Albspirit

Media/News/Publishing

Shtetet evropiane, të alarmuara rreth përleshjeve në Ukrainë


Vendet kryesore të marrëveshjes se Minskut janë alarmuar rreth shtimit të luftimeve në rajonet lindore të Ukrainës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Francois Hollande dhe presidenti rus Vladimir Putin diskutuan rreth situatës gjatë një bisede telefonike të martën dhe dënuan shtimin e luftimeve në rajonin Donbas, sipas një deklarate për shtyp të Kremlinit.

Sipas njoftimit presidenti rus Vladimir Putin theksoi “provokimet” e Ukrainës në Krime, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, pasi protestuesit rrëzuan nga pushteti ish-presidentin pro-Moskës, Viktor Yanukovych.

Të tre udhëheqësit biseduan gjithashtu rreth zbatimit të marrëveshjes së Minskut. “Ramë dakord se nevojitet përparim urgjent, por mbi të gjitha armpushimi duhet të jetë i qëndrueshëm”, tha një zëdhënës gjerman.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha javën e kaluar se ai nuk e përjashton shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe mobilizimin ushtarak, nëse intensifikohet konflikti separatist.

Presidenti Putin, kancelarja Merkel dhe presidenti Hollande ranë dakord të takohen për të diskutuar situatën në Ukrainë gjatë ditëve të Samitit të Grupit të 20-shes më 4 dhe 5 shtator në Kinë, thuhet në deklaratën e Kremlinit, pa përmendur nëse do të ftohet presidenti ukrainas Poroshenko.

Pavarësisht marrëveshjes së paqes të nënshkruar në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, në vitin 2015, e cila fillimisht ndihmoi për të ndaluar luftimet dhe pastaj për të ulur intensitetin e konfliktit, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vërejtur më shumë përleshje gjatë javëve të fundit, disa që përfshijnë edhe armatime të rënda.

Konflikti në lindje të Ukrainës mes separatistëve pro-rusë dhe trupave qeveritare i ka marrë jetën më shumë se 9 mijë e 500 njerëzve që kur filloi në pranverën e vitit 2014.

Ukraina shënon 25 vjetorin e pavarësisë së saj nga sundimi i Kremlinit të mërkurën, pasi ka mirëpritur një të ardhme evropiane, ndërsa ndeshet me marrëdhënie të tensionuara me Rusinë.

Please follow and like us: