Arben Malaj: Mbi debatin Kosovë – Shqipëri
Në shenjë respekti dhe mirënjohje për kolegët, po ndaj me ju disa argumente lidhur me diskutimet rreth bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri.
Ky debat u bë më konkret nga përzgjedhja që disa futbollistë të talentuar nga Kosova (që kanë luajtur apo janë stervitur me Kombëtaren tonë të futbollit), do të angazhohen me Kombëtaren e Kosovës.
Është një lajm shumë i mirë që Kosova ka rritur përfaqësimin e saj ndërkombëtar, si në institucionet ndërkombëtare politike dhe ekonomike, edhe në përfaqësimet kulturore dhe sportive. Rasti i Majlinda Kelmendit dhe respektimi i fitoreve të saj edhe nga liderët politik të vendeve që nuk e njohin Kosovën, është i jashtëzakonshëm.
2.
Diplomacia sportive është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar vlerat më të mira të çdo vendi dhe kombi. Kosova mund dhe duhet ta përdor sa më mirë përfaqësimin e saj në çdo aktivitet ndërkombëtar dhe në çdo nivel, si bilateral, rajonal, europian dhe botëror.
3.
Çdo sportist në çfarëdo lloj sporti që përzgjedh të përfaqësoj Kosovën meriton mirënjohje për dashurinë dhe përkushtimin e tij.
4.
Çdo sportist me origjinë apo vendlindje nga Kosova që përzgjedh të luaj me përfaqësuesen e Shqipërisë apo të vendeve të tjera ku janë rritur apo dëshirojnë të kontribuojnë, meriton respekt dhe mirënjohje për talentin e tyre.
5.
Çdo përzgjedhje e tyre duhet respektuar maksimalisht. Ata janë pjesë e ekipeve përfaqësuese, sepse janë më të mirët. Përzgjedhjet e tyre në kohë dhe situata të ndryshme për të përfaqësuar Kosovën, Shqipërinë ose vendet ku jetojnë, nuk cënojnë sado pak vlerat e tyre njerëzore dhe vlerëson në maksimum talentet e tyre.
6.
Projektet e integrimit të ekonomive, ekipeve përfaqësuese dhe të talentëve tanë, të nxitura dhe të mbështetura nga të dy vendet dhe partnerët ndërkombëtar, do të jenë në rritje dhe do të provojnë përfaqësim dinjitoz si komb. Kampionati Europian në Francë dhe përfaqësimi i Kosovës në Lojërat Olimpike janë prova dhe shembujt pozitiv më të mirë. Perceptimi ndërkombëtar për shqiptarët i ndryshuar pozitivisht, është fitorja jonë më e madhe në Francë.
7.
Në ekonomi synohet projekti “Dy vende një ekonomi” i cili nuk anashkalon apo nënvleftëson bashkëpunimin dhe integrimin rajonal dhe europian.
Në kulturë dhe sport projekti “Dy vende një përfaqësim ndërkombëtar apo një kombëtare” duhet parë si burim talentësh në rritje dhe të disponueshëm për ne. Përfaqësimi me një kombëtare në konkurimet sportive ndërkombëtare, do të jetë një proces i natyrshëm. Gjermanisë ky proces i mori rreth 44 vite, prej 1945 deri në 1989, kur dhe ra muri i Berlinit.
Kjo analizë mund të thellohet, por thelbi i saj mbetet i njëjtë. Ne duhet të angazhohemi me politika dhe mbështetje konkrete për rritjen e numrit dhe cilësisë së talentëve tanë, në ekonomi, kulturë dhe sport.
Duke qenë më shumë dhe më cilësorë, ne do të debatojmë më pak për përzgjedhjet e tyre plotësisht të drejta dhe thellësisht të respektueshme.