Argumente shterpe dhe qesharake të Blushit
Kur bisedojmë për kulturën, ne mendojmë në shumësi tiparesh shpirtërore e materiale të një vendi, siç janë: trashëgimia, libri, filmi, muzika, etj.
Dihet se kulturat marrin dhe japin nga njëra-tjetra. Ato ndikohen dhe ndikojnë. Për sumbull, kultura bashkëkohore, edhe sot vazhdon t’i shijojë e shfrytëzojë frytet e kulturës antike greke. Veprat e Homerit, influencojnë kulturën e përbotshme, ndikime këto që i hasim në kinematografi, letërsi, teatër, etj. Kështu ishte në të kaluarën, kështu është sot, dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Kjo për faktin se kulturat, synim parësor kanë të ushtrojnë ndikim.
Secila vepër arti, shkruhet me qëllim që të përfitojë sa ma shumë audiencë. Të jetë e shijuar dhe e pranuar prej sa më shumë popujve. Ndërsa kryeveprat a veprat e përkryera të artit, përveç se ushtrojnë ndikim përbrenda kulturës ku krijohen, ato bëhen universale dhe lënë gjurmë në krejt kulturën botërore.
Kur James Joyce e quajti romanin e tij “Odyseus”, në vitin 1922, ai që në titull na dëftoi se romani i tij është shkruar në “bashkëpunim” me Odiseun e Homerit, 2700 vjetëve më të vjetër. Ndryshe, në dijet letrare, këto ndikime janë përkufizuar me termin intertekstualtiet, një teori që pohon se nuk ka ligjërim të virgjër, ngase e gjitha letërsia është intertekstuale.
Në përkim me këtë që thamë më sipër, viteve të fundit janë zhvilluar teori kulturore, të cilat pohojnë se kultura lexohet dhe interpretohet në relacion me kultura tjera.
Por kështu nuk mendon Ben Blushi, i cili, në shkrimin sipërpërmendur, ka marrë përsipër t’i edukojë dhe frymëzojë shqiptarët e Kosovës, që të fillojnë një betejë të re, për mua krejtësisht absurde: çlirim kulturor nga Shqipëria.
E ndërkohë që po diskutohet për këtë temë, në Prishtinë i zhvillon punimet për të 35-tën herë me radhë Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në të cilin, letërsia, gjuha dhe kultura shqiptare, lexohen, studiohen dhe interpretohen si unike. Kështu lexohet nga studiues të Prishtinës e të Tiranës, të vendeve tjera shqiptare dhe nga bota. Ky seminar, esencë ka gjuhën, sepse gjuha është fondamenti e së secilës kulturë; thënë ndryshe është qenia ku banon aksh kultura.
Blushi, si autor tekstesh e librash, e di mirë se kultura ka mision ushtrimin e ndikimit. Këtë mision e ka edhe ai, i cili, sigurisht se shkruan për të ushtruar ndikim. Ai shkruan, sepse ka dëshirë të lexohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu. Mirëpo, teksti i tij nuk përmban asgjë nga kjo e vërtetë. Ai merr mundin dhe iu thotë shqiptarëve të Kosovës, të jetojnë në ishull (mundësisht në ishullin e mendimeve të tij), sepse Shqipëria nuk u duhet më. Ndaj, duhet të çlirohen nga ajo, sa më parë, sepse paternalizmi i saj i bën keq.
Për mua, të flasësh për paternalizëm kulturor përbrenda një kulture, që prodhohet me të njëjtën gjuhë, që ka të njëjtën traditë e histori, është marri e llojit të veçantë.
Nëse autori mendon sinqerisht se Kosova e paska prodhimtarinë shpirtërore e artistike më në nivel se Shqipëria (gjë që pak besoj), ai do të duhej ta pohonte këtë si fakt, dhe ta shpjegonte si ndikim të natyrshëm kulturor.
Fakti se Blushi i jep të drejtë vetës që këtë ndikim kulturor, ta keqinterpretojë në funksion të ndonjë ideje tjetër, ai tregon se ka shkruar një tekst qëllimisht tendencioz. Apo, ka dashur t’i përrallisë shqiptarët e Kosovës dhe t’i nxisë që të projektojnë një armik të ri kulturor, të paqenë: Shqipërinë.
Në përkim me logjikën e Blushit, atëherë pas çlirimit të Kosovës nga Shqipëria, do të duhej të pasonte çlirim i Jugut të Shqipërisë nga ndikimi kulturor gegë, dhe anasjelltas. E kjo marri sigurisht s’ka sesi të përfundojë këtu.
Teksti i Blushit, në mënyrë eksplicite mund t’i hyjë në punë dikujt që me zhurmë e kukurisje kërkon nga shqiptarët e Kosovës të mos ndjehen shqiptarë. Me të drejt Enver Robelli qesëndisi me këtë tendencë kur shkroi se: “nuk mund t’ju themi shqiptarëve të Kosovës: burra e gra, deri dje keni qenë shqiptarë, sot prekni një sustë në zemrën tuaj dhe shndërrohuni në kosovarë.”
Blushi, qëllimisht nuk pohon askund se në botën normale, të flasësh e shkruash për ndikime kulturore, është gjëja ma e natyrshme. Kjo për faktin se ndikimet mbarsën dhe zhvillohen në secilën kulturë. Një rajon i caktuar, në një periudhë të caktuar, natyrshëm mund të ketë potencë më të madhe kulturore dhe kështu të ushtrojë ndikim kulturor më të madh në krejt sferën kulturore të një vendi, por kjo nuk ka të bëjë asgjë me “hegjemoni kulturore”, siç pretendon dikush t’i shoh e t’i gjykojë raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Blushi, për t’i provuar idetë e tij, renditë argumente terciare, por askund nuk e përmend faktin se shqiptarët e kudondodhur, duan të jenë pjesë e të njëjtës hapësire kulturore, me dallimet dhe specifikat e natyrshme që mbartin. Ai me lehtësi iu kërkon shqiptarëve të Kosovës të çlirohet kulturalisht nga Shqipëria, por në tekst nuk ia del askund të provojë pse duhet të ndodhë një gjë e tillë. Përkundrazi, dëshmitë që jep ai janë “argumente” shterpe dhe krejtësisht qesharake.
Pse?
Sepse, kultura shqiptare, përkundër dallimeve të natyrshme, ka një substrat unik kulturor, dhe kjo provohet lehtësisht.
Atëherë, prej kujt duhet të çlirohet kulturalisht Kosova?
Prej vetvetes!?
Kush do ta trashëgojë kulturën e përbashkët të gjertanishme?
Ja një vistër shembujsh sipërfaqësorë:
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, është shkrimtari i përndritur, Ernest Koliqi, ai i cili dërgoi një çetë të madhe mësuesish në Kosovë, dhe ata ndikuan që Kosova t’i hapte bebëzat arsimore dhe kulturore.
Atëherë, çfarë të bëjmë me Koliqin kur Kosova të ketë fituar pavarësinë kulturore nga Shqipëria, këtë mund ta di vetëm Blushi e ndonjë tjetër përkrahës i tij në Prishtinë.
Për më tepër, çfarë të bëjmë me figurën e Pjetër Bogdanit, autor me origjinë nga Kosova, që jetoi dhe veproi edhe në Shqipëri, ndërsa libri i tij “Çeta e profetëve”, iu dedikua të gjithë shqiptarëve.
E me Gjergj Fishtën, i cili nga kryeqendra e kulturës shqiptare, Shkodra, u bë model frymëzimi për lëvizjen politike të Kosovës, ndaj edhe sot, në Kosovë ka qytetarë që e dinë “Lahutën e Malcis” përmendësh.
Po me Esad Mekulin, shkrimtar me origjinë nga Mali i Zi, që jetën e kaloi në Prishtinë dhe u bë një lloj apostulli i kulturës, duke qenë themelues i revistës “Jeta e Re”, që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare.
Po në këtë kontekst, çfarë ngjet me një shkrimtar elitar si Martin Camajt, që ka botuar dy librat e tij të parë në Kosovë, ndërsa pjesën ma të madhe të jetës e kaloi në emigracion.
Edhe një dëshmi tjetër: Sivjet Çmimin për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” e kanë fituar dy autorë nga Shqipëria: Ardian-Christian Kyçyku e Bashkim Hoxha, ndërsa këtë çmim e jep Ministra e Kulturës e Kosovës.
Këto fakte, edhe mund të mos kenë kurrfarë domethënie për Blushin, por janë evidenca të patejkalueshme kulturore, të cilat duhet ta shqetësonin secilin që guxon t’iu sugjerojë kuturu kosovarëve rrugën për t’u çliruar kuluralisht nga Shqipëria.
Kosova nuk është ndjerë asnjëherë e robëruar kulturalisht nga Shqipëria, që të ketë nevojë të çlirohet. Ajo i ka dhënë dhe marrë natyrshëm Shqipërisë dhe bashkërisht kanë krijuar kulturën shqipe.
Ky lloj i argumenteve është i gjatë, mirëpo qëllimi i këtyre rreshtave nuk është t’i mbarështojë të gjitha.
Tentativat e shpërfaqura në Prishtinë e Tiranë, që kërkojnë me ngulmë të gjejnë sa më shumë dallime- ose vetëm dallime mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë në funksion të fragmentimit kulturor të shqiptareve dhe nuk kanë asnjë dobi për të ardhmen e tyre.
Ka kohë prej kur autorë të ndryshëm të shtypit tonë, e anashkalojnë vetëdijshëm faktin se kultura shqiptare, sot, komunikon pa asnjë pengesë, si pjesë e një hapësirë kulturore. Ndaj, është e natyrshme që artistë dhe njerëz të kulturës nga Kosova, të gjitha profileve, me pasion të kërkojnë të shkojnë në Tiranë dhe të marrin pjesë në ngjarjet atjeshme kulturore. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe me ata nga Shqipëria e viset tjera shqiptare.
Shqiptarët, përgjatë disa dekadave kanë përjetuar ndarje politike, tkurrje, kufij të pakalueshëm, por asnjëherë nuk kanë pranuar ndarje kulturore. Dhe këtë s’do ta pranon as tani, deshi apo jo Blushi.
Ndaj, për mua, po aq sa është i rrezikshëm turbo nacionalizmi primitiv dhe parullat për bashkim, po aq është i rrezikshëm edhe diskursi refuzues ndaj marrëdhënieve natyrale mes Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në planin kulturor.
Pa dyshim, këto dy shtete, kanë nevojë për afrim, politika të përbashkëta ekonomike e kulturore.
Dhe një gjë: vijat ndarëse, ato që theksohen shpeshherë me ngulmë në media, janë shumëfish më të vogla dhe të papërfillshme në krahasim me dobitë dhe afritë. Pikërisht për këtë arsye, është e pakuptimtë të flitet më shumë për probleme mes Shqipërisë dhe Kosovës, sesa për përparësi e mundësi.
Shqipëria dhe Kosova, mund të kenë dallime të natyrshme, siç kanë popujt që kanë jetuar me shekuj nën një ombrellë kushtetuese- nën një rregullim koheziv shtetëror: si italianët veriorë me ata jugorë; suedezët veriorë me ata jugorë. Mirëpo, këto dallime, s’janë aq të mëdha dhe problematike, sa mos të shihet në horizont asnjë pikë dhe asnjë temë përbashkuese.
Për mendimin tim, as Kosove e as Shqipëria, nuk guxojnë ta shohin njëra-tjetrën, si kontejner për t’i derdhur emocionet negative, frustrimet, pasigurinë dhe përçapjet e ngadalta kah konsolidimi si shtete të mirëfillta demokratike dhe evropiane.
Ne, aspirojmë të bashkohemi me popuj tjerë: polakët, francezët, suedezët, irlandezët e shumë të tjerë, dhe nuk shohim më shumë dallime sesa me integrimet mes vete.
Shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të Shqipërisë, jemi një. Ndaj, idetë e marra për çlirim kulturor të njërës nga tjetra, duhet të hidhen në koshin e plehrave, duke i trajtuar si të tilla. Sepse vlerësimet dhe interpretimet e tilla, janë keqkuptimi dhe dëmi ma i madh që i mund t’i bëhet kulturës.
Sesi mund të ketë hegjemoni kulturore përbrenda një kulture, këtë mund ta di vetëm dikush, të cilit i është mbushë mendja se mund t’i përrallisë pafundësisht shqiptarët, duke tentuar ta mbulojë diellin me shoshë.
Blushi, me tekstin e tij ka dëshmuar katërçipërisht sesi nuk duhet lexuar e gjykuar kultura.