Albspirit

Media/News/Publishing

Biden konfirmon mbështetjen e SHBA për Turqinë


Nënpresidenti amerikan Joe Biden konfirmoi sot mbështetjen e SHBA-së për Turqinë pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti muajin e kaluar. Gjatë një konference për shtyp, zoti Biden dënoi me forcë puçin e anëtarëve të forcave të armatosura turke dhe mohoi kategorikisht që Shtetet e Bashkuara të kishin patur dijeni paraprakisht.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mbërriti në Turqi ndërsa avionët amerikanët filluan të ndihmojnë Turqinë në ofensivën e saj të re ushtarake në Siri.

Nënpresidenti amerikan zhvilloi një takim dypalësh me Kryeministrin Binali Yildirim. Duke folur pas takimit gjatë një konference për shtyp, zoti Biden rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur për Turqinë:

“Si një vend aleat dhe mik i kahershëm i popullit turk, gjendem sot këtu për të shprehur me terma absolutë mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së për Turqinë, pas një përpjekje të dështuar për puç që ndodhi muajin e kaluar.”

Zoti Biden shprehu trishtimin për puçin ushtarak të datës 15 korrik dhe e dënoi atë me forcë.

“Shtetet e Bashkuara nuk patën paraprakisht asnjë lloj dijenije për atë çfarë ndodhi më 15 korrik. Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan dënojnë me neveri atë çfarë ndodhi dhe nuk do të mbështesnin në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë të mundshme veprimet tradhëtare të anëtarëve të forcave tuaja të armatosura.”

Nënpresidenti Biden konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin me Turqinë, ndërsa kjo e fundit do të vazhdojë të paraqesë informacion të mëtejshëm në lidhje me klerikun Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon si organizator të puçit.

Kërkesa e Turqisë për ekstradimin e tij u përsërit gjatë takimeve të sotshme dypalëshe.

Edhe përpara mbërritjes së zotit Biden në Turqi, Presidenti Erdogan përsëriti gjatë një fjalimi kërkesën për ekstradimin e Fethullah Gulenit:

“Nëse një vend kërkon ekstradimin e kriminelëve nuk mundeni ta kundërshtoni. Duhet t’i ekstradoni… Do ta përsëris sot në takim. Kemi dërguar një dosje me 85 fashikuj. Do të dërgojmë edhe materiale të tjera për puçin e 15 korrikut. Nëse jemi partnerë strategjikë, SHBA-ja nuk përfiton gjë duke mbajtur atë person.”

Gjithashtu, autokolona e Nënpresidentit amerikan u prit në rrugët e Ankarasë nga protestues me parulla:

“Të gjithë shtetasit tanë që dolën kundër puçit u bënë martirë. Shumë u plagosën. Ne duam ekstradimin e personit përgjegjës. Nëse duan munden ta ekstradojnë. Kjo është kërkesa jonë e vetme.”

Pas përfundimit të takimeve në Turqi, Nënpresidenti Biden do të udhëtojë në mbrëmje drejt Suedisë.

Please follow and like us: