës i Shën Kozmait gjithnjë do ripërsërisë fjalinë: “Në kohën kur veproi Shën Kozmai nuk kishte kufij shtetesh dhe gjuha shqipe nuk shkruhej, si e tillë ajo nuk mund të ishte pjesë e shërbesave fetare. Kështu, që Shën Kozmai nuk kërkonte arsimimin e popullit duke hapur shkolla për të bërë të mundur njohjen e librave të shenjtë”.

Si diplomat dhe filozof, Hirësia e Tij, mund t’i rradhisë mirë fjalët për të mbrojtur Shën Kozmain gjatë fjalimit para popullit, por ne do t’i vërtetojmë me fakte dhe shkencë se Shën Kozmai hapte shkollat greke për të asimiluar popujt e tjerë jogrek. Kryepeshkop Anastasi disa herë ka përmendur se Shën Kozmain e kanë respektuar ndër vite shqiptarët. Kjo është shumë e vërtetë që një pakicë e shqiptarëve e respekton Shën Kozmain si imponim i bërë nga rrethanat e kohës dhe nga Patriarkana e Stambollit. Por nga ajo shumicë e shqiptarëve ortodoksë që ka në Shqipëri, vetëm një pakicë i përkulet atij, në veçanti minoritarët grekë.

Kush është Kozma Etolos

Kozma Etolos lindi diku midis 1700-1714 (vit dhe datë të saktë nuk ka) në rajonin e Etolisë, në fshatin Mega Dhendron, afër qytetit Thermo, dhe u dorëzua murg në Malin e Agios Oros, ku kreu shkollën teologjike. Emri i tij i vërtetë ishte Konsta Anifanti dhe prindërit ishin nga Epiri i Jugut, Çamëria, të rrethit të Prevezës. Familja e Kozmait ishte shumë e varfër, babai i tij mbante çantat e fshatarëve nga fusha për në shtëpitë e tyre për të siguruar bukën e gojës. Ka shumë mundësi që ai ta dinte gjuhën shqipe të përdorimit të përditshëm. (Për çudi edhe Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastasi është me origjinë nga ajo zonë, ndoshta është lidhja shpirtërore midis tyre që Kryepeshkopi e nderon kaq shumë Shën Kozmain, duke ndërtuar për nder të tij brenda 10 viteve rreth gjashtë kisha në Shqipëri).Në disa libra rezulton se Kozma Etolos ishte vlleh, këtë e shkruan edhe G.A.Papathanasiu, në librin, “Historia e vllehëve”, botim, 1994, fq. 39. Në të vërtetë Kozma Etolos ishte nga zona që shumica e banorëve ishin vllehë, por kjo nuk do të thotë që ishte vlleh. Popullsia vllehe në Epir ka banuar vëllazërisht vetëm me shqiptarët, prandaj edhe zakonet, veshja e tyre është pothuajse e njëjtë.

Pasi mbaroi shkollën fetare, ai nisi misionin për asimilimin e vllehëve, bullgarëve dhe shqiptarëve në Traki, Maqedoni dhe Epir. Sipas gojëdhënave ka hapur rreth 200 shkolla greke, fliste gjuhën turke, frëngjisht, hebraisht, shqip dhe vllahishten. Që Kozma Etolos të ketë hapur rreth 200 shkolla greke, në kohën kur nuk ekzistonte shteti grek është e pamundur. Kjo është thjesht një gënjeshtër, sepse sipas të dhënave zyrtare të Greqisë, në 157 fshatra në Epir ka patur 78 shkolla greke më 1874. Pra, me gjithë financime dhe misionarë të shumtë, Greqia mundi në Epir të hapte vetëm 78 shkolla, ndërsa Shën Kozmai i vetëm 200?! Kjo është e pamundur. Ka të dhëna se Shën Kozmai ka hapur vetëm një shkollë në Himarë më 1770 dhe një shkollë në Dropull më 1773. Shkollat greke kanë qenë të pakta deri në fillim të shekullit XIX. Ato numëroheshin me gishtat e njerës dorë.

Kozma Etolos u arrestua në një fshat të Fierit nga turqit dhe u var më 24 Gusht 1779. Në një shënim Gjergj Mihali shkruan se Shën Kozmai u vra nga Mullai Ahmet Kurt Pasha i Beratit, i cili ishte paguar nga hebrenjtë. Për pagesën që bënë hebrenjtë për të vrarë Shën Kozmain shkruajnë edhe shumë autor grekë, sepse ai i urrente shumë këta të fundit. Kozma Etolos më shumë ka qëndruar në Epir, në atë zonë që e njihte mirë gjuhën e banorëve. Ai bëri një udhëtim në Traki dhe Maqedoni, por misioni i tij dështojë në këto treva. Shën Kozmai ishte një murg i thjeshtë, pa një vend të sigurtë qëndrimi, nuk shërbente në asnjë kishë, por bukën e gojës e siguronte duke mbajtur fjalime ortodokse në çdo fshat.

Sipas shumë biografëve Kozma Etolos bënte propagandë që dita e pazarit në Greqi të mos jetë dita e diel, ashtu siç e kanë vendosur hebrenjtë, por të jetë dita e shtunë, me qëllim që njerëzit të Dielën të shkojnë në kishë për t’u lutur. Thirrja e Kozma Etolos që dita e pazarit të bëhej të shtunën e dëmtoi rëndë bashkësinë hebre, sepse të shtunën ata kryenin ritet e tyre fetare.

Në të vërtetë nuk ishte ideja e Kozma Etolos që dita e pazarit të bëhej të shtunën dhe jo të dielën, por e tregtarëve shqiptarë të Epirit. Marko Gjolas (Markos Gkolias), në librin e tij, botim 1972, me titull: “Kozma Etolos dhe Epoka e tij”, në faqen 18, shkruan se shumica e popullsisë ishte e krishterë dhe tregtarët e krishterë dëshironin të kishin pazaret e tyre në ditën e shtunë duke dëmtuar tregtarët hebrenj. Financuesit e kësaj ideje ishin tregtarët shqiptarë të Epirit, të cilët financuan predikimet e Kozma Etolos për Ditën e Pazarit të jetë e shtuna. Kështu, nga një propagandë e thjeshtë për tregti, ajo u shndërrua në një propagandë fanatike fetare, e cila mori formën e plotë të urrejtjes ekstremiste midis ortodoksëve dhe hebrenjve.

Në fillimet e shekullit XVIII, shqiptarët po hynin fuqishëm si tregtarë në tregun e Perandorisë Osmane, ata mundën të organizonin Ditën e Pazarit duke ua marrë ekskluzivitetin hebrenjve, të cilët kishin gjetur hapësirën e pasurimit të tyre pikërisht duke organizuar këtë ditë.

Për urrejtjen e hebrenjve ndaj Shën Kozmai, ai vetë ishte i ndërgjegjshëm. Më 2 Mars 1779, Kozma Etolos i shkruante vëllait të tij, Krisanthos:

Dhjetëra mijëra të krishterë më duan, por vetëm njëri më urren, mijëra turq më duan, por vetëm njëri kaq shumë, mijëra hebrenj duan vdekjen time, por askush nuk e do jovdekjen time”.

Pra, siç del nga letra Shën Kozmai ishte i bindur se vdekja do t’i vinte nga hebrenjtë, sepse ata kishin shumë arsye për ta vrarë atë. Më 2013, Rabini hebre, Morntehai Frizi, deklaroi publikisht se hebrenjtë e vranë Shën Kozmain.

Sipas legjendës, Shën Kozmain e varën në një pemë dhe trupin e tij e hodhën në lumin Seman, pas tre ditësh e gjeti famullai i kishës dhe e varrosi në oborrin e saj.

Një gojëdhënë thotë se kokën e Shën Kozmai e mori Ali Pasha dhe e lau me argjend si shenjë respekti për profecinë në favor të tij.

Kozma Etolos nuk mundi të shkelte të gjitha trevat e Shqipërisë së sotme që banorët ishin në ato vite shumicë të krishterë si në Korçë, Elbasan, Durrës e gjetkë. Misioni i tij u ndal  atje, në Kolkondas të Fierit.

Shën Kozmai u shpall Shenjtor në 20 Prill të 1961, nga Patriarkana e Stambollit

Fakte që Shën Kozmai ishte kundërshtar i Greqisë së Lashtë dhe gjuhës shqipe

Në Doktrinë e parë Shën Kozmai i drejtohet grekëve:

Ne nuk jemi grekë, por të krishterë!

Dhe Unë, Vëllezërit e mi, që denjësisht qëndrova në këtë apostoli të shenjtë për mëshirën e Krishtit tonë dhe të Perëndisë sonë, Ju nuk jeni grekë, Ju nuk jeni mosbesues, heretikë, ateistë, por ju jeni të krishterë ortodoksë të devotshëm, se ju jeni të pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, ju jeni bijtë e bijat e Krishtit tonë.

Këto vargje të Shën Kozmait kanë shfaqur shumë polemika dhe diskutime në Greqi, sepse ai shpreh hapur luftën ndaj kulturës dhe Greqisë së Lashtë. Asaj Greqie që besojnë grekët e sotëm të jenë trashëgimtarë. Shën Kozmai ishte i vetëdijshëm se “grekëve” që ju fliste ishin trashëgimtarët e Greqisë së Lashtë, por ata nuk flisnin greqishten e tij, por gjuhën e perëndive të Olimpit që ishte dhe është shqipja. Shqiptarët e shekujve të kaluar ishin të bindur se ishin grekët e lashtë, këtë e ka deklaruar edhe ish-zëvendëskryeministri i Greqisë, Teodoror Pangallos më 2003, në Athinë.

Lufta kundër gjuhës shqipe e Shën Kozmait

Në të gjithë librat grekë që lexova për Shën Kozmain ndesha në fjalinë e tij kundër gjuhës shqipe që thoshte në trevat shqiptare: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, sesa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t’i porosis të gjithë të krishterët që t’i flasin dhe do t’i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit)

Me këtë teori Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Këtë shpjegim e thonë të gjithë studiuesit grekë të biografisë së tij. Në kohën që Shën Kozmai mallkonte gjuhën shqipe, ishte vetë Sulltan Abdulhamiti më 31 maj 1779, i cili lëshoi një ferman ku thuhej që të merret në mbrojtje kultura, gjuha greke, të mbrohen grekët nga shqiptarët, të ndiqen ata që mësojnë shqip. Por lind pyetja: Përse Kozma Etolos kërkonte të ndalohej gjuha vllehe dhe shqipe që flisnin banorët në territorin e Greqisë së sotme? Pra, kjo kërkesë e tij tregon se popullsia nuk ishte greke në ato territore ku propagandonte Shën Kozmai si në Trakia, Maqedoni dhe Epir, por shqiptare dhe vllehe.

Ka të dhëna se në vitin 1777, Kozma Etolos qëndroi në fshatin Baieasa ose Vovousa që banohej nga vllehët afër Janinës, ai ju tha banorëve:

“Gjuha greke është gjuha e Zotit, ndërsa gjuha vllehe është gjuha e djallit.”

Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, misionin e Shën Kozmait e vazhdon Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Gerasimos Janaullatos. Ai me anë të gjuhës melankolike, i butë dhe me një buzëqeshje ironike e me kulturën bizantine, “hiqu sikur s’ke, hiqu sikur s’je”, ka arritur t’i fusë në kurthe politikanët shqiptarë për të siguruar pavdekshmërinë e misionit të tij të vërtetë. Por, Hirësia e Tij duhet t’i trembet vetëm hakmarrjes së Zotit, ditën e gjykimit. Jam i bindur që ai i trembet vërtetë shumë asaj dite.

Çfarë ishte në të vërtetë Shën Kozmai

Shën Kozmai nuk ishte grek, sepse nuk ekzistonte kombi grek, as Greqia si shtet. Ai ishte një misionar i përhapjes së ortodoksisë së Bizantit duke sulmuar gjuhët dhe kulturat popujve të tjerë. Kozma Etolos, nëse do ringjallej sot do të çmendej nga nderimet e mëdha që i bënë Greqia, sepse ai punoi dhe luftoi për ortodoksinë nën Perandorinë Osmane.

Sot, Greqia Shën Kozmain e ka shpallur Babai i Greqisë Moderne. Ky është një vlerësim i drejtë, sepse ai tërë jetën e tij ia kushtoi gjuhës dhe kulturës ortodokse të sotme greke që s’ka lidhje fare me gjuhën dhe kulturën e Greqisë së Lashtë. Sipas kësaj del se Kombi i sotëm grek nuk është ai kombi grek që kanë shkruar filozofët dhe historianët e lashtë nga frymëzohet e tërë bota. Pra, historia e Greqisë së sotme fillon me Shën Kozmain, kjo sipas vetë grekëve.

Ka disa vite që thonë se është gjetur një letër e Shën Kozmait e nënshkruan në fund nga dora e tij para se ta arrestonin. Për mendimin tim ky është një mashtrim, sepse nuk mund ta vërtetojë askush origjinalitetin e saj duke u nisur nga koha që jetoi Kozma Etolos. Nuk janë ruajtur letra të tilla për shumë arsye, sepse ai nuk ishte ndonjë figurë qendrore e Kishës Ortodokse të Patriarkanës së Stambollit. Ato që i referohemi si profecitë e Shën Kozmait nuk janë veçse tekste, të cilat janë bazuar në predikimet e tij. Nuk ka dorëshkrime origjinale të tij, sikurse nuk ka edhe data të sakta për secilin prej tyre. Besohet se ndonëse fillesat janë predikimet e tij, ato janë shkruar dhe kopjuar vetëm pas vdekjes së tij, sikurse mund të ketë edhe modifikime si rezultat i këtij procesi. Bashkë me profecinë që shkruesit e më vonshëm i sollën deri në ditët tona japin edhe komentet që lidhen me kohën që jetoi Shën Kozmai.

Kozma Etolos ishte një fanatik i kishës ortodokse, i cili propagandonte gjuhën e saj. Ai kishte për qëllim që popullsitë që jetonin nën pushtimin osman si shqiptarët, vllehët, sllavët e të tjerë, t’i kthente në një popullsi unike në shërbim të Patriarkanës së Stambollit, e cila ishte vënë në shërbim të Sulltanit prej kaq vitesh.

A ishte profet Shën Kozmai?

Ai nuk mund të ishte profet, në atë periudhë shumë njerëz përdornin fjalitë që kishin lexuar nëpër libra për të përfituar të holla. Ishte koha, ku në perandorinë otomane njerëzit ishin injorantë, të pashkolluar, të shtypur, ishin skllevër që punonin për të paguar haraç dhe ishte e logjikës që një njeri i shkolluar në manastire në Malin e Agios Oros të gjente terrenin për të propaganduar për atë që ishte paguar.

Shën Kozmai në fjalimet e tij nuk i referohej asnjëherë filozofëve të Greqisë së Lashtë, por librave të hebrenjve, librave të krishterimit që nuk ishin të autorëve grekë, por hebrenj. Në këtë pikë kemi përplasje midis ideologjisë së filozofëve dhe të ortodoksisë. Ai ishte një mbrojtës i pushtimit turk, sepse shpesh herë predikonte se pushtimi turk është i mirë, ata i mbrojnë grekët nga kërcënimi i perëndimit.

Në përfundim të këtij studimi, i cili është mbështetur mbi bazë të të dhënave serioze le të hedhin akuzat ata që besojnë në gënjeshtrën. Le të na quajnë ateistë, komunistë, heretikë, jo i krishterë, nacionalistë, por e vërteta mbetet e vërtetë, edhe vetë profetët përkulen para fakteve të pamohueshme.

Shën Kozmai duhet nderuar vetëm për realizim e Profetësisë së Tij që Greqia e sotme është një shtet fanatik ortodoks, ku minoritetet nuk njihen, ku qytetarët grekë që i përkasin besimeve të tjera si myslimanë, katolikë, jakuva e të tjerë, shtypen, kërcënohen në vendin që pretendon se ka patur demokraci qysh në lashtësi.

Bibliografia e shfrytezuar

Gazeta, ANAPLASIS, Janar, 1953

Revista Istorika Themata, Gusht, 2003, Greqi

Revista, ISTORIKO Grnosia, 2001

Revista CONTACT, 2001, Agrinio

Marko Giolas, Kozmai dhe Epoka e tij, 1975

Κ. Simopulos, Udhëtarët e Huaj në Greqi,

Thoma Paskidhu, Pellazgët, 1879, Greqi

  1. D.Metallinu, I Zoi toy Kozma Etolos, 2003

Efstathios Gieorgios, Kozmas Etolos…, Thessaloniki, 2010

Menun Ioannio, Kozmas Etolos…., Athinë, 1979

Theothoru Zish, Agios Kozma Etolos, 2008

Stergios Sakkos, Agios Kozmas-Profetis

Nikoslaos Psimenos, Etolakarmane Llogji, 1981

www.history-of-macedonia.com

www.pare-dose.net

www.agioskosmas.gr

www.freeinquiry.gr

Please follow and like us: