Albspirit

Media/News/Publishing

Ekuilibri Nash në Reformimin e Drejtësisë

Ekuilibri Nash në Reformimin e Drejtësisë.

Endri Shabani-PhD Oxford

Altin Hoti-PhD S. Petersburg

Eshte e famshme pergjigja e Churchillit ndaj gazetares qe e pyeti se cfare do te thoshte ai nese ministrat e tij do te ishin te korruptuar. Ai u shpreh “do te pyesja cfare ben drejtesia ne kete vend?”. Ne kete vendin tone ne kemi kohe qe pyesim se cfare ben drejtesia, dhe kohet e fundit po synojne te na bindin se pergjigjen do ta marrim mbas reformes ne drejtesi.

Reforma ne drejtesi eshte brandi i ndryshimeve te pritshme ligjore, te cilat synojne nje riorganizim te pushtetit gjyqesor, ne menyre qe ai te jete aq i pavarur dhe i pandikuar nga politika sa te garantoje parimin e balances dhe kontrollit (check and balance). Se sa kjo reforme do tia arrij qellimit vlen per tu pare, por pritshmerite jane te medha. Shume vende te Bashkimit Evropian ia kane pare hajrin nje gjyqesori te pavarur. Nderkohe ky i fundit eshte shprehur qarte se nuk ka ndermend te na pranoje per sa kohe ne nuk e reformojme gjyqesorin tone.

Ne kete kontekst, zvarritja apo mos miratimi i reformes ne drejtesi eshte ne dem te progresit te vendit, dhe logjikisht ne dem te interesit publik. Nisur nga kjo premise, shume njerez pyesin se perse aktoret e perfshire ne proces (dhe ketu eshte fjala per partite politike) po e zvarrisin kete reforme, prej te ciles perfitojne te gjithe. Po a eshte e vertete qe prej zbatimin te kesaj reforme perfitojne te gjithe? A eshte e vertete qe partite politike po veprojne ne nje menyre irracionale duke zvarritur miratimin dhe zbatimin e kesaj reforme? Apo sjellja e tyre eshte teresisht racionale dhe ne nje ekujliber te provuar nga Nobelisti John Nash? Ndryshe i quajtur: “Ekuilibri Nash”.

Ekuilibri Nash nenkupton nje kombinim strategjish te perbera nga veprime qe u sjellin lojtareve perfitimet maksimale. Ky ekuiliber ka veti te brendshme per ta ruajtur gjendjen e tij, pasi asnje nga aktoret nuk ka incentive per ta ndryshuar strategjine ne menyre unilaterale. Pra ekuilibri ruhet sepse askush nga palet ne loje nuk ka perfitim te sillet ne menyre te ndryshme nga te tjeret.

Aktoret kryesor te perfshire ne reformen ne drejtesi jane dy grupime partiake parlamentare (maxhoranca dhe opozita) dhe nderkombetaret. Sjelljet e seciles prej tyre ndikojne jo vetem ne produktin final te reformes, por edhe ne perfitimet e mundshme te secilit aktor. Nuk ka asgje te cuditshme nese keta aktore (partite politike) do te demostronin nje sjellje tejet racionale, qe ne gjuhen ekonomike do te perkthehej si synim drejt minimizimit te kostove dhe maksimizimit te perfitimeve.

Nderkombetaret duket se e kane interesin qe kjo reforme te miratohet, por nuk kane mekanizmat ligjor per ta miratuar ate (per sa kohe nuk ua kemi kaluar sovranitetin kombetar).

Partite politike kryesore i kane edhe mekanizmat edhe pushtetin, qe te miratojne reformen, por duket se atyre u mungon vullneti per kete. Ato shfaqen te perfshira aktivisht ne pergatitjen e reformes, por jane po ato qe akuzohen se po e zvarrisin procesin.

Partite mund edhe ta manipulojne reformen, ta bejne ate sipas interesave te veta, dhe pastaj tua imponojne paleve te tjera dhe publikut. Me pak fjale te na hedhin hi syve qe reforma u be, por ne realitet te perdorin etiketa te reja mbi shishe te vjetra. Kjo gje, megjithese nuk perjashtohet, per momentin duket e veshtire, pasi ne loje jane pefshire edhe aktore te tjere nderkombetare, te cilet duket se ua kufizojne mundesine e paleve per ta manipuluar reformen deri ne ate pike qe ajo te jete nje nul. Keshtu qe strategjite e sjelljes se aktoreve, pavaresisht kohezgjatjes, spiraleve apo shfaqjes kane vetem dy veprime perfundimtare: te miratojne ose jo reformen.

Nese partite politike bien dakort te miratojne reformen, atehere ajo mund te sillte pasoja te drejteperdrejta mbi vete ata. Nese i besojme raporteve nderkombetare, qe e klasifikojne Shqiperine si vend me korrupsion te larte, atehere mund te thuhet se forcimi real i sistemit te drejtesise rrezikon te trondise nga themelet perfitimet e pushtetit, dhe te ridimensionoje pozicionet e forces. Staus quo-ja aktuale ku rrjeta antikorrupsion e gjyqesorit nuk ka zene ndonje peshk te madh, duket me e sigurte per partite politike se sa nje realitet i ri ne gjyqesor. Per pasoje, partite mund te perfitojne maksimalisht nga mos miratimi i reformes ne drejtesi, pasi ruajne pozicionet dhe perfitimet aktuale te pushtetit.

Duke qene se reforma kerkon votat e te dyja grupimeve parlamentare, per sa kohe te dyja palet nuk bien dakord, reforma nuk miratohet. Nderkohe qe perfitimet ne kete situate jane te ngjashme per te dyja palet, kostot jane te ndryshme. Pala, e cila perceptohet si pengese per miratimin e reformes, mund te perballet ne periudhen afatgjate me keto kosto:

Se pari humbjen e besimit perballe shoqerise qe e do dhe e pret reformen. Ccka do te thote rrezikim (humbje ose mosfitim) i pushtetit ne zgjedhjet e ardhshme.
Se dyti, humbjen e mbeshtetjes nga aktoret nderkombetare, te cilet duken te perfshire ne avancimin e reformes.

Per kete arsye, pikerisht per te minimizuar kostot e mesiperme, partite jane te interesuara qe t’i heqin pergjegjesite nga vetja. Menyra me e mire per ta bere kete, eshte qe nga njera ane te shfaqesh sikur mezi pret ta miratosh reformen, dhe te flasesh gjithe diten per te. Nga ana tjeter, te besh cfare te mundesh, qe ta bindesh elektoratin tend, se fajin e ka pala tjeter, e cila nuk e do reformen se eshte e korruptuar. Kjo eshte situata e spiraleve apo shfaqjeve te ndryshme, qe prodhohen para kamerave, apo brenda studiove televizive, me qellim luajtjen e kungulleshkave me fajin dhe zvarritjen e reformes.

Ka nga ata qe mendojne se ka edhe nje kosto te trete mosmiratimi i reformes, qe eshte pengimi i procesit te integrimit te vendit ne Bashkimin Evropian. Ketu vlen te theksohet se ka nje njehsim jo krejt realist midis interesit te partive politike dhe popullit shqiptar. Mbase ata qe nuk jetojne ne Shqiperi mund te kene ende perceptimin se partite politike nuk jane fare te shkeputura nga interesat e popullit. Por per ata qe fati, koka apo zemra i ka bere ta lidhin fatin e tyre me kete vend, kjo shprese eshte zbehur prej vitesh (nese ka ekzistuar ndonjehere). Keshtu qe, per te qene realist, populli vertet mund te perfitoje nga integrimit ne BE, por partite mund te humbasin se sa te fitojne nga ky proces. Kjo pasi nese vendi anetaresohet ne BE, partite do te kene me pak pushtet, dhe do jene me te monitoruara (pra me pak te lira per te perfituar nga pushteti). Keshtu qe, mund te thuhet se kosto per partite nuk eshte mosintegrimi, por pikerisht integrimi i Shqiperise ne BE.

Pra, ne keto kushte, e vetmja situate kur partite maksimizojne perfitimet e tyre afatshkurtra eshte mosmiratimi i reformes ne drejtesi. Me pak fjale, askush nga palet nuk ka incentive racionale per te verpruar ndryshe nga c’po vepron deri tani.

Por ka dhe nje aktor tjeter, qe mund ta prishe kete ekuiliber, dhe ky eshte populli. Kushtetuta iu njeh zgjedhesve te drejten per tu shprehur permes refrendumit sa here qe e shohin se perfaqesuesive te tyre ne Kuvend, ose kane dale mendsh ose iu ka dale nga mendja se kush i ka zgjedhur. Pra duke perdorur kete instrument kushtetues, populli mund te heq dore nga roli i spektatorit dhe te behet pjese e procesit duke imponuar vullnetin e tij. Nje angazhim i tille do te prishte ekuilibrat e pushtetit, dhe do t’i nxirrte palet nga ekuilibri Nash ku kane ngecur prej kohesh.

Per ta permbledhur. Eshte e qarte se, pavaresisht irritimit tone me to, partite politike jane duke vepruar si aktore racionale ne raport me reformen ne drejtesi. Ndoshta, nuk po veprojne ne menyre te ndershme, apo te deshiruar, por teresisht racionale ne mbrojtje te interesit te tyre te ngushte. I vetmi aktor qe nuk po vepron ne menyre racionale, eshte ajo pjese e publikut qe ende shpreson se partite kane lajthitur dhe do lene pas dore interesat e tyre. Eshte e vertete qe eshte terheqese kjo telenovela politike e reformes ne drejtesi, ku aktorit kryesor i qan xhani per dashurine e vertete, por c’ti bej shemres qe s’e le. Por zgjidhja qe na mbetet eshte te zgjedhim ose te sakrifikojme telenovelen “Parti mike dhe rivale” ose te ardhmen tone.

Please follow and like us: